Flet Prof. Dr. Kastriot Islami: A ka krizë në PD, kur ka nisur, si shpërtheu e si mund të zgjidhet ajo?

313
Sigal

Intervistë për “TELEGRAF”: Kriza në PD, marrëveshja jo transparente Rama-Basha, shpallja e Berishës non-grata dhe  prapskenat e aktit të Bashës. Pse Kuvendi i 11 dhjetorit do të shërbej si oksigjen për opozitën dhe  kundër korrupsionit në Shqipëri

Organizimi i “Foltoreve” nga ana e Berishës në të gjithë territorin e vendit, thirrja e Kuvendit Kombëtar të PD, mbledhja e firmave për këtë Kuvend dhe transparenca që e e shoqëroi këtë proces, kriza e brendshme në PD, arsyet përse ajo lindi, shenjat e para të “shpërthimit” të krizës në PD do të dilnin në pah në 2017 pas mbylljes së “çadrës”, e më konkretisht pas marrëveshjes jo transparente Rama-Basha, si dhe heqjen e të drejtës së kandidimit disa figurave të “rëndësishme” të PD-së, alternativat se cila do jetë e ardhmja e PD pas 11 Dhjetorit, apo 18, këto ishin disa nga pyetjet që gazeta “Telegraf” zhvilloi me Prof. Dr. Kastriot Islami, një nga njohësit më të mirë të politikës aktuale në vend.

Prof. Islami, a mund të thuhet së PD është në krizë apo ndryshe se PD po shkon në Kuvendin e saj kombëtar për shkak të një krize të brendshme?

Kriza brenda PD duket tanimë qartas nga shumë demokratë. Kështu duket jo vetëm nga jashtë nga vëzhguesit e shumtë e analistët politikë, por kështu duket të paktën edhe nga deklarimet e shumë prej drejtuesve dhe ish-drejtuesve të lartë të PD. Pra, përgjigja për ekzistencën e krizës së brendshme në PD, është diçka e pamohueshmë tashmë dhe e pranuar nga shumica anëtarësisë, për të mos thënë e gjithëpranuar. Thënë më qartë, PD po shkon në Kuvendin e saj të 11 dhjetorit me një krizë të brendshme dhe nga deklarimet rezulton se qëllimi i këtij Kuvendi është të nisë një proces që e zgjidh këtë krizë të thellë e të gjatë.

Kur mund të thuhet se ka nisur kjo krizë e brendshme në PD që, aktualisht e shikojnë pothuajse të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj, por jo vetëm?

Ndërkohë që për prezencën e krizës së brendshme aktualisht në PD duket se ka një “konsensus të gjerë”, për momentin e nisjes së krizës dhe shkaqet që e kanë shkaktuar atë, “konsensusi” mungo nose është i pjesshëm. Thënë ndryshe, për periudhën se kur kjo krizë ka nisur s’ka ende një “konsensus” të gjerë mes palëve dhe drejtuesve/ish-drejtuesve të lartë në PD. Disa mendojnë se kriza që shfaqet qartas aktualisht ka nisur që me zgjedhjen e Bashës në krye të PD, madje kundërshtarët e Bashës që në ato momente e në vijim kanë artikuluar përzgjedhjen e zgjedhjen e Bashës në krye të PD problematike e të pamerituar, duke thënë se, ai nuk do të “mund të sjellë PD në pushtet” dhe duke shkuar edhe më tej, duke akuzuar nën rrogoz, pa fakte e prova,  rolin e Berishës. Disa të tjerë, gjykojnë se kriza ka nisur dhe është zhvilluar gradualisht, pas zgjedhjes së Bashës në krye të PD dhe kryesisht e lidhin atë me rezultatet e “dobëta” të PD në betejat zgjedhore, duke fajësuar jo vetëm Ramën për manipulimin e zgjedhjeve, por edhe Bashën në postin e drejtuesit të PD, si dhe heshtjen e ish-drejtuesit të PD, zotit Berisha. Disa të tjerë, që aktualisht janë në drejtimin e PD, gjykojnë se kriza ka nisur me shpalljen e Berishës non-grata nga SHBA, madje, ata shtojnë se, kjo krizë, është një krizë mes Berishës dhe SHBA, prandaj më 18 dhjetor ajo do të zgjidhet lehtësisht.

