Gëzim Zilja: Opozita duhet të padisë qeverinë shqiptare në SPAK, për aferat e fshehta për Portin e Durrësit me arabët e ALAMAR-it

116
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Katër vjet pas fitores së demokracisë, SHBA projektuan që Porti i Durrësit të bëhet nga më të mëdhenjtë në Ballkan

Katër vjet pasi në Shqipëri ishte përmbysur diktatura komuniste, superfuqia botërore, me anë të presidentit të saj Bill Klinton, propozoi në vitin 1996, Korridorin e Tetë, një projekt shumë i gjerë, që përmbante brenda tij porte, aeroporte, hekurudha, gazësjellës, etj. Rrjeti rrugor përfshinte Burgas-Varna-Sofje, zbriste në Shkup, dilte në Qafë-Thanë, Elbasan- Tiranë nga Qafë Kërraba e mandej në Durrës-Rrogozhinë-Lushnjë-Fier-Vlorë, së bashku me aksin Tiranë – Bllatë, ndryshe rruga e Arbrit. Korridori i Tetë deri në përfundim do të kalonte në tre faza: 1998-2003, 2003-2010 dhe 2010-2020. Shkurt ky ishte projekti i parë ekonomik amerikan për Shqipërinë demokratike të sapolindur.

“Ndërtimi i Portit të ri në Porto Romano kërkon të paktën dhjetë vjet(vetëm studimi i fizibilitetit kërkon një vit e gjysmë) dhe nuk plotëson kushtet për vetë pozicionin gjeografik të portit ekzistues”

Për t’u marrë me këtë projekt, ku si fillim i Korridorit do të ishtë Porti  Durrësit, SHBA-të,  ngarkuan TDA-në, Agjencia e Zhvillimit të Tregëtisë. Financimi do të bëhej nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Nga ana e SHBA-së për realizimin e këtij projekti u krijua kompania ‘AMBO’. Për studimin e fizibilitetit dhe projektet, u caktua firma amerikane ‘Bechtel’. Financimi ishte grand amerikan prej 30 milionë dollarësh, një pjesë e të cilave do të përdoreshin për hekurudhën  Durrës-Kosovë. Plani nuk ishte i lehtë për t’u realizuar, jo vetëm se kërkonte financime shumë të mëdha, por dhe nga pretendimet e fqinjëve. E para kundërshtoi Italia, që kërkonte që gjurma të ishte Porti i Barit ose i Brindizit.  Po ata që kundërshtuan fort këtë projekt, ishin qeveritë greke. Nuk mund ta pranonin që porti i Durrësit të kishte përparësi në Ballkanin Perëndimor.  Me kalimin e kohës grekët me lobimet e tyre të jashtme me një politikë të brendshme solide, arritën të ndërtojnë rrugë konkurruese, si porti i Selanikut-Sofie, autostradën Igumenicë-Shkup, zgjatimin e  rrugës Egnatia etj… Ndërsa presidenti Klinton paraqiste projektin, disa muaj më vonë, më 1997, Shqipëria, e nxitur dhe nga korrente të jashtme armiqësore,  u ndodh në prag të luftës civile, ku pozita donte të mbante pushtetin me metoda komuniste dhe opozita donte ta merrte po me metoda komuniste. Pas kësaj çmendurie Shqipërisë i duheshin qindra milionë dollarë, të ringrinte institucionet e shkatërruara. Qeveria e drejtuar nga kryeministri socialist Nano, një aventurier, i cili sot endet nëpër botë me paratë që i la trashëgim “babai”,  as që e vuri ujët në zjarr për të rigjallëruar projektin në tetë vite. Kjo edhe si shpërblim ndaj qeverisë greke, që e ndihmoi për të ardhur në pushtet. Pas vitit 2005 qeveria Berisha, ndërtoi Rrugën e Kombit, filloi Rrugën e Arbërit dhe ndërtimin e petroliferës të dy këto të fundit pjesë të projektit të Korridorit Tetë. Ndërtimi i Petroliferës në Vlorë, u kundërshtua ashpër  nga shoqatat e mjedisit, që u përleshën me policinë dhe ia dolën ta pezullojnë pjesërisht projektin. U ndërtuan dy kalata kilometrike në Zvërnec me një plan të përciptë, të pastudiuar mirë (deti po gllabëron hektarë të tërë pyje në pyllin e Zvërnecit,),  ku në njerën ankorohen çisternat dhe disa rezervuarë në tokë, që janë në funksion dhe sot. Ardhja e qeverive Rama do të ishte ishte vdekja e Korridorit të Tetë dhe ëndrrës së madhe propozuar nga amerikanët. Në vitin 2017 u zhvillua një takim midis kryeministrit bullgar  Bojko Borisov,  atij shqiptar Edi Rama, maqedonas Zoran Zaev dhe përfaqësueve të Bankës Botëtrore  për Korridorin Tetë. Më shumë, takimi i ngjante një funerali për t’i dhënë lamtumirën një të vdekuri  (Korridorit të Tetë) sesa ringjalljes së tij.  Dukej hapur që kryeministri shqiptar qe i painteresuar. Të gjitha qeveritë e këtyre tridhjetë viteve janë  treguar të paafta, të painteresuara, përtace, dhe jo largpammëse në lidhje me perspektivat dhe projektet që i japin zhvillim ekonomisë shqiptare dhe e integrojnë me projektet evropiane të Ballkanit Perëndimor. Më shumë u ka interesuar lufta për mbajtjen e pushtetit dhe pasurimi i pamerituar,  duke  deformuar mendërisht e telendisur këtë popull të varfër, sesa interesat e Shqipërisë dhe rritja ekonomike e shqiptarëve. Në qershor të këtij viti Bashkimi Evropian, shpalli se do të ofronte një fond prej 29 miliardë eurosh me fokus investimet, në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria si përherë u gjend e papërgatitur, pa asnjë projekt (BE-ja nuk jep para pa projekt) dhe është kualifikuar për hidrocentralin e Skavicës, projekt  para 20 viteve. Duke mbathur herë brekushet turke e herë fustanin arab, kryeministri mori rrugët e Ankarasë dhe të  shkretëtirave të Arabisë, për të jetësuar projekte të ofruara nga Erdogani e Alamari. Megjithatë amerikanët nuk heqin dorë nga porti i Durrësit. Ka një marrëveshje Kosovë-SHBA e firmosur me 4 shtator 2020, ku “…të dy palët angazhohen për studimin e fizibilitetit të përbashkët mbi mundësitë për lidhjen hekurudhore Beograd –Prishtinë, drejt një porti të thellë në Adriatik….”  Pse Portin më të madh të Shqipërisë me  rëndësi të madhe strategjike dhe ekonomike (vlerësuar maksimalisht nga SHBA-ja) kryeministri shqiptar po e kthen në turistik me një këmbëngulje e lehtësi të pakuptueshme? Këtu fillon dhe pjesa e zezë për Shqipërinë midis të tjerash:

