Naço qytetarëve: Jeta është e shkurtër, mos votoni atë që në katër vjet nuk mbajti çerekun e premtimeve

412
“Në 25 qershor LSI do jetë forcë e parë, jo vetëm në Qarkun e Beratit ku e ka të sigurt,por në të gjithë vendin. LSI ka ditur të qëndrojë në çdo qeveri”
Naço qytetarëve: Jeta është e shkurtër, mos votoni atë që në katër vjet nuk mbajti çerekun e premtimeve
Sigal

Alma Çuka

Ish-Ministri i Drejtësisë Nasip Naço njëherësh kandidat për deputet në Qarkun e Beratit, vjen me një rrëfim për këtë situatë për gazetën “Telegraf”. Puna si ministër, përpjekja për të rritur numrin e anëtarësisë së kësaj partie, bindja se forca që ai përfaqëson do dalë e para në këto zgjedhje dhe marrëdhënia me votuesin e kundërshtarët, janë disa nga pikat kryesore të kësaj interviste. Ai ka edhe një mesazh për të gjithë qytetarët. “Jeta është e shkurtër dhe në 25 qershor të gjithë duhet ta mendojnë mirë votën. Të mos ia japin atyre që kanë qenë në pushtet dhe i kanë gënjyer”. Për ish-ministrin e drejtësisë, bashkimi i dy partive të mëdha nuk mund të nxjerrë jashtë lojës politike LSI-në, por përkundrazi e forcon atë. Ndërkohë që LRI sipas tij është zemra e Lëvizjes Socialiste për Integrim. 
Pas ministrisë së Drejtësisë në Berat, si kandidat për deputet. Një rikthim në kuvend, si është situata, si e sheh, cilat janë ndjesitë tuaja?
Sigurisht që qenia ministër i drejtësisë ishte një eksperiencë shumë pozitive por dhe e vështirë për mua. Kjo duke pasur parasysh se një nga punët më të rëndësishme ishte reforma në drejtësi dhe së bashku me kolegët e mi projektuam reformën në drejtësi, e cila u zgjat në katër vjet dhe kujtoj që vetëm të hënën deputet votuan vetingun. Pra është një kurorëzim i kësaj reforme pozitive. Është hera e tretë që unë rikthehem në parlament. Unë nuk i kam shkëputur asnjëherë marrëdhëniet e mia nga qarku i Beratit, me votuesit e këtij qarku. Do të thosha se numri i anëtarësisë së LSI në këtë qark ka ardhur duke u rritur. Nga 2700 anëtarë që LSI ka pasur në vitin 2013 sot janë mbi 7 mijë anëtarë, pra është një rritje e konsiderueshme. Kjo rritje na ka bërë të besojmë, se ne në zgjedhjet e 25 qershorit do të jemi forcë e parë.
Objektivi juaj kryesor?
Objektivi ynë kryesor është të dalim forcë e parë politike në Qarkun e Beratit, pasi në vitin 2009 ne morëm 9 mijë vota, PS 45 mijë vota dhe PD 25 mijë vota, në vitin 2013, pati një rritje të konsiderueshme prej 60% ku ne arritëm në 22 mijë vota. Në zgjedhjet e 2015 ne qëndruam tek i njëjti numër votash, ndërsa Partia Socialiste zbriti në 25 mijë , Partia Demokratike në 13 mijë. Pra, nëse i referohemi rritjes dhe qëndrueshmërisë së LSI-së, padyshim që na bëjnë të besojmë, jo vetëm ne, por edhe skeptikët, se ne do jemi forcë e parë në këto zgjedhje. Kemi besuar dhe besojmë se LSI në Qarkun e Beratit është në avangardë. 
Po në qytetet e tjera si ndihet atmosfera, në një kohë kur kemi një lëvizje të beftë, atë të lidershipit të LSI-së?