Zoti Islami, çfarë mund të thuhet për shpërthimin e kësaj krize? Kur mund të thuhet se ajo ka shpërthyer? Dhe mundësisht përse?

Shenjat e para të “shpërthimit” të krizës së brendshme në PD do të jepeshin në 2017 pas mbylljes së “çadrës”, e më konkretisht pas marrëveshjes jo transparente Rama-Basha, përmes së cilës PD u bë pjesë e “qeverisjes” dhe veçanërisht pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 kur, PD shënoi rezultatin elektoral më të ulët historik. Veçanërisht, pasi disave figurave të “rëndësishme” të PD iu hoq e drejta e kandidimit në 2017, kriza do të shfaqej edhe në publik. Thënë më qartë, pas zgjedhjeve të 2017, u dhanë sinjalet e para publike të ekzistencës së kësaj krize të brendshme, duke shënuar ndërkohë edhe momentin e parë të shpërthimit të saj në sytë e publikut, por realisht jo në përmasat e sotme. Kriza e brendshme u thelllua me “dorëzimin e mandateve” dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore të 2019, akte që u kryen nën drejtimin e zoti Basha. Kriza prej kohësh kishte krijuar çarje në PD, por deri në 2017 ende nuk ishin shfaqur në publik “grupimet” e dukshme siç duken aktualisht; kishte vetëm një sensibilitet të brendshëm që rritej gradualisht dhe që kritikonte “ashpërsisht” Bashën si përgjegjësin kryesor për humbjet elektorale, pa kursyer edhe heshtjen e Berishës që aktualisht ka kërkuar ndjesë për heshtjen dhe mos angazhimin e tij aktiv në 2017 duke u shprehur se, “kishte mbajtur premtimin e dhënë në 2013 se, me bindje të plotë, s’do të angazhohej në politikën aktive”. Kjo krizë mund të konsiderohet gjithashtu si shkaktare e krijimit jashtë PD të “partive të reja” apo “grupimeve të djathta në parlament”, me figurat e përjashtuara ose me të gjithë ata që refuzuan publikisht “dorëzimin e mandateve”. Heshtja e ish-kryetarit Berisha vazhdonte të ruante në dukje “stabilitetin” e brendshëm por të thyer në PD, e cila vijonte të rrudhej nga kriza e brendshme, nga veprimet e grupimeve/partive të krijuara djathtas, si dhe nga marrëdhëniet e përkeqësuara me aleatët…Votuesit e djathtë në këto kushte, të pashpresë edhe për shkak të veprimeve korruptive e kriminale të Ramës, braktisën PD, madje nje pjesë e tyre jo e vogël iu drejtua emigrimit, si e vetmja zgjidhje.

A mund të thuhet se akti i Bashës për largimin e Berishës nga grupi parlamentar shkaktoi shpërthimin e kësaj krize?

Me “humbjen” e zgjedhjeve në 2021 tensionet e brendshme në PD kriza në PD do të vazhdonte të thellohej/rritej ndjeshëm. Demokratët ishin të pashpresë ndërkohë që Rama ishte shumë i friksuar se e dinte shumë mirë se mandati i tretë i grabitur ishte më shumë një “fitore si e Pirros”. “Akti” (që s’vlerësohen nga shumica e PD, as vendim, as qëndrim apo as deklaratë, e bazuar në statutin e PD apo rregulloren e grupit parlamentar, e për më tepër pa asnjë debat/diskutim e transparencë në forumet e zgjedhura të PD) i Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi i PD do të çonte në “shpërthimin” e fortë të krizës së PD… Nga ky moment kriza kishte shpërthyer dhe ajo do të ishte e dukshme, por edhe e artikuluar nga të gjithë grupimet/sensiblitetet brenda e jashtë PD… Për shpërthimin e krizës nuk kishte më askush asnjë mëdyshje.