1. Porti i Durrësit është nyja ekonomike më e rëndësishme në Shqipëri. Atje sot përpunohen dhe transportohen mbi 85% të mallrave dhe një pjesë e konsiderueshme për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

2. Ndërtimi i Portit të ri në Porto Romano kërkon të paktën dhjetë vjet(vetëm studimi i fizibilitetit kërkon një vit e gjysmë) dhe nuk plotëson kushtet për vetë pozicionin gjeografik të portit ekzistues.

3. Në dokumentin e Strategjisë së Sigurimit Kombëtar (SSK) rradhiten në rreziqet e nivelit të parë:“Mangësitë në kontrollin dhe administrimin e territorit, që kërcënojnë sigurinë individuale dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme.” A është e garantuar siguria kombëtare nga dhënia për turizëm e ndërtime objektesh të pafund të të gjitha llojeve, arabëve në Portin e Durrësit? Pikëpyetjet janë të pafundme.

Opozita shqiptare nuk duhet të hallakatet kur vjen problemi për shitjen e interesave kombëtare. Ajo duhet të kërkojë të bëhen publike për popullin bisedimet, marrëveshjet dhe sidomos të bëjë me dije e ka pasur oponencë nga grupe të interesit brenda në Shqipëri për projektin arab dhe çfarë fitojnë shqiptarët nga kjo aferë?!

Partia Demokratike e Vlorës më datë 01.04.2021 ka dërguar pranë SPAK-ut një denoncim lidhur me tenderin për dhënie më qira për 35 vjet të portit të Vlorës (5ha tokë, 5ha akuarium) koncesionarit me kërkesën e këtij të fundit. SPAK-u e ka konfirmuar zyrtarisht marrjen e ankesës pranë zyrave të tij më 06.04.2021. Nuk ka informacion nëse kjo ankesë do të merret në shqyrtim dhe kohën kur do të shqyrtohet.