Helmimi nga uji i pijshëm, Presidenti Meta: Qeveria shqiptare t’i gjendet pranë Kosovës

172
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar për situatën e krijuar në Komunën e Deçanit, në Kosovë, ku u raportuan rreth 900 persona të helmuar nga uji i pijshëm, ndërkohë që ka patur dhe dy raste humbje jete.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, teksa iu uron shërim të shpejtë qytetarëve të helmuar, Meta nxit qeverinë shqiptare që t’i gjendet pranë Kosovës, sipas mundësive, me ekspertizë dhe çdo ndihmë të nevojshme.

“Me shqetësim po e përcjell situatën emergjente në komunën e Deçanit. Qytetarëve të helmuar ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të kësaj situate. Familjeve të tyre ju shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tim më të thellë.

Me besimin e plotë se institucionet shtetërore përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet dhe po bëjnë përpjekjet e duhura për zbulimin, zbardhjen e shkaqeve dhe kapërcimin e tyre, e nxis Qeverinë shqiptare t’u gjendet pranë, sipas mundësive, me ekspertizë dhe çdo ndihmë të nevojshme. Shqipëria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës!”, shkruan Meta.