Sigurisht që roli i lidershipit është shumë i rëndësishëm, por unë besoj, e jo vetëm unë se Ilir Meta diti të ndërtonte një parti që nga viti 2004 të rritej vit pas viti. Pra duket qartë se është një filozofi në shërbim të qytetarit, një filozofi e futur në të gjithë strukturat e LSI-së. Prioritet i është dhënë prej disa vitesh rresht dhe strukturave të LSI si LRI si pjesë e zemrës së saj. Nëse do e krahasonim me trupin e një atleti të shëndetshëm do të thosha se LSI është shtylla kurrizore, LGI krahët dhe LRI zemra që i jep energji pozitive gjithë strukturave të LSI. Duhet të them se nga 7 kandidatë që janë në qarkun e Beratit, 5 janë nga LRI. Pra LSI ka ditur të zgjedhë një ekip të mirë, nga njëra anë të rinjtë dhe nga ana tjetër një pjesë që janë me eksperiencë, për të bërë një lidhje organike mes brezit të ri dhe atyre me eksperiencë, me qëllim rritjen e LSI konsolidimin e saj dhe marrjen e një rezultati pozitiv. 
LSI e vetme në këto zgjedhje. Ku do të jetë pozicioni i saj, nëse del forcë e parë, por që nuk do arrijë dot të krijojë qeverinë?
Personalisht unë kam bindjen se në Qarkun e Beratit, LSI do dalë forcë e parë dhe besoj se kjo do të jetë trendi i votave në të gjithë Shqipërinë. Unë besoj se pas qeverisjes së dy partive të vjetra njëra 8 vjet dhe tjetra 4 vjet dhe tani u bënë të dyja bashkë, ka ardhur koha që qytetarët t’i japin nja shans LSI dhe kjo t’i jap një shans qytetarëve. Jo pa qëllim slogani jonë në këto zgjedhje është “T’u japim një shans të gjithëve!”. Besoj gjithashtu se jeta është shumë e shkurtër që qytetarët e Beratit dhe të gjithë Shqipërisë t’i besojnë votën një njeriu i cili e kishte katër vjet qeverinë dhe nuk bëri as çerekun e atyre që premtoi. Kështu duke parë se jeta është e shkurtër ne nuk mund t’i japim sërish shansin atij që ishte për të bërë të njëjtat gabime. Shpresoj që qytetarët të orientohen nga e ardhmja nga shpresa se ky vend do të bëhet.
Përse ka nevojë Shqipëria?
Shqipëria sigurisht që ka nevojë për një drejtësi të pavarur për të tërhequr biznesin. Kjo drejtësi ka qenë edhe para një viti kur investimet e huaja ishin në Shqipëri. Unë kam pasur fatin që, qoftë për hidrocentralin e Devollit dhe për projektin TAP, të jem pjesë e marrëveshjeve dhe ish-ministri i ekonomisë të firmoste këto projekte dhe, sigurisht që ato kalojnë nga një qeveri në një tjetër. Por në fund të fundit kjo ka të bëjë me taksat. Nëse biznesit i rrihet si xhandar te koka çdo ditë dhe nuk e lë të ngrejë kokën, i rrit taksat, natyrisht që ekonomia nuk ecën. Nuk rriten të ardhurat, nuk rriten pagat dhe, për pasojë do gjendet pastaj një armik, qoftë i jashtëm apo i brendshëm që nuk la qeverinë të punojë në katër vjet dhe ky është, vetingu. 
A keni një vlerësim për punën e qeverisë në këto katër vite. Pra kush ka humbur dhe kush ka fituar gjatë kësaj periudhe?
Sigurisht që nga viti në vit çdo qeverisje ndryshon edhe mund të përmirësohet. Unë mund të vendos edhe një notë, por në fund të fundit, nota është e qytetarëve në 25 qershor. Secili në mënyrë individuale dhe të gjithë bashkë i vendosin notën qeverisë, reformave, ministrave, mënyrës se si kanë qeverisur, koalicionit opozitës dhe shumë të tjerë. Por përveç fjalës, veting, fjala më e madhe që është përdorur shpesh ka qene fjala burg. Pra vetingu dhe burgu. Dua të them se me këtë binom kemi penalizuar gjithë shoqërinë. Do t’u tregoj një të fortë, e thënë pas zgjedhjeve të pushtetit lokal nga disa miq. Zoti Naço më tha – na i morët të gjithë votat në burg dhe përgjigja ime ishte e shpejtë, “Ne të LSI ditëm të ishim më pragmatistë se ju. Të burgosurve u vumë përpara programin e PS-PD-LSI dhe ata programin e LSI e kuptuan më shpejt”. Pra do të them se, si nga unë që ish -ministër i drejtësisë ashtu edhe nga kryetari i Kuvendit, fjala ‘burg’ është përdorur kur duhej dhe jo për çdo gjë. Unë besoj se kryeministri i vendit, nëse e analizojmë fjalën e tij, atë të ministrit të brendshëm apo të ministrave të tjerë në këto katër vjet ju siguroj de do të gjeni shumë rrallë fjalën ‘luftë’ kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 
Kjo ka qenë dhe një nga shtyllat kryesore mbi të cilat u ndërtua programi i qeverisjes së kaluar. Tashmë jemi pothuaj në të njëjtën pozitë?
