Flasin protagonistët e Unionit Kristian: Ja përse u bashkuam

212

Para disa ditësh, të 4 partitë kristiano-demokrate, më në fund ranë dakord që të krijojnë Unionin Kristian. Të ndarë, demokristianët  u provua se rezultatet nuk mund të këtë, por përveç kësaj, kjo ndarje nuk u mbështet nga elektorati. Presioni i bazës demokristiane, por edhe ndërgjegjësimi i katër drejtuesve të subjekteve çoi në nisjen e negociatave, të cilat u konkretizuan me krijimin e Unionit  Kristian, i cili tani ka në gjirin e tij 2 deputetë,  z.Ndoka dhe z.Frroku, ka 438 këshilltarë në qarqe, Bashki e Komuna  dhe rreth 35800 vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, gjë që e bën Unionin të jetë subjekti i tretë e maxhorancës qeverisëse ose subjekti i katërt e opozitës. Për t’i shërbyer kësaj çështjeje, sot ky Union themelon  edhe senatin kristian.

Mark Frroku, deputet i Kristiandemokratëve: “Unifikimi dhe promovimi i vlerave kristiane”

Unioni Kristian Shqiptar është bashkërendimi i të gjitha forcave politike kristiane. Ka  një bazë filozofike kristiane, për t’i shërbyer më mirë vendit dhe të bashkërenditë disa nga çështjet tona që janë prezent.  Unioni Kristian është ruajtja dhe mbrojtja e vlerave kombëtare. Unifikimi dhe promovimi i vlerave kristiane. Përpunimi dhe prezantimi i filozofisë Demokristiane në politikën mbarë shqiptare. Harmonizimi i vlerave dhe ideve në lidhje me historinë tonë të përbashkët, orientimit fetar, traditës kulturore, origjinës dhe orientimit europian. Secila parti do të ketë identitetin e vet, programet politike në parimet themelore.

Zef Bushati, Kryetari i Unionit: “Të bashkuar, jemi më të fortë!”

Partitë tona propagandojnë vlerat politike të demokracisë kristiane dhe ideologëve të saj, në ndërtimin e Europës Perëndimore, si dhe në ndërtimin e BE-së. Ndarjet midis partive tona më tepër kanë qenë si rezultat i mosmarrëveshjeve që kanë patur drejtuesit e tyre, dhe që i kanë shtyrë ata të ndahen nga partia e parë demokristiane, e themeluar në dhjetor 1991 dhe të krijojnë parti më vete. Kjo ndarje çoi në copëtimin e elektoratit demokristian dhe në zbehjen e rezultateve dhe pakësimin e elektoratit.  Platforma jonë do t’i shërbejë vetëm dhe vetëm interesave të demokristianëve shqiptarë dhe asnjë subjekti tjetër politik. UDK me sloganin: “Të bashkuar jemi më të fortë”, do ndërmarrë aksione konkrete politike në shërbim të popullit, vendit dhe kombit tonë. Hapi i parë do të jetë një letër drejtuar Presidentit të Partive Popullore Europiane Kristian Demokrate  z.Joseph Daul, me anë të së cilës do kërkojmë që parlamentarët kristian demokrat të BE- së votojnë për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

 Nard Ndoka, deputet i PDK-së: Kodi Zgjedhor na detyron që të jemi të bashkuar”

Ideja e Unionit Kristian do të ishte një përfaqësim real për të gjithë demokristianët. Pengesa e Kodit Zgjedhor, që çdo parti e vetme e ka të vështirë që të përfaqësohet në Kuvend, në çfarëdo aleancë qoftë, na detyron që të bashkohemi në një union, pa u shkrirë partitë tona. Unioni ynë i hap rrugën reformimit dhe bashkëpunimit tonë. Ndërsa me kë forcë politike do të aderojmë si union, ky është një vendim që do të merret më vonë. Tani për tani, special parti politike demokristiane, që është pjesë e Unionit Kristian, do të vazhdojë të jetë në atë aleancë që është deklaruar para zgjedhjeve.