Agron Mema: Prezantohet kandidati i koalicionit “Bashkë- Fitojmë” për bashkinë e Finiqit, Leonidha Kristo

“Leonidha Kristo është shprehur për gazetën “Telegraf” se rikthehet për në krye të bashkisë, nëse mandatohet nga elektorati, për të vijuar punët e lëna në mes, pasi ato kanë ngecur në vend e nuk kanë evoluar këto katër vite që kaluan nga qeverisja aktuale si vendore dhe qëndrore.Nuk është bërë asnjë hap në drejtim të shërbimeve publike”

 

Ethet elektorale kanë pushtuar tani të gjithë gjeografinë e Shqipërisë në të 61 bashkitë e saj për zgjedhjet vendore dhe këshillat bashkiakë të 14 Majit. Sinoptika elektorale tregon kohë me vranësira, pse jo edhe me rreshje dhe faktorë atmosferikë të tjerë elektoral për PS-në. Këtë e tregon më së miri fakti që frika që ka pushtuar partinë qeverisëse nga përballja në këto zgjedhje e ka detyruar kreun e partisë socialiste dhe njëherazi kryeministër, jo vetëm të marrë vendime në kundërshtim të hapur me Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, por edhe të mos kandidojë në Qarkun e Vlorës kryetarët aktual të bashkive. Fakti që në 7 bashki që ka ky qark, vetëm njëri prej tyre rikandidon, z. Jorgo Goro i Himarës dhe ky nga frika e përballjes me kandidatin e djathtë Fredi Beleri, ndërsa gjashtë të tjerët janë kandidatura të reja e të panjohura mirë nga elektorati. Por vështirësia qëndron tek fakti që elektorati ka shtruar pyetjen se megjithëse këto kandidatura të reja janë brenda alternativës vijuese të qeverisjes vendore dhe qëndrore, çfarë do të ndryshojnë dhe kush i ka penguar për mos t’i realizuar dhe nëse i realizojnë premtimet kush do t’i ndihmojë dhe pse deri sot nuk është ndihmuar?

NOA

Në atmosferën e kësaj situate të ndezjes së motorave të makinerive elektorale është prezantuar edhe kandidati i aleancës së djathtë për bashkinë e Finiqit Leonidha Kristo nga kreu i PBDNJ-shit (Vangjel Dule), pjesë e koalicionit të djathtë opozitar. Leonidha Kristo rikthehet me rikandidimin e tij pasi më herët ka qenë për një mandat kryetar bashkie i Finiqit, rikandidoi, por për shkak se opozita bojkotoi zgjedhjet doli humbës dhe tani rikandidon i mbështetur nga koalicioni “Bashkw-Fitojmw”. Vet z. Leonidha Kristo është shprehur për gazetën “TELEGRAF” se rikthehet për në krye të bashkisë, nëse mandatohet nga elektorati, për të vijuar punët e lëna në mes, pasi ato kanë ngecur në vend e nuk kanë evoluar këto katër vite që kaluan nga qeverisja aktuale si vendore dhe qëndrore.

Nuk është bërë asnjë hap në drejtim të shërbimeve publike. Në fokus do të jenë edhe prioritete për një arsim cilësor e bashkëkohor. Kristo thekson se do të krijohet një administratë profesioniste në shërbim të publikut dhe ligjit. Do të përfundojë problemi i pronësisë dhe ky i lënë në mes dhe i ngecur në vend si dhe do t’u jepet mbështetje familjeve në nevojë. bashkia do të jetë institucion i hapur për të gjithë dhe i gatshëm për zgjidhjen e halleve të tyre. Ka ardhur koha të ndryshojë qëndrimi i pushtetit lokal ndaj qytetarit. Koha ka sjellë domosdoshmërinë e ndryshimit dhe e djathta e ka treguar se di të ndryshojë jetën qytetare dhe t’i shërbejë denjësisht komunitetit. Nuk do të përjashtohen përpjekjet për integrimin e vendit tonë në BE nëpërmjet negociatave me shtetin Grek duke u bërë si minoritet faktor jo vetëm stabilizues i paqes dhe miqësisë së popujve në rajon, por edhe inisiatorë të përshpejtimit të integrimit të vendit tonë në strukturat euroatlantike. Besoj tek vetja dhe besimi që do të më japin bashkëqytetarët e mi do të jetë maksimal dhe po i tillë edhe angazhimi im në shërbim të tyre,- përfundon prononcimin eskluziv për gazetën “TELEGRAF” kandidati i koalicionit të djathtë për bashkinë e Finiqit Leonidha Kristo.