Gerti Bogdani: Rama, me ligje moniste po instalon neodiktaturën dhe po e bën Shqipërinë antieuropiane

446
Sigal

Gerti Bogdani, ish- deputet i PD-së

Votime të tilla në parlament i çojnë Europës  mesazhin e autokratit, që para Integrimit Europian të Shqipërisë,  vendos  interesat e pushtetit  të vet

GazetaTelegraf

Gerti Bogdani, ish -deputet i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se votimi i njëanshëm i Kodit të ri Zgjedhor, i çojnë BE-së mesazhin e autokratit, se pushteti i tij është mbi integrimin e Shqipërisë. Rama me ligje të tilla moniste po instalon neodiktaturën.  Zoti Bogdani thotë se pasojat e qëndrimeve të tilla antieuropiane të kryeministrit Rama do të rëndojnë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilëve u vritet ëndrra që ta bëjmë Shqipërinë si Europa.

-Zoti Bogdani, çfarë mesazhi u dërgoi kryeministri Rama Bashkimit Europian, Parlamentit Europian, PPE dhe Gjermanisë, me votimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor, pa pritur opinionin e Venecias?

– Një mesazh aspak europian dhe aspak pozitiv. Një mesazh që më shumë i ngjan një kryeministri që në axhendë të vendit të tij nuk ka Europën e as Perëndimin. Një mesazh prej një drejtuesi autokrat, i cili para integrimit Europian të Shqipërisë vendos interesat e ngushta personale. Një mesazh që tregon se për të nuk ka rëndësi dominimi i demokracisë në vend, për sa kohe ai beson se ndryshimet e njëanshme dhe anti-demokratike të Kodit Zgjedhor mund t’i përdorë për paterica për të arritur një mandat të tretë.

Cilat mund të jenë pasojat e këtij qëndrimi të Kryeministrit Rama ndaj Bashkimit Europian?

– Pasoja e parë dhe e qartë është vonesa në procesin e hapjes së negociatave. Kjo është shumë e rëndë edhe në kuadrin e deklaratës se para disa ditëve të ministrit të Punëve të Jashtëme të Gjermanisë, i cili tha se Maqedonia e Veriut do të ketë një datë për Tryezën e parë të bisedimit brenda Presidencës Gjermane, pra brenda vitit. Kjo sjell një pasojë edhe më të rëndë që është ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit europian. Me sa duket, durimi i partnerëve tanë ka sosur dhe kanë vendosur që Shqipëria mos ta mbajë më peng vendin fqinj në këtë proces. Duhet theksuar fakti që i humburi i madh në këtë mes nuk është as Kryeministri Rama e as qeveria e tij, por Shqipëria dhe populli shqiptar. Sepse, sa më shumë të avancojmë në procesin e integrimit europian, aq më shumë do të jetë kontrolli ndaj qeverisjes, ndëshkueshmëria ndaj abuzimit dhe korrupsionit, e për rrjedhojë  më e dobët autokracia.

– Derisa, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është axhendë e Kryeministrit Rama, a mund të ndikojë kjo edhe në votimin e shqiptarëve në 25 prill 2021?

– Shpresoj që po! Por, besoj se në votën e shqiptarëve do të ndikojë më shumë situata ekonomike dhe vështirësia në të cilën gjenden familjet shqiptare sot për shkak të keq-qeverisjes; fakti që shqiptarët sot janë më të varfër në tërësi, ndërsa një grusht i vogël njerëzish/oligarkësh pranë  pushtetit  janë çmendurisht më të pasur; fakti që sot e paguajmë çmimin e naftës më shumë se çdo vend fqinj e më shumë se pjesa më e madhe të vendeve të BE-së; fakti që çmimi i dritave është shumë më i lartë se ç’ishte 7 vite më parë; fakti që çmimi i shportës dhe i produkteve bazë  është më i lartë dhe më i papërballueshëm se ç’ishte 7 vite më parë; fakti që ndërkohë që qytetarë gjobiten nga policia ndërtimore e futen në burg se ndërrojnë tjegullat e çatisë, oligarkët e kthyen Tiranën në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave të pista, duke e mbytur me llaç e beton; fakti që policia përdor gaz lotësjellës ndaj fëmijëve e grave brenda në shtëpitë e tyre, për t’i zbuar në mënyrë që oligarku i radhës të fitojë tenderin e radhës, apo të ndërtojë pallatin e rradhës. Këto e shumë bëma e gjëma të kësaj qeverie në këto 7 vite nga njera anë, dhe alternativa qeverisëse me një program të saktë e të qartë për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza dhe një ekip dinjitoz  për implementimin e tij, do të jenë ato që do të vendosin për votën e shqiptarëve në 25 Prill.

Ky Kod Zgjedhor që votoi njëanshmërisht ky parlament, a mund të ketë impakt elektoral në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021?

– Nuk ka dyshim që shpresa dhe qëllimi i kryeministrit Rama janë që ky Kod Zgjedhor të ketë impakt në zgjedhjet e ardhshme të 25 Prillit e t’i shërbejë atij si patericë për të tentuar një mandat të tretë. Por pavarësisht kësaj, pavarësisht sa anti-demokratike e bën garën ky Kod i ri Zgjedhor, pavarësisht vështirësive që krijon, jam i bindur se fundi do të jetë i njejtë. Zullumi i kësaj kaste ka qenë aq i madh këto 7 vite keq-qeverisje, sa votat që Rama i quante ‘shuplaka’ në 2013, kësaj here do t’i kthehen në ‘shkelma’ dhe qytetarët do t’i japin reston e merituar. Duhet theksuar gjithashtu dhe fakti që ky Kod Zgjedhor dhe ky moment politik humbi edhe një shans tjetër shumë të rëndësishëm, që ishte mundësia për të ndryshuar sistemin zgjedhor, duke i dhënë qytetarëve mundësinë për të zgjedhur drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre nëpërmjet një sistemi me lista të hapura. Përsëri qytetarët janë tëdetyruar të votojnë listën që ju ofrojnë partitë dhe kryetarët e partive, duke u hequr kështu shansin e zgjedhjes së një kandidati/e që do të ishte më i përgjegjshëm ndaj tyre; e që do të kishte prioritet hallet e problemet e njerëzve, e jo bërjen fresk të kryetarit.

-Faleminderit!