Gjykata Kushtetuese rrëzon (për formalizëm) KKT-në për ndërtimet pa leje

498
Sigal

 Qytetarë dhe subjekte ndërtimi drejt gjykatave për të kërkuar nga qeveria dëmshpërblim

Dje, Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi kërkesën e Shoqatave e Bashkive të Shqipërisë, rrëzoi vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, datë 22 gusht 2014, për pezullimin e të gjitha lejeve të ndërtimit, që jepen nga bashkitë dhe komunat. Vendimi i KKT-së, në atë kohë u cilësua nga vendorët si cenim dhe asfiksim i drejtpërdrejtë i autonomisë së pushtetit lokal, ndaj ata iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që të shfuqizonte si antikushtetues  atë vendim absurd të ndërprerjes së dhënies së lejeve të ndërtimit.

Gjykata Kushtetuese palë me qeverinë. Dëmi ekonomik i pa llogaritur

Qeveria, thjeshtë për interesa të saj partiake, duke qenë se donte që të bënte bllokazh ndaj lejeve të dhëna nga Bashkia e Tiranës, (pasi të gjitha bashkitë e tjera janë me kryetarë socialist), në fundgusht të 2014-s me një vendim të Këshilli Kombëtar të Territorit, pezulloi të gjitha lejet e ndërtimit, të personave fizikë dhe subjekteve juridikë, që jepeshin nga bashkitë dhe komunat, me një afat deri në mbarim të zgjedhjeve të pushtetit vendor. Gjykata Kushtetuese, qëllimisht e zvarriti kërkesën e Shoqatave e Bashkive të Shqipërisë, të cilat, nga ana e tyre, menjëherë reaguan kundër vendimit të KKT-së dhe nuk e gjykoi menjëherë. Pasojat e këtij vendimi të qeverisë ishin të ndaloheshin arbitrarisht dhe të ngrinin të gjitha ndërtimet, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, pasi ndërtimi është ekonomia që ka peshë mjaft të madhe dhe ndërthuret edhe me degë të tjera të ekonomisë. Persona që kishin marrë leje ndërtimi, si edhe subjekte që kishin paguar paraprakisht studimet, lejet e nxjerra dhe taksat që lidhen me procesin deri te marrja e lejeve të ndërtimit, pësuan dëm të madh ekonomik, por edhe punëtorë që mbetën pa punë, si edhe tregtia që lidhet me ndërtimin, pësuan shok ekonomik.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, formal
Edhe pse e shfuqizon vendimin e KKT-së , ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është formal, për  shkak se është humbur shumë kohë dhe dëmi ekonomik është i pakthyeshëm. Por, nga ana tjetër, në 1 tetor 2014 ka hyrë në fuqi ligji i ri i Urbanistikës, por faktikisht dhe praktikisht është në ngrirje veprimi i tij, pasi qeveria ende nuk ka nxjerrë asnjë akt nënligjor që të rregullojë dhe ta bëjë të zbatueshëm këtë ligj. Asnjë justifikim nuk ka për qeverinë mos nxjerrja deri tani i akteve nënligjore të ligjit të ri të Urbanistikës. Por qeveria qëllimisht nuk i nxjerr këto akte nënligjore, që të kalojë afati kohor deri në zgjedhjet vendore dhe atëherë me logjikën e qeverisë, pasi të ketë hedhur në dorë bashkitë më të mëdha, (sipas parashikimeve elektorale të qeverisë).

Ankesat  për dëmshpërblim drejt gjykatave

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin e KKT-së për të bllokuar lejet e ndërtimeve, është praktikisht një dëmshpërblim moral për qytetarët dhe subjektet që u dëmtuan ekonomikisht. Pasi në këtë vendim, nuk parashikohet që qeveria të dëmshpërblejë ata që u prekën nga ndalimi i ndërtimeve.  Qytetarët dhe biznesmenët, përgatitin kërkesën e tyre për  dëmshpërblim në gjykatat e shkallës së parë, për dëmin ekonomik që u është shkaktuar nga një vendim i KKT-së, që u vlerësua nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues. Qytetarët dhe subjektet, deri në momentin e ngrirjes së lejes së ndërtimit, kanë shpenzuar shuma të mëdha pasi kanë bërë studimin urbanistik, kanë marrë sheshin e ndërtimit dhe është miratuar nga enti përkatës i bashkisë apo komunës, mbështetur edhe në planin urbanistik ekzistues, qoftë ai i kaluar, qoftë edhe ai i riu që sapo është miratuar, por është bllokuar se hyri në fuqi vendimi i 22 gushtit 2014 I KKT-së dhe presin të marrin lejen e ndërtimit. Ky vendim arbitrari i qeverisë nga KKT-ja,  ngre shumë pikëpyetje, sepse kjo periudhë quhet e ligjshme nga Gjykata Kushtetuese, kryetari i Bashkisë ose i Komunës e firmos, sepse vendimi ishte në pritje, në ngrirje.

