Gentian Çala: Rrëfimi i blegtorit për skemën e vjedhjes së subvencioneve të tyre

250
Gjatë takimeve me bujq dhe blegtorë kupton se si një administratë e korruptuar fillim e krye nuk punon që të subvencionojë ata që punojnë, por si të përfitojë për vete. Ishim në familjen e një blegtori që mbarështonte bagëti të imta në një fshat rrëzë Malit të Thatë. Zotëria, njeri i ndershëm dhe mjaft punëtor, votues i PS-së në dy zgjedhjet e fundit, shprehej mjaft i indinjuar për mënyrën e ndarjes së subvencioneve në blegtori.
Ai na tregoi se si njerëz që kishin disa dhjetra krerë, plotësonin dokumentat për disa qindra dhe përfitimet ndaheshin midis inspektorëve të skemës dhe pëfituesve të saj. Gjithçka fiktive, kurse për ata që realisht i kishin krerët nuk u jepej asnjë subvencion. Matrikujt shiteshin ndërsa duhej të jenë falas. Ai shprehej se nuk kishte marrë asnjëherë subvencione.
Dëshmia ishte tronditëse, po aq sa edhe trishtimi i blegtorit që mendonte ti shiste:
– Mjafton të kontrolloni faturat e qumështit që dorëzojmë dhe ti krahasoni me dokumentat e dosjeve të subvencioneve për ta kuptuar vjedhjen – pohoi blegtori me zë të lartë – aty kanë ngjyer të gjithë nga lart e deri poshtë.
Zëri i tij nuk ishte dëgjuar askund, megjithëse ishte ankuar. I vjedhur dhe i nëpërkëmbur më tha se ndihej mjaft i zhgënjyer nga ata për tē cilët kishte votuar. E pyeta qetësisht nëse mund ta bëj publike dëshimnë e tij, por nga trysnia e pushtetit nuk dëshironte që t’ia bëja publik emrin, por për rrëfimin e tij e kisha lejen.
Teksa e dëgjoje kuptoje se një pushtet dhe një administratë e korruptuar mbështet vetēm dallaverexhinjtë, dembelët dhe sahanlëpirësit në funksion të fitimit, si dhe dekurajon punën e ndershme e njerëzit e punës.
Kjo dëshmi tregon se sistemi i drejtësisë nuk heton raste të tilla, ndaj i bëj thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë lidhur me këto raste, duke i dhënë ndëshkimin e duhur çdo drejtuesi, nënpunësi apo qytetari të përfshirë në këtë mashtrim.
Sigal