Shkurtohen mbi 30.000 nëpunës, operacion pa narkozë ndaj strukturave shtetërore

421
Sigal

Zbardhet plani i fshehtë i qeverisë “Rama 1” për administratën publike, pas 1 janarit 2014

Akuza e PD-së, se shtyrja për 6 muaj e ligjit “Për nëpunësin civil”, bëhet për t’i dhënë mundësi qeverisë që të spastrojë administratën publike nga nëpunësit e sotëm, për t’i zëvendësuar me militantët e saj, është gjysma e së vërtetës. Por, ajo që ende nuk është thënë, por qeveria po merr masat që ta zbatojë në fshehtësinë më të madhe, është se po merren masat që administrata publike do të shkurtohet 28 %.

Qeveria nuk paguan rrogat e nëpunësve dhe pensionet e invalidëve

Tashmë Kryeministri, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë, pranojnë publikisht, se gjendja financiare e arkës së shtetit është tejet e vështirë. Thënë troç, shteti nuk ka më para që të paguajë as rrogat e nëpunësve, as pensionet dhe ndihmesat sociale për invalidët. Ende nuk janë paguar rrogat e mësuesve, të mjekëve e infermierëve. Ende nuk janë paguar pensionet e invalidëve, edhe pse kryeministri u premtoi që do t’u paguajë në fund të vitit pensionet e muajit dhjetor, ndërsa ato të muajve të mëparshëm, u ka dhënë premtimin, që do t’i paguajë në …2014-n, pa u thënë se në kë muaj.

Shkurtime, të kamufluara me gjoja …ristrukturim organike

Në të gjitha hallkat e administratës publike, tashmë, pjesë-pjesë shkurtohen me dhjetëra e dhjetëra nëpunës, me pretekstin se do të bëhet një ristrukturim i organikës  së administratës. Kështu ka ndodhur në Ministrinë e Brendshme, ku deri tani janë shkrirë sektorë të tërë, sikurse edhe Garda e Republikës, seksionet e luftës kundër krimit ekonomik, policia rrugore, por edhe forcat speciale të ndërhyrjes së shpejtë, të cilat, nga 98 që ishin, u shkurtuan brenda një dite gjysma e tyre, për shkak të …ristrukturimit. Po kështu ndodh edhe në spitale, ku shkurtohen vendet e punës të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë. Kjo “reformë” e shkurtimit të vendeve të punës, nuk është kursyer as një shërbimin diplomatik. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, pardje, pranoi, që për shkak të mungesës së fondeve, do të mbyllen shumë ambasada shqiptare dhe do të shkurtohet edhe personeli i ambasadave, në ato që do të mbeten, ende të hapura.

“Fshesë” e madhe edhe në pushtetin vendor

Në fundvitin e 2013-s, ministri për Çështjet e Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi ka pranuar se do të paraqesë një projekt të riorganizimit të pushtetit vendor. Me fjalë të tjera, thënë më shkoqur, do të shkurtohen, gati në gjysmën e numrit të sotëm, komunat, bashkitë dhe qarqet. Pavarësisht, justifikimeve dhe etiketimeve, marketingut politik, që do të shoqërojë këtë reformë të pushtetit vendor, një gjë është e vërtetë. Do të shkurtohen me mijëra vende pune.

30.000 nëpunës flaken në rrugë

Qeveria e Ramës, e ndodhur përballë një gjendje të vështirë financiare, pasi arka e shtetit është bosh, ka vendosur që pas 1 janarit 2014, të shkurtojë gjithë administratën shtetërore në 28 %. Me fjalë të tjera, do të flaken në ushtrinë e papunësisë mbi 30.000 nëpunës. Jo pa qëllim, qeveria vendos që këtë fshesë të madhe në administratën publike, ta bëjë pas 1 janarit 29014. Atëherë, Shqipëria e ka marrë statusin e kandidatit, dhe, sado zhurmë, politike që mund të bëhet- që edhe kjo mundësi është e pakët- askush nuk do të shqetësojë dot më qeverinë, që ta vërë atë përballë përgjegjësive të saj. Në fakt, jo më kot, qeveria ngutet që në këtë operacion – pa narkozë- që do të ndërmarrë kundër administratës publike, të ketë edhe asistencën eFMN-së. Edhe në rast se do të ketë reagime e kundërshtime ndaj kësaj fshese të administratës publike, qeveria e ka gati, justifikimin. Do të thotë: Kjo është këshilla, dhe kushti që na ka vënëFMN-ja, për të dhënë ndihmesat e saj financiare. Edhe pse do të flaken në rrugë mbi 30.000 nëpunës, shteti për vitin 2014 nuk ka parashikuar asnjë rritje rroge për nëpunësit e tij.

 Qeveria do të ulë performancën e shërbimit ndaj qytetarëve

 Për të patur një shërbim të cilësuar të administratës shtetërore, duhet të ketë një numër të caktuar të saj, në raport edhe me popullsinë. Kështu, në rastin e Shqipërisë, kjo administratë publike, duhet të jetë në parametrat e 120.000 nëpunësve, duke u bazuar edhe në përvojën e administratave të vendeve të BE-së. Në fakt, sot administrata publike ka 105.000. Mirëpo, një nga “këshillimet” e FMN-së për qeverinë “Rama1”, është edhe reduktimi i administratës publike, për të ulur sadopak shpenzimet. Ndërkohë, që administrata jonë, që të funksionojë me performancë në shërbimet ndaj qytetarëve, duhet të ketë më shumë se sa është numri aktual i administratës publike. Pra, do të ketë mbi 35.000 nëpunës më pak, se sa duhet. Kjo do të thotë, që qeveria, duke flakur edhe 30.000 nëpunës të shtetit, do të ulë performancën e shërbimit që do t’u kryhet nga shteti qytetarëve. Ndaj, në vend të kujës, do të këndohet refreni i këngës: “Moj kasolle, ku na mblodhe!”