 Shoqata e Bashkive: Qeveria të plotësojë aktet nënligjore të ligjit të ri të Urbanistikës

Sipas Shoqatës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ashtu si edhe vendimi i mëparshëm për kompetencat e INUK, konfirmon dhe njëherë se aktet e sipërcituara qeveritare janë marrë duke uzurpuar, shkelur dhe dhunuar autonominë e qeverisjes vendore dhe përcaktimet ligjore e kushtetuese. “Për fat të keq, mosrespektimi i këtyre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, praktikat në vijimësi të qeverisë Rama, në kundërshtim të plotë e të hapur me këto vendime si dhe me ligjet dhe dispozitat kushtetuese që sanksionojnë autonominë e pushtetit vendor, kanë cenuar dhe vazhdojnë të cenojnë rëndë mundësitë e qeverisjes vendore për të ofruar shërbime dhe investime për qytetarët. Ndonëse Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë vendimin për pezullimin e lejeve zhvillimore ato mbeten të bllokuara. Kjo sepse ndonëse ligji i ri për urbanistikën ka hyrë në fuqi që nga 1 tetor 2014, qeveria vazhdon të mos plotësojë aktet nënligjore duke pamundësuar në këtë mënyrë zbatimin e ligjit. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i bën thirrje kryeministrit të përmbushë detyrimet ligjore dhe kushtetuese dhe të ndalë praktikat antiligjore dhe antikushtetuese të shkeljes dhe dhunimit të autonomisë vendore.

 Flet për Telegraf

Av. Idajet Beqiri: Çdo subjekt i dëmtuar ka të drejtë t’i paraqesë padi për shpërblim dëmi gjykatës

I pyetur nga “Telegraf”, se çfarë mundësish kanë tani , pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qytetarët dhe subjektet që janë dëmtuar ekonomikisht nga vendimi i KKT-së, Av. Idajet Beqiri u përgjigj: “Ligji i ri për Urbanistikën ka hyrë në fuqi. Nëse nuk është shoqëruar me akte nënligjore, kjo përbën një përgjegjësi morale për qeverinë, por jo përgjegjësi administrativo-civile. Aktet nënligjore duhen harmonizuar me këtë ligj si dhe me ligjet dhe aktet e tjera nënligjore, duan kohën e vet që të hartohen për t’u bërë të zbatueshme. Ndërsa shfuqizimi i vendimit të KKT prej Gjykatës Kushtetuese i ka efektet e menjëhershme, çka do të thotë që bashkitë dhe komunat tashmë e konsiderojnë atë “nul”, domethënë të pa qenë. Rast pas rasti, komunat dhe bashkitë do vlerësojnë kërkesat për dhënien e lejes së ndërtimit për subjektet kërkuese. Në rast se KKT nuk do të jetë dakord me ndonjë leje të dhënë, ka instrumentet ligjore për t’i kundërshtuar. Sikurse ndërtuesve apo subjekteve të tjera, që do u mohohet e drejta e dhënies së lejeve të ndërtimit, kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatave administrative për të zgjidhur konfliktin. Kjo do të thotë që nga ndërprerja e lejeve të ndërtimit me një akt normativ, tani ky akt nuk ekziston më dhe jemi në rrugën e normalitetit të përditshëm të zbatimit të ligjit që është në fuqi. Përgjegjësia materiale është individuale. Çdo subjekt i dëmtuar ka të drejtë t’i paraqesë padi për shpërblim dëmi gjykatës, duke provuar ekzistencën dhe shumën e këtij dëmi. Pra kjo është çështje fakti, nuk është përgjegjësi globale..

 Petraq Barjami