Nuk mund të flas me shifra konkrete, por mbaj mend shifrat e para vitit 2013 që rastet e korrupsionit në tre vitet e fundit 2011, 2012 dhe 2013 nuk i kalonin 30 apo 40 të dënuar për korrupsion dhe ky ishte një rast spekulativ sepse dhe ai që ishte i dënuar për 10 mijë lekë quhej rast korrupsioni. Nuk besoj që shifrat do të jenë të mëdha për shkak të orientimit që u është dhënë strukturave të specializuara që luftojnë krimin e organizuar. Unë që në ditët e para të punës sime si ministër për të luftuar korrupsionin hapa portalin “Stop Korrupsionit”. Në një vit kishim 40 raste të korrupsionit në 15 raste i jam drejtuar prokurorisë dhe kemi gjyqtar, prokuror të arrestuar në dy vitet e para. U bënë ndryshimet në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale ku rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar hetoheshin dhe gjykoheshin nga krimet e rënda. Fakti që vetëm dy vitet e para kemi shifra dhe fakte dhe vitet e tjera u shpik fjala vetting do të thotë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u harrua. 
Nëse do të riktheheshe sërish në Ministrinë e Drejtësisë, çfarë do të bëje ndryshe? 
Unë do të doja të ndaja me ju dhe nëpërmjet jush me të gjithë qytetarët, që kam qenë larg premtimeve butaforike. Gjatë kohës që kam qenë në detyrë kam pasur mbështetjen e të gjithëve përfshi dhe ndërkombëtarëve dhe shifrat për punën time flasin vet. Kjo pavarësisht nga qëndrimi që mbante Këshilli i Lartë i Drejtësisë që në pjesën më të madhe ishte frenues. Reforma po ta shikoni e ka shkrirë KLD, e ka hequr nga sistemi mënyrën e funksionimit të prokurorisë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë e të institucioneve të tjera. Ndonëse kam qenë i mënjanuar por nuk kam parë raste që KLD të ketë ndëshkuar gjyqtarët.
Kthehemi në fushatë. Çfarë u premton Nasip Naço votuesve të tij?
Kam premtuar se do të jem pranë qytetarëve t’u shërbejmë atyre me një program realist për të rritur pagat e pensionet. Të hapim vende të reja pune dhe të mbështesim biznesin në Qarkun e Beratit. Po ju them vetëm një rast. Nëse vite më parë në ish-Kombinatin Tekstil punonin 10 mijë punonjës sot aty janë rreth 7-8 mijë punonjës, në ambientet e tij në sektorë të ndryshëm. Këta qytetarë meritojnë më shumë. Unë nuk bëj premtime butaforike. Nuk mund të them se do të bëj një ishull në Berat, do të bëj një tunel përmes Beratit që të mos ndotet ambienti. Por unë do të jem pranë tyre çdo ditë për t’i ardhur në ndihmë, për të hapur një biznes, pasi Berati është një qytet turistik, qytet i kulturës 2400 vjeçare, ka ditur të mbijetojë, i gdhendur ashtu në gur dhe investimi në infrastrukturë ka bërë që turizmi në Berat të pësojë rritje. Do t’u them një fakt. Në 2011, Kalanë e Beratit e vizitonin 25 mijë turistë dhe në 2012 ky numër ra në 20 mijë. Ka qenë përpjekja ime dhe këmbëngulja në Kuvend për të fituar investimin në rrugë, e cila filloi që sot ka mbaruar e tani Kalanë e Beratit e vizitojnë rreth 60 mijë turistë në vit. Do përmendja këtu dhe kanionet e famshme të Skraparit, të cilat tërheqin me mijëra turistë në vit. Unë jam i ndërgjegjshëm që përmirësimet nuk vijnë në një ditë, por me një plan afatgjatë dhe të konsoliduar gjithçka mund të realizohet. 
