Greva e parë në sektorin publik në gati dy dekada

232
Sigal

Kush e mban mend grevën e fundit në sektorin publik në Shqipëri? Unë vetë e mbaj mend mjegullt. Ka ndodhur diku rreth viteve 2003-2005. Rrethanat në të cilat u zhvillua greva janë fanitur, por ajo që mbaj mend është që në grevë dolën mësuesit, të cilët kërkuan rritje page dhe pagë të trembëdhjetë. Pas një përplasjeje me qeverinë e kohës, (socialiste), mësuesit e morën pagën e trembëdhjetë.

Në internet sot nuk gjen dot asgjë për atë grevë. Të duhet të shkosh në Bibliotekën Kombëtare për të lexuar gazeta të vjetra, a thua se po qëmton një ngjarje historike nga shekulli i kaluar. Fakti është që tashmë kanë kaluar pothuajse katër palë qeveri dhe gati dy dekada dhe kurrfarë greve e tillë në kërkim të rritjes së pagës apo të pagës së trembëdhjetë nuk ka ndodhur që nga ajo kohë.

Mësuesit e humbën pagën e trembëdhjetë në vitin 2007 nga një hile e qeverisë së kohës, e cila gjeti rastin të rriste pagën mujore me 10% dhe të hiqte pagën e trembëdhjetë, duke lënë nivelin e shpenzimeve totale për paga pothuajse të pandryshuar.

U desh të vijë data 7 prill 2021 që disa punonjës të sektorit publik të hidhen në grevë, kësaj here, grevë e padeklaruar, në kërkim të ruajtjes së pagave të veta dhe, më e rëndësishmja, në protestë ndaj pushimit nga puna të kolegëve të tyre.

Ata kërkojnë, mes të tjerave, që një anëtar sindikate të jetë në bordin e kompanisë. Kjo në fakt është detyrim ligjor në Shqipëri dhe një formulë shumë e arsyeshme e menaxhimit të korporatave të mëdha. Por kjo është gjithashtu edhe gjëja më e pamundur. Në bordin e AlbControl duket se ka anëtarë partie dhe jo anëtarë sindikate.

Qeveria u duk shumë e çuditur se disa njerëz janë hedhur në grevë. Belinda Balluku, e cila vetë për vite me radhë ka shijuar pagë shumëfish më të lartë se sa ajo e kryeministrit si drejtoreshë e kësaj kompanie, sugjeroi se punëtorët po tregohen të babëzitur, duke protestuar për uljen e një page nga 4 mijë dollarë në 2,400 dollarë. Ajo e shpalli grevën “grusht shteti”. Loja e zakonshme, o me ne o kundra nesh, vijoi. Qeveria akuzoi opozitën se po saboton vaksinimin e vendit duke cytur punëtorët e Albcontrol të dalin në grevë.

Komedia vijoi më tutje kur media raportoi se forcat e ushtrisë dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë shkuan te ndërtesa e kompanisë. Siç duket, qeveria ka vendosur ta shtypë grevën si një regjim, por ama si një regjim komik. Një qeveri e majtë nuk lejon grevë dhe ka një kryeministër që mburret se pse në Shqipëri nuk ka sindikalizëm.

Greva në Shqipëri nuk ka pasur për arsye të kuptueshme. Në fund të fundit, grevat janë fenomene të vendeve të industrializuara, ku pjesa dërrmuese e popullsisë jeton në qytet, ku punëtori nevojitet të jetë i kualifikuar dhe për rrjedhojë, jo lehtësisht i zëvendësueshëm. Greva normalisht ndodh në vendet ku ka konkurrencë, d.m.th., cilësia e punëtorit ndikon te cilësia e mallit dhe niveli i shitjeve në krahasim me konkurrentët. Kjo është ajo që quhet “fuqi negociuese”. Këto gjëra nuk janë në Shqipëri. Një pjesë e madhe e popullsisë është rurale dhe monopolet e oligopolet në shtet dhe në privat e bëjnë të parëndësishme cilësinë e punëtorit. P.sh., a mund te ketë fuqi për grevë gazetarët kur punëdhënësit mund t’i zëvendësojnë me lehtësi kronikat e tyre me kronika të gatshme të përgatitura nga zyrat e shtypit të qeverisë apo partive politike? Kontrollorët e trafikut ajror duket se janë unikë në këtë drejtim pasi është një punë që kërkon qindramijëra euro trajnime në punë dhe vite të tëra përgatitje e për rrjedhojë, pushimi i grevistëve nga puna nuk është gjë e lehtë.

Megjithatë qeveria u duk e shpejtë të përdorë të gjithë arsenalin në dispozicion të saj kundër grevës: akuzimin se po bëjnë grevë politike, (pra vrite dhënësin e mesazhit) akuza se po kërkojnë paga luksi (populizëm, mobilizo popullin kundër punëtorëve siç bënin regjimet komuniste në grahmat e tyre të fundit në Rumani e Poloni) apo deklarata akoma më qesharake si ato me grushte shteti. Mjaftuan tetë orë nga nisja e grevës dhe në terren u shfaqën shkopat e gomës dhe automatikët, këto jo në kuptimin figurativ. Brenda tetë orësh u kërkua spiuni, u ekzekutua (figurativisht) tradhtari i fushatës së vaksinimit dhe iu tregua vendi grevistit, e gjitha kjo e shoqëruar me një dozë të lartë habie se si po ndodh kjo punë.

Në fund të fundit ata kanë të drejtë të çuditen. Që kur ne shqiptarët i kemi lejuar politikanët të bëhen bej dhe sundimtarë të çdo gjëje, të tillë që emërojnë dhe pushojnë mësuesit nga puna për arsye partie, është me të vërtetë çudi që disa punonjës shteti janë hedhur në grevë.

Megjithatë, fakti është që greva ndodhi. U deshën nja dy dekada por ndodhi. Ka gjasa që kjo grevë të kalojë me shpejtësi në histori dhe të fashitet nga memoria jonë njësoj si greva e mësuesve dy dekada më parë. Por ka gjasa që kjo të jetë greva e parë në një seri të gjatë grevash. Shqiptarët kanë shumë arsye për të protestuar, nga fakti që paratë e tyre bëhen koncesione të pavlera te fakti që partia të jep punë e partia të heq nga puna. Ku i dihet, ndoshta Rama një ditë mund të mburret se atij i takon merita që krijoi kushtet për greva punëtorësh./BIRN