Gjata: Qeveria e lidhur me krimin, përgjimet mund të përdoren politikisht në mënyrë abuzive

473
Sigal

“Kushtetuta ngarkon vetëm prokurorinë për të bërë përgjime, jo policinë”.- shprehet sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Çlirim Gjata.

I ftuar në Ora News, juristi është shprehur se nëse policia përgjon pa urdhër të prokurorisë, atëherë këto përgjime do t’i bëjë Rama dhe Lleshaj.

Sipas tij, kjo mund të çojë në abuzime, pasi këto përgjime mund të përdoren politikisht dhe në mënyrë abuzive.

“Kushtetuta ngarkon për të ndjekur që vetëm prokurorinë, gjykata është e vetmja që jep drejtësi. Policia mund të bëjë përgjigje teknike, por pasi merr urdhër nga prokurori. T’i japësh policisë të përgjojë pa urdhrin e prokurorit, atëherë kjo të thotë se kjo varet nga ministri i Brendshëm dhe Kryeministri. Tani përgjimet i bën Sandër Lleshaj dhe Edi Rama. Policia ka shumë përgjime, por nuk ia jep prokurorisë, sepse rrezikohen politikanë. Policia më parë lajmëron kriminelët shiko se do t’ju përgjojmë se sa ia çon prokurorisë. Duhet lënë prokuroria në kushtetuetshmëri”, u shpreh Gjata.

Gjata ka shtuar se Prokuroria i trembet më shumë politikës se sa krimit.

“Prokuroria ka qenë e kapur, i trembej më shumë politikës se sa krimit, sepse ata të shesin. Kjo mazhorancë bleu zgjedhjet, krimi i organizuar i lidhur me politikën. Kjo qeveri po bën ligje për të luftuar krimin, por ajo është e lidhur me krimin vetë. Kjo është bërë që të vihet SPAK-u nën urdhrat e ministrit të brendshëm, kur duhet të fuste brenda ministra. Po i vë gjoba biznesit, sepse mund ta konfiskojë dhe ti vërë gjoba pa urdhrin e prokurorisë. Po ashtu po e bën në kundër show elektoral. Ata po investojë miliona në kulla, në miniera, në asete, kurse t’i po i konfiskon një makinë”,  tha zyrtari i PD.

Policia e Shtetit pritet të fitojë të drejtën për të kryer përgjime ambjentale, përgjime telefonike apo fotografime e video të personave që ajo gjykon se kanë duke kryer një vepër penale, pa pasur nevojë të pajisen me autorizim nga prokuroria ndërkohë që dy drejtuesit më të lartë të prokurorisë kthehen në vartës të Ministrit të Brendshëm, sipas propozimeve të kryeministrit Edi Rama për ndryshime në ligjin aktual për Policinë e Shtetit.

Autorizimi i policisë për të kryer përgjime shoqërohet me instituimin e një koncepti të ri të quajtur “procedim policor”, si dhe me krijimin e një Komiteti në të cilin, dy drejtuesit e shërbimeve të prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, do të duhet të raportojnë te Ministri i Brendshëm.

Propozimet për ndryshime në këtë ligj janë bërë nga Këshilli i Ministrave dhe depozituar në Kuvendin e Shqipërisë.