Granoff “Qytetar Nderi” i Tiranës Basha: Mbështetje për biznesin

567
Sigal

Bashkia e Tiranës i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” presidentit të Fondacionit shqiptaro-amerikan të Zhvillimit dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit Michael Granoff.
 
Ky titull i është dhënë Granoff me motivacionin: “Për kontributin e tij të vlefshëm në transformimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës, përmes mbështetjes së ndërmarrësve të rinj, ndihmës për përmirësimin e klimës së biznesit dhe asistencës për mbrojtjen e trashëgimisë urbane e kulturore të qytetit të Tiranës”.

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka vlerësuar ndihmën e madhe që Granoff i ka dhënë Bashkisë së Tiranës, duke veçuar ngritjen e fondit prej 5 milionë eurosh për ndërmarrjet e reja të biznesmenëve të rinj si dhe financimin e projektit për rehabilitimin e sheshit “Avni Rustemi” dhe tregut rrethues në këtë zonë, njohur si zona e Pazarit të Ri.
 
“ Përmirësimi i klimës së biznesit në kryeqytet është dhe mbetet në krye të axhendës së Bashkisë së Tiranës edhe këto kohë të vështira, ku situata ekonomike e lidhur drejtpërdrejt me klimën e biznesit është më pak premtuese se ç’do dëshironim të gjithë ne, mbetet objektiv kryesor dhe unë i jam shumë mirënjohës Fondit shqiptaro-amerikan të Zhvillimit, Fondacionit amerikano-shqiptar të Zhvillimit për ndihmën e çmuar që na kanë dhënë dhe vazhdojnë të na japë për një klimë miqësore të biznesit në qytetin e Tiranës, për më shumë shanse për punësim, më shumë shanse për investime, në veçanti për rininë e kryeqytetit” – deklaroi Basha.
 
Granoff bëhet i pesti personalitet që kryebashkiaku Basha i akordon këtë titull.
 
Me herët janë shpallur “Qytetar Nderi të Tiranës”, Emiri i Katarit, Kryeministri i Kuvajtit, ish zv – presidenti i Komisionit Europian dhe ish – ministri i jashtëm i Italisë Franco Frattini e së fundmi, Papa Françesku.