Si e kanë pritur demokratët vendimin e sekretarit të shtetit Blinken dhe aktin e Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD?

 Fillimisht, veçanërisht para se të dëgjonin Berishën në “foltoret” e tij ka pasur një paqartësi të madhe te votuesit demokratë për shpalljen non-grata të ish-kryetarit të tyre historik… Gjithçka është thënë në publik nga Basha dhe mediat e Ramës ju duket e pavërtetë dhe në rastin më të mirë e pamjaftueshme. Kërkonin me insistim sqarime në takime  “miqësore” sepse ata duke qënë edhe patriotë të devotshëm, edhe proamerikanë të vendosur, kishin bindjen e thellë se meritonin të cilësoheshin “sovran për rolin e tyre” në një demokraci perëndimore proamerikane. Kjo është bindja e tyre e thellë prandaj kërkonin takime për t’u sqaruar, nga të gjithë ata, të cilëve ju kishin dhënë votën për në forumet e PD, apo për në parlament. Pa sharje, ofendime, pa larguar askënd, por qetësisht për të dalë më të bashkuar e më të fortë…

Zoti Islami, ju lutem më konkretisht, çfarë kërkonin të dinin demokratët në këtë rast?

Janë të njohura nga publiku përmes medias tre “momente” të rëndësishme. E para ka të bëjë me përcaktimin nga sekretari i DASH të Berishës si “ineligible” (në gjuhën popullore kjo cilësohet non-grata) për t’u futur në SHBA. Momenti i dytë, ka të bëjë me vizitën e ambasadorit Riker si të dërguar të DASH në Tiranë dhe mesazhin e tij të dhënë në takimin me kryetarin e PDSH për përjashtimin e “non gratës” nga grupi parlamentar i PD. Dhe e treta, ka të bëjë me “vendimin apo deklarimin” e kryetarit të PDSH për largimin nga grupi i PD-së të ish-kryetarit të PDSH pas takimit me të dërguarin e DASH. Demokratët, para zhvillimit të foltoreve, kërkonin sqarime për këto tre momente, ndonëse ishin njohur më parë me reagimet e Berishës në konferencat e tij të shtypit për seicilin nga këto momente…

Zoti Islami, çfarë mund të thuhet për shpalljen e Berishës non-grata nga sekretari i DASH? A është kjo një çështje personale, apo Berisha po përdor PD për interesat e tij personale siç e akuzojnë një pjesë e drejtuesve aktualë të PD?  

Në përgjigjen e mëposhtme do ta trajtoj problemin vetëm në planin juridik, se në planin moral e politik do të ishte shumë më e lehtë për mua… Pas “përcaktimit të tij nga sekretari i DASH si ineligible për t’u futur në SHBA”, Berisha si asnjëherë tjetër në glob, do të reagonte menjeherë në një konferencë shtypi: a) duke e cilësuar përcaktimin “ineligible” për t’u futur në SHBA si një çështje të brendshme dhe të drejtë të SHBA, pa asnjë hapësirë për të ndërhyrë e për ta kundërshtuar dhe b) duke dërguar përmes avokatit të tij, në Gjykatën Administrative të Parisit, sekretarin e DASH, për shpifje lidhur me argumentin e tij për “implikim në korrupsion madhor” të Sali Berishës si ish-kryeministër i Shqipërisë. Madje duke shtuar në këtë rast se këtë çështje do ta trajtonte privatisht, pa angazhuar në asnjë moment e rast PD, ndonëse e kishte bindjen e thellë që kjo “goditje” ndaj tij, e sidomos në këtë moment, ishte e orientuar kundër PD dhe opozitës.

