Faturat e shfrenuara të rrugëve, kushtojnë sa dyfishi i çmimeve të BE-së dhe BB

174
Sigal

PPP e rrugës Milot-Kashar pjesë e “Korridorit blu” si dhe unaza e Tiranës janë nga më të shtrenjtat në Europë, ndërsa rruga e Arbërit 600 % më e shtrenjtë se kostot reale. Si ka mundësi që rrugët që bëhen nga financimet e huaja janë 10 herë më të lira në krahasim me tenderat që bëhen nga qeveria me buxhetin e shtetit? Prokuroria të hetoj çmimet marramendëse dhe të verifikojë projektet 3D që prezantohen në fillim, me realitetin në përfundim të tyre

Rrