Grisejda Myslymi: LSI merr 3 mandate në Vlorë, rinia do qeveri miqësore. Rama gjeneral i ”ushtrisë të vdekur”

453
Sigal

Kandidatja për deputete e LSI-së, Grisejda Myslymi: E neveritshme që në 2021, Rama tenton të fitojë përmes presionit, detyrimit me vendin e punës apo thasëve me ushqime

“Të “shesësh” prurjet e reja në politikë, për të qenë makiazh i një momenti të caktuar politik”. Kjo përqasje vjen nga Grisejda Myslymi, ku vijëzon se PS-ja është kthyer në parti pa identitet dhe ka lista pa figura politike. Kandidatja për deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e listës së qarkut Vlorë, thotë se u bë pjesë e politikës dhe sidomos e LSI-së, kur kuptoi se çfarë është një alternativë politike. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Myslymi tregon më shumë për takimet e përditshme që ka me të rinjtë dhe tregon shqetësimet e tyre. “Vështirësia për të ngritur sipërmarrje të reja është modeli i kësaj qeverie, e cila nuk i sheh të rinjtë si bashkëpunëtor. Rinia flet për dëshirën për t’u larguar”. Teksa e quan Edi Ramën “gjeneral i një ushtrie tashmë të vdekur”, kandidatja e LSI-së thotë se nuk kanë pritur sherret e PS-së në Vlorë, por janë në fushatë elektorale me qytetarët. Sa mandate pretendon të marrë LSI-ja në Vlorë? Grisejda Myslymi thotë se tre mandate janë të sigurta.

Ja intervista e plotë:

-Prurjet në politikë gjithmonë janë cilësuar si një element i mirë për ndryshim. Ju jeni pjesë e listës së kandidatëve në qarkun Vlorë dhe për të gjithë ata që nuk Ju njohin, pse vendosët që të bëheni pjesë e politikës në këto momente jo kaq të qeta, dhe njëkohësisht përse krah LSI-së?

-Shqipëria ka dhe do të ketë gjithnjë nevojë për prurje të reja, për individë të rinj profesionistë të fushave të ndryshme, por dëshiroj të ndalem në dy momente. Një gjë është që të hysh në politikë me ambicien dhe misionin për të qenë gjatë aty, krah komuniteteve që përfaqëson dhe është diçka tjetër të “shesësh” prurjet e reja në politikë, për të qenë makiazh i një momenti të caktuar politik. Unë kam vendosur të jem pikërisht tani në fushatë elektorale dhe posaçërisht për LSI, për arsyen e vetme se kam vlerësuar që ky moment shumë delikat në jetën politike të vendit dhe kjo forcë politike, janë dy kombinimet më të volitshme që të rinjtë si unë t’i bashkohen ndryshimeve të mëdha të vendit. Unë nuk jam një prurje e re në LSI, sepse qysh prej momentit që kam kuptuar se çfarë është një alternative politike, kam zgjedhur pa mëdyshje LSI, por sigurisht jam një frymë e re për qytetin tim.

-Rinia politike është një nga shtyllat e LSI-së dhe në këto zgjedhje i’u është dhënë një peshë e madhe, siç e shohim tek Ju. Në bisedat e përditshme me të rinjtë, për çfarë diskutoni më shumë, përpos probleme të arsimit dhe vështirësive të punësimit. Çfarë presin ata nga Ju, edhe pse dihet që partitë në fushata zgjedhore premtimet i kanë joshëse?

-Të rinjtë në Vlorë nuk ndryshojnë nga të rinjtë e të gjithë vendit, sepse mungesa e meritokracisë, mungesa e hapësirave për punësim, dhe vështirësia për të ngritur sipërmarrje të reja është modeli i kësaj qeverie, e cila nuk i sheh të rinjtë si partner apo bashkëpunëtor. Rinia flet për dëshirën për t’u larguar dhe kjo të jep shumë trishtim kur takohesh me ta. Nga ana tjetër, më jep më shumë forcë për t’i bërë ata të guximshëm që të votojnë masivisht më 25 prill. Askush që nuk e ushtron korrekt dhe pa manipulim të drejtën e votës, nuk do të ketë arsye për t’u ankuar nesër në rast vazhdimësie të kësaj maskarade qeverisëse. Ne nuk kemi premtime joshëse, sepse nuk jemi një forcë politike që votën e ka marrë prej presionit në administratë apo prej shitblerjes së votës; ne e kemi treguar në vite sesi i kemi rritur figurat tona politike dhe sesi i jemi atashuar komuniteteve në çdo qytet të vendit, për t’u dhënë mbështetje. Unë nuk premtoj asgjë që nuk është bindëse, që nuk është e realizueshme dhe brenda realitetit që jetojmë. Nuk do të kërkoja kurrë votën e qytetit tim nëse nuk do të isha korrekte me ata. Të rinjtë presin shumë, por mbi të gjitha presin një shoqëri më miqësore, punëdhënës miqësor ndaj tyre, qeveri miqësore me ata.

-Si e gjykoni shkarkimin pas kaq vitesh të kryebashkiakut Dritan Leli nga PS-ja e Vlorës përmes një sms të Ramës, pikërisht në prag të zgjedhjeve të 25 prillit? Do ta shfrytëzoni si një pikë plotësuese në fushatën tuaj, dhe po ashtu, a keni ju sot një mesazh për socialistët e Vlorës?

-Strategjia elektorale e Edi Ramës duke eleminuar klasikët e PS-së, është vijmësi e mentalitetit dhe praktikës së tij partiake në vite. Historia e asaj force politike, na tregon se PS-ja nën drejtimin e Edi Ramës ka pësuar deformime në linjën politike, paqëndrueshmëri me bashkëpunëtorët politikë dhe devijim nga hapja e partisë që ai shpesh e artikulon si arritje, por që në fakt e ka kthyer PS-në në një parti politike pa identitet dhe pa figura politike. Prurjet e reja do të provojnë se nuk janë aty për të zhvilluar këtë forcë politike, por për t’i shërbyer propagandës së Ramës në një moment të vetëm, dhe të përcaktuar qartë. Kjo situatë e kundërshtarit reflektohet padyshim edhe në qarkun Vlorë, ku tensionet e brendshme dhe pakënaqësitë e shfrenuara për listat e deputetëve, na tregojnë se PS-ja ka nevojë për t’u marrë seriozisht me veten sepse e ka humbur diku mes oligarkëve, interesave të ngushta të pushtetit dhe arrogancës. Ne jemi në fushatë elektorale me qytetarët, me votuesit, me njerëzit e ndershëm dhe nuk kemi pritur tensionet e brendshme të PS-së të na favorizojnë në fitore, sepse fitorja do të vijë për shkak të varfërisë së krijuar, pabarazisë së thellë ekonomike, koncensioneve korruptive, sistemit shëndetësor të dështuar, papunësisë dhe largimeve masive në rritje. Ne e mbështesim fitoren tonë të alternative jonë politike, te puna jonë në terren dhe te kontakti i vazhdueshëm me qytetarët. Mesazhi im për të gjithë socialistet dhe të majtën, është të mos e lënë më fatin dhe rrugëtimin e forcës së tyre politikë në dorë të Edi Ramës. E majta shqiptare ka vlerat dhe parimet e saj politike, të cilat sekti i Rilindjes i ka transformuar dhe devijuar për interesa të ngushta të shumë pak individëve në pushtet.

-Çdo tensioni politik që ka ndodhur së fundmi, qeveria i vendos edhe pandeminë, e cila nga ana tjetër do ta vështirësojë fushatën zgjedhore. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi opozitën për grumbullimet dhe takimet që po zhvillon. Si e gjykoni këtë deklaratë, si presion apo si një problem që shqetëson me të vërtetë kryeministrin?

-Janë të gjitha emocionet e Edi Ramës brenda orientimeve dhe urdhrave që shpërndan sa në Komitetin Teknik, sa në ministra e prefekt të qarqeve. Presion, është dëshpërim i tij që nuk do të mund dot të ngelë në historinë e Shqipërisë, si strategu i punëve të mira, por përkundrazi si një gjeneral i një ushtrie tashmë të vdekur. Kryeministri do të bënte mirë të ushtronte detyrat e tij duke menaxhuar shumë herë më mirë situatën me pandeminë dhe rindërtimin pas tërmetit, dhe jo të intimidojë nëpërmjet njerëzve të tij të veshur me pushtet, njerëzit e administratës publike gjatë mbledhjeve që u bëjnë me detyrim në çdo rajon dhe organizatë lagjeje. Është e neveritshme që në 2021, kur gjenerata jonë jeton dekadën e 3-të pas rënies së regjimit komunist, kryeministri tenton të fitojë nëpërmjet presionit, detyrimit me vendin e punës apo edhe thasëve me ushqime. Ndaj është vendim jetik për vendin, për ne, që më 25 prill të votojmë kundër mendësisë së Edi Ramës.

-“30 mandate por edhe më shumë”. Kështu shprehet kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Si e shikoni ju këtë objektiv? Nëse do të pyesin për qarkun e Vlorës, sa mandate keni llogaritur që fitoni?

-Nuk dua të komentoj sondazhe ndaj të cilave për hir të së vërtetës kam patur skepticizëm dhe dyshimet e mia. Kjo vjen për arsye se njerëzit nuk kanë besim në konfidencialitetin apo privatësinë e të dhënave të tyre kur pyeten për sondazhe të tilla politike. Nuk ka një korrelance të drejtë në rezultatet e këtyre sondazheve, dhe pakënaqësisë qe në hasim në terren. Duket gati-gati sikur flitet për dy realitete të ndryshme të cilat nuk takohen me njëri-tjetrën. Por nuk mund të besosh se PS ka rritje kur mendon 8 vitet e një qeverie jo vetëm të konsumuar, por të degraduar; kur mendon menaxhimin e tërmetit dhe prej 1 viti të pandemisë, ku të gjithë janë të detyruar të përballen vetëm me virusin dhe pa mbështetjen e te ashtuquajturës shëndetësi falas. Të gjithë i kemi parë me zë dhe figurë sesi rrjeti kriminal i organizuar brenda spitaleve Covid poshtëronte dhe torturonte pacientët e infektuar. LSI-ja nga ana tjetër është një forcë opozitare e cila ka denoncuar çdo herë raste me ndjeshmëri në opinionin publik dhe është rritur cilësisht. LSI-ja ka objektivat e saja të cilat sigurisht që e tejkalojne numrin e mandateve të marra në zgjedhjet e vitit 2017. Kjo pritshmëri vjen si pasojë e shumë situatave të krijuara në terren, por edhe të qasjes politike që kjo forcë sjell te qytetari. Ekipi i projektuar fitues për zgjedhjet në qarkun e Vlorës, është një listë e kombinuar mes personaliteteve në fushat profesionale në qytetin e Vlorës dhe Sarandës, dhe të rinjëve që i bashkohen kësaj fushate për të promovuar ato energji të të rinjëve që kjo qeveri i ka zbehur dhe anashkaluar. LSI-ja në qarkun Vlorë vjen me një koordinim më të mirë, frymë bashkëpunuese dhe përfshirje të çdo anëtari e më gjerë. Kjo ambicie për të fituar tre mandate në qarkun e Vlorës, ka një shtysë shumë të fortë me praninë në krye të koordinimit politik të këtij qarku, të Luan Ramës i cili mban edhe postin e Zv/kryetari i LSI-së.

/kohajonë