Zoti Islami, para se të vijmë në pyetjen normale për cilësimin e veprimeve të Berishës përmes foltores, çfarë është e nevojshme të dinë demokratët për aktin e Bashës për largimin e Berishës nga grupi parlamentar të PD?

Së pari, për këtë pyetje më duhet të sqaroj se unë s’mund të jap shpjegime më të qarta për pyetjen tuaj se ç’ka dhënë vetë Berisha përmes foltoreve në 27 vende të ndryshme…Së dyti, edhe për këtë çështje përgjigja ime do të fokusohet duke qëndruar vetëm në aspektin juridik. Është tashmë e qartë nga njoftimet në media se pa kaluar disa ditë nga “përcaktimi ineligible” i sekretarit të DASH, pas një takimi në SHQUP me ambasadorin Riker, në prani të ambasadores Kim dhe në prezencë të Gazment Bardhit e Jorida Tabakut (që Lulzim Basha i cilëson si “dëshmitarë” në takim), Kryetari i PD do të deklaronte aktin personal gojor të përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD së bashku me “pohimin” e çuditshëm se një “kërkesë” e tillë  i ishte bërë nga ambasadori Riker gjatë takimit në SHQUP, që nuk kishte pranuar asnjë lloj negocimi (thënë ndryshe: nën presion që do të ishte i papranueshëm për shtetin më demokratik të globit) (https://albaniandailyneës.com/neës/basha-explains-to-dp-group-ëhy-berisha-ëas-excluded)… Ndërkohë në njoftimin e ambasadës së SHBA për takimin në SHQUP, të bërë publike në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Tiranë, s’bëhet fjalë fare për këtë “kërkesë” të zotit Riker drejtuar kryetarit të PD (https://al.usembassy.gov/sq/vizita-e-sekretarit-te-shtetit-ne-detyre-philip-t-reeker-ne-tirane/).

Çfarë argumentash do të mund të jepeshin për të mbështetur qëndrimin e Berishës për trajtimin e “foltoreve” si qëndrime për interesin publik të demokratëve dhe shqiptarëve?

Ju kërkoj fillimisht ndjesë t’ju deklaroj se, edhe për këtë çështje, Berisha nuk do të kishte aspak nevojën e avokatisë sime apo të dikujt tjetër… Është tashmë e njohur nga të gjithë se aktit personal gojor (që nuk është as vendim, as qëndrim dhe as deklaratë e ligjshme) të Bashës për përjashtim nga grupi nga grupi parlamentar i PD, Sali Berisha do ti përgjigjej menjëherë në një dalje televizive (https://ëëë.dë.com/sq/tiran%C3%AB-basha-p%C3%ABrjashton-berish%C3%ABn-nga-grupi-parlamentar-i-pd/a-59139193) duke pohuar se “Vendimi është jashtë çdo norme statutore e ligjore. Ai shpalli një vendim që është nul.”  Dhe se “akti i Bashës është asgjësim i kësaj partie si opozitë sovrane…” duke shtuar se “…me këtë vendim për interesat  e veta Basha i jep goditjen më të madhe PD dhe Shqipërisë. Kjo është tani një fasadë opozitë. Ai duhet të jepte dorëheqjen para se ta merrte këtë vendim. PD sot nuk është gjë tjetër vetëm një satelit i Edi Ramës”…”Veprimet e mëtejshme, Berisha, “në mbrojtje të dinjitetit e sovranitetit të votës së lirë, të PD dhe Shqipërisë” do t’i kryente përmes “foltores”, pra takimeve me demokratët në të gjithë vendin, gjatë të cilave do të mbronte interesin publik, dinjitetin e sovranitetin e votës së lirë, sovranitetin e PD dhe të gjithë Shqipërisë. Pra “foltorja” nuk do të ishte një veprim për të zgjidhur çështjen personale të Sali Berishës siç e akuzojnë pak drejtues të Kryesissë së PD, por një lëvizje e demokratëve për të mbrojtur interesin publik, më konkretisht për të mbrojtur dinjitetin e votës së lirë, pluralizimin dhe sovranitetin e PD e të Shqipërisë.