Me kë e sheh veten LSI pas zgjedhjeve?
Por ne kemi provuar se kemi qëndruar mirë në të dy qeveritë, si me të djathtën dhe me të majtën. Kemi parë që këtë radhë, të dy palët janë të kënaqur që nuk na kanë në krahë.
Mos është një taktikë për të larguar LSI-në nga skena politike?
Nuk besoj që duke u mbledhur të dy do të largojnë LSI nga skena politike. LSI nuk është më ajo parti e vogël. Ne jemi rritur. Fakti që nga 5 bashki në Qarkun e Beratit tre administrohen nga LSI do të thotë se jemi forcë madhe. Ne dimë ta marrim pushtetin por dhe dimë ta administrojmë atë. Qytetarët do votojnë në 25 qershor dhe ata e dinë mirë se kë duhet të zgjedhin. 
Një mendim për ministrat e rinj të sapo ulur në radhët e qeverisë së vjetër?
Godinat janë dy-tre-katër kate dhe ata gjatë kësaj kohe s’do kenë mundësi të ngjiten aq lart. Them se ata gjithashtu nuk do kenë mundësi të hapin letrat në 20 ditë. Në dijeninë time ministri mund të ndryshojë që në ditën e parë të tij kabinetin prej 7 apo tetë personash.
Si mund të bëhet kontrolli i pjesës tjetër të administratës për të mos e lejuar të përfshihet në fushatë?
Është pjesë e kontrollit politikë. Secili duhet të bëjë punën e vet dhe kur një ministër shikon që procedura shkelet hapur ai ka të gjithë të drejtën për të filluar procedurat për shkarkimin dhe vendosjen e tij përpara ligjit. 
Kemi dhe një ashpërsim të ligjit për vjedhjen e votës?
Gjeja më e mirë një arritje shumë madhe dhe kjo ndoshta është meritë e opozitës, pra një meritë do i jap opozitës në këtë rast. Pasi opozita e sotme dhe mazhoranca e djeshme e di se njerëzit e saj çfarë kanë bërë dhe kanë pasur një masë mbrojtëse. LSI as dje as sot as nesër nuk ka blerë vota dhe nuk ka bërë presion dhe është e vetmja forcë që në vitet e fundit vetëm rritet e do të vazhdojë të rritet .
Ilir Meta në krye të shtetit?
Unë do thosha se Ilir Meta në këto vite është sprovuar si politikan është një burrë shteti që vajti në krye të shteti jo vetëm për stabilitetin por për të përdorur fuqinë dhe energjinë e tij për stabilitetin në rajon. Ai ka eksperiencën e duhur. Ka qenë kryeministër, zv-kryeministër, Ministër i Jashtëm, Kryetar i Kuvendit. Pra i ka mundësitë për të qenë një njeri aktiv jo vetëm në 12 qarqet e vendit por në të gjithë rajonin. Kam pasur fatin të bashkëpunojë në këto 8 vite me Ilir Metën dhe mund t’iu them se nëse unë bëj 10-100-200 telefonata në ditë, Ilir Meta bën 2 mijë telefonata në ditë. Mban kontakte të vazhdueshme me të gjithë qytetarët dhe simpatizantët e jo vetëm. Do jetë një nga kryetarët e shtetit më aktiv dhe jua them sinqerisht se nuk do të dallohet se ku fillon kryetari i shtetit dhe ku fillon kryeministri. 
A keni një mesazh për qytetarët?
Unë i them qytetarëve shqiptar se në 25 qershor duhet të shkojnë të qetë për të votuar. Të votojnë për të ardhmen, për rininë, për ëndrrat e tyre por dhe të mendohen para se ta hedhin votën. Ata duhet të kuptojnë se jeta është shumë e shkurtër dhe ata nuk mund të bëjnë prova t’i japin shansin një njeriu disa herë. Ata duhet t’i japin shansin një force tëre politike, një forcë që di të mos bëj gabimet e të tjerëve por të eci përpara dhe të zbatojë programin. Në fund të undit shqiptarët e meritojnë këtë. 
Do të them edhe një gjë të fundit për qytetarët.
Qytetarë të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë! Mendohuni kur të votoni të mos u jepni votën atyre që ju kanë gënjyer gjithë këto vite.