Gjergj Papa: Uniteti i të rinjve dhe brezit të vjetër, forca e PD-së

449
Sigal

Gjergj Papa, kryetari i PD-së për rrethin e Korçës, në intervistën për “Telegraf”, flet për startin e fushatës së zgjedhjeve të strukturave bazë të PD-së.  Konkretisht, duke iu referuar rezultatit të 23 Qershorit, duke analizuar dhe evidentuar edhe shkaqet që sollën humbjen e PD-së, zoti Papa, thotë se gërshetimi i brezave të rinj dhe të vjetër dhe afrimi i njerëzve intelektual dhe të gjithë atyre që gëzojnë reputacion në popull, do të jenë garancia e PD-së, për t’u përgatitur sërish, që të jetë protagoniste e fitoreve politike.

– Zoti Papa, cili ishte rezultati i zgjedhjeve të 23 Qershorit në Qarkun e Korçës? Po çfarë rezultati kishit në 2009?

– Në zgjedhjet e 23 Qershorit, në Qarkun e Korçës, PD-ja fitoi 5 mandate deputetësh, nga 12 gjithsej. 6 mandate i fitoi PS-ja dhe 1 LSI-ja. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2009, kemi humbur vetëm 1 mandat, pra nga 6 në 5.

 – Ajo pjesë e elektoratit, që deri para 23 Qershorit ju kishte mbështetur në Qarkun e Korçës  dhe nuk ju mbështeti në këto zgjedhje, keni idenë për kë forcë politike votoi?

– Vetë rezultati tregon që një pjesë e elektoratit tonë në vitin 2009, këtë herë ka votuar kryesisht përLSI-në.

 –  Deri tani, në strukturat e PD-së, të Qarkut të Korçës, janë bërë analizat e rezultatit të zgjedhjeve të 23 Qershorit?

 – Jo, deri tani nuk është bërë analiza e  rezultatit të zgjedhjeve të 23 Qershorit. Kjo jo për neglizhencë, por për faktin se ishte parashikuar që analiza, identifikimi i shkaqeve të humbjes, të ishin të lidhura me fushatën e zgjedhjeve të reja në strukturat e PD-së. Pra, fushata e zgjedhjeve të reja në strukturat e PD-së, do të zhvillohet në dy faza.  Në fazën e parë, nëpërmjet një diskutimi të lirë dhe të hapur, në çdo seksion, ku do të përfshihen të gjithë anëtarët e PD-së, do të zhvillohet analiza e rezultatit të zgjedhjeve të 23 Qershorit. Qëllimi i kësaj analize nuk do të jetë aspak diskutimi i vogëlsirave dhe shfryrja e hatërmbetjeve personale. Përkundrazi, do të evidentohen dhe  analizohen gabimet e bëra dhe shkaqet e humbjes, me qëllim që këto të korrigjohen në punën e mëtejshme të PD-së, të kihen parasysh në sjelljen tonë politike në vazhdimësi, me synim fitoren e zgjedhjeve vendore të vitit 2015 dhe zgjedhjeve politike më pas. Në fazën e dytë do të zhvillohen zgjedhjet në të gjitha strukturat e PD-së, në përputhje me statutin. Pa dyshim, që faza e parë do të jetë në funksion të fazës të dytë, pra në funksion të zgjedhjes të drejtuesve të rinj.

– Tashmë, nga dje ka filluar edhe zyrtarisht fushata e zgjedhjeve të strukturave të PD-së. Për rrethin tuaj, si do të ndërtohet kjo fushatë?

– Tashmë jemi në pritje të daljes të udhëzimit të departamentit të organizimit të PD-së, ku do të përcaktohen të gjitha detajet e zhvillimit të saj.

 – Cili do të jetë pikësynimi i kësaj fushate?

– Pikësynimi ynë është  fitorja e zgjedhjeve vendore të vitit 2015 dhe zgjedhjeve politike më pas.

– Cila është më e vështira, për një fushatë zgjedhjeje të strukturave të partisë,  pas një humbjeje të madhe elektorale?

– Zgjedhja e drejtuesve të rinj, me nivel të lartë intelektual dhe politik dhe që gëzojnë reputacion në komunitet, si dhe krijimi i besimit në fitoren e PD-së, në përballjet e ardhshme elektorale.

 –  Parë në këtë prizëm,  si mund të konkretizoni atë ide që hodhi si moto, kryetari i PD-së, Basha, që këto zgjedhje të strukturave të PD-së, do të kenë parësore  ribashkimin e  kontributeve?

– I gjithë ky proces shumë i rëndësishëm për PD-së, veç analizës dhe zgjedhjeve që përmendëm me lart,  do të ketë si pikësynim hapjen, zgjerimin e PD-së, afrimin e njerëzve të rinj.  Pa dyshim, afrimi dhe zgjedhja e njerëzve të rinj, nuk presupozon largimin, apo mënjanimin e kontribuuesve të vjetër në PD. Përkundrazi, uniteti dhe bashkimi i të gjithë anëtarëve të PD-së, të vjetër dhe të rinj do të përbëjë forcën dhe suksesin e këtij procesi.

– Ju do të jeni sërish kandidat për kryetar i PD-së, në rrethin tuaj? Janë bërë publike kandidaturat?

 – Të gjitha këtyre pyetjeve mund t’ju japim përgjigje pasi të dalë udhëzimi përkatës.

Ja përse humbëm në 23 Qershor

 Kini një imazh të qartë politik, përse elektorati në Qarkun e Korçës, nuk i dha votëbesimin së Djathtës në 23 Qershor?

– Dalja e të Djathtës në opozitë, ka arsye objektive dhe subjektive. Ndër arsyet objektive, do të përmendja rrotacionin e pushtetit, si shprehje të normalitetit dhe pjekurisë të demokracisë në vendin tonë, konsumimin e qeverisjes tonë 8  vjeçare, pasojat e krizës globale, mashtrimet e bujshme elektorale të kundërshtarëve tanë politikë, si dhe manipulimet dhe blerja e votës. Por arsyet objektive nuk e tërheqin aspak vëmendjen tonë nga arsyet subjektive që lidhen me të metat dhe gabimet tona, për të cilat ne, jo vetëm nuk e shmangim përgjegjësinë tonë, por do të jenë objekt i një analize të thellë dhe serioze në të gjitha nivelet e strukturave të PD, në seksione, grupseksione, konferencat e degëve dhe forumet qendrore.