Zoti Islami, le të kthehemi te kriza e brendshme në PD. Cilat mendoni se janë disa nga qëndrimet kryesore të grupeve të ndryshme në PD. Pa komentuar qëndrimet e mediave të ndryshme, të Ramës, e neutrale, të rrjeteve sociale apo ato të grupimeve jashtë PD?

Pak anëtarë të Kryesisë së PD, pranë Bashës, akuzojnë Berishën për shpërthimn e krizës, për shkak të “interesave” të tij personale (nga shpallja non-grata nga SHBA).. Pra sipas tyre kriza e brendshme në PD ka shpërthyer nga një përplasje e Berishës me SHBA dhe duket se qëllimisht ngatërrojnë aspektin privat të dërgimit të shpifjes në gjykatën e Parisit, me çështjen me interes publik të foltores, duket thjesht e vetëm për të akuzuar Berishën. Grupimi në mbështetje të Berishës e akuzon Bashën dhe pasonjësit e tij të ngushtë, si shkaktarë të shpërthimit të krizës por edhe si shkaktarë të hershëm të ekzistencës së krizës së brendshme për shkak të humbjeve të shumta që i ishin shkaktuar PD edhe nga drejtimi i dështuar i Bashës, nga marrëveshjet e e Bashës me Ramën, pavarësisht heshtjes së Berishës për të cilat ky i fundit do të kërkonte ndjesë publike gjatë mbajtjes së foltoreve. Në thelb të akuzave të këtij grupimi do të qëndronte edhe dhunimi nga Basha i statutit/rregullores së grupit të PD,  mungesa e transparencës dhe mosrespektimi i forumeve të PD që me një fjali të vetme do të përmblidheshin në terminologjinë “cënim i dinjitetit e sovranitetit të votës së lirë, të PD, demokratevë dhe Shqipërisë”. Grupimi anti-Basha (që ka në përbërje edhe individë anti-Berisha) vazhdon të argumentojë drejtësinë e qëndrimeve të tij të hershme duke kritikuar heshtjen e Berishës, ndërkohë që një pjesë e tyre do të “afroheshin” me grupimin Berisha, duke e justifikuar qëndrimin e tyre, me argumentin se ishte Berisha që po afrohej me qëndrimet e tyre.

Pyetje: Sa legjitim është kuvendi i 11 dhjetorit?

Do të përpiqem të jem shterues në përgjigjen time. Meqënëse është vendosur si nga anëtarësia ashtu edhe nga kryesia e PD,  të mbahen dy kuvende, racionalisht mund të arrihet në përfundimin  se shumica dërmuese e anëtarëve të Kuvendit kanë gjykuar se për të zgjidhur krizën është e nevojshme thirrja e kuvendit kombëtar të PD. Por s’është bërë e mundur që kuvendi i “domosdoshëm” të jetë i përbashkët?! Përgjegjësia për këtë bie kryesisht mbi Kryesinë e PD që fillimisht e refuzoi thirrjen e delegatëve për thirrjen e Kuvendit e madje as më tej s’arriti as të gjejë në negocim me ¼  e sovranit, një datë të përbashkët për kuvendin kombëtar. Anëtarët e Kuvendit (¼ e më shumë) arritën, konform kërkesave të statutit, të përcaktojnë datën 11 dhjetor 2021, si mundësia e vetme statutore që iu mbeti për të thirrur Kuvendin Kombëtar, aq më tepër që kjo iu refuzua fillimisht nga Kryetari dhe Kryesia?! Referuar statutit të PD, më konkretisht nenit 43 pika 2, rezulton, se “Kuvendi Kombëtar i PD  mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar…”. Kjo pjesë e statutit i jep të drejtë ¼ të anëtarëve të Kuvendit të kërkojnë thirrjen e Kuvendit, edhe kur thirrjen e tij e refuzojnë Kryesia e Këshilli Kombëtar të cilat e kanë këtë drejtë bazuar në statut. Referuar statutit, për ¼ e anëtarëve të Kuvendit, s’ka asnjë detyrim tjetër statutor; as për të kontrolluar ligjitimitetin e firmave, as për t’i bërë ato publike para ditës së mbledhjes së Kuvendit.  Duhet sqaruar se statuti i PD parashikon vetëm një moment të vetëm për të bërë transparente emrat e të gjithë firmëtarëve (më saktësisht të ¼ të anëtarësisë së Kuvendit), vetëm në ditën e mbledhjes së Kuvendit, përmes komisionit me 5 anëtarë të verifikimit të mandateve. Normalisht procedurat e nevojshme për këtë rast do të duhet të ishin përcaktuar përmes akteve nën-statutore për të cilat statuti ngarkon Kryetarin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PD dhe të cilët natyrisht mbajnë aktualisht përgjegjësi për mungesën e tyre. Përfundimi nga kjo analizë është i qartë: thirrja e Kuvendit në 11 dhjetor 2021 është legjitime.

