Gjermania pranon Maqedoninë, Shqipëria të plotësojë kushtet

129

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, ka folur lidhur me anëtarësimin e  Shqipërisë në BE.

Në Forumit Ballkanik Kundër Antisemitizmit, ai deklaroi se negociatat do të hapen me Maqedoninë e Veriut, ndërsa për Shqipërinë theksoi se do të bëhet, nëse kushtet do të plotësohen.

“Ne hapëm dyert për bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi në plan që Konferencën e Parë të Anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut ta mbajmë para mbylljes së Presidencës Gjermane. Dhe – nëse kushtet do ta lejojnë – edhe me Shqipërinë”, – deklaroi ministri i Jashtëm i Gjermanisë.

Duke folur për të rinjtë, emigracionin dhe sfidat demografike të Ballkanit Perëndimor, ai theksoi se migracioni nuk mund të ndalet.

“Është në interesin tonë të përbashkët strategjik, që vendet tuaja të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Aty është vendi i tyre. Aty shumica e të rinjve tuaj duhet të shohin të ardhmen e tyre. Dhe nëse BE nuk vjen tek ata, do të jenë ata që do të shkojnë në BE. Numrat flasin vetë. Në vitin 2001, para se të bashkoheshin me BE-në, 75 për qind e të rinjve rumunë donin të largoheshin prej vendit të tyre. Sot, dy të tretat e tyre dëshirojnë të qëndrojnë. Shpresojmë të shohim të njëjtin zhvillim edhe në Ballkanin Perëndimor”, – tha ministri i Jashtëm gjerman.

Për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, deri tani janë katër vende që janë shfaqur skeptike. Bëhet fjalë për Francën, Holandën, Danimarkën dhe Spanjën. Madje, parlamentin holandez ka kërkuar më shumë prova për plotësimin e kushteve, duke i drejtuar disa pyetje qeverisë shqiptare.