Po ai 18 dhjetorit ju lutem, argumentat përkatës?…

Më duhet të rikujtoj faktin se Kryetari e Kryesia u njohën me faktin që anëtarësia, sipas të drejtave statutore, thirrën në datën 11 dhjetor mbajtjen e Kuvendit të “domodshëm”, bënë thirrjen e Kuvendit të “tyre”, pra pasi e kishin refuzuar fillimisht dhe më tej duket e konsideruan të “nevojshëm”, por në një datë tjetër, në 18 dhjetor 2021; që u perceptua nga anëtarsia si sfidë sepse anëtarësia kishte vendosur të thirrte Kuvendin në 11 dhjetor 2021! Ky akt i kryesisë nuk është perceptuar nga anëtarsia të paktën si vendimi i duhur, por as edhe si një vendim i mencur…! Po ashtu, nga një analizë e thelluar juridiko-politike rezulton se Kuvendi i 18 dhjetorit 2021, i thirrur nga Kryesia e PDSH, me propozim të Kryetarit të PDSH është me legjitimitet të dyshimtë e të cunguar, a) sepse nga disa drejtues të lartë të PD  është deklaruar se shumica e anëtarëve të Kryesisë të PD janë jo legjitimë, përderisa s’janë zgjedhur sipas kërkesave të statutit, me kandidatura alternative e me votim të fshehtë, për rrjedhojë cdo vendim i tyre do të ishte ilegjitim; b) akti i thirrrjes së Kuvendit në 18 dhjetor është inatcor dhe  jo i mencur e sfidues i shumicës së anëtarësisë së Kuvendit duke e vendosur kështu Kuvendin e 18 dhjetorit në përplasje me anëtarësinë e vendimet e tij; c) dhe për më tepër, një akt i tillë, s’merr parasysh faktin që Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, bazuar në nenin 43 pika 3. ka kompetenca të rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e PD por edhe për zhvillimin e Kuvendit të 18 dhjetorit 2021, që edhe nëse mbahet mund të rezultonte një Kuvend fake e me “efekte nul”?!

Së fundmi zoti Islami, a mund të konsiderohen vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 si fillimi i zgjidhjes së krizës së brendshme në PD?

Kam përshtypjen e madje bindjen e thellë se do të jetë pikërisht kështu sic e përcaktoni ju në pyetjen tuaj… Uroj dhe shpresoj që ky të jetë edhe momenti i kthimit të shpresës te shqiptarët, i rivendosjes së pluralizimit, i forcimit të dinjitetit dhe sovranitetit të shqiptarëve dhe i daljes së vendit nga qorrsokaku ku e ka futur prej më shumë se tetë vjetësh Rilindja e cila është përgjegjëse jo vetëm për krizën e thellë në PD por edhe të krizës së thellë e të gjithëanshme të vendit, e mbi të gjitha të krizës së pluralizmit e të demokracisë në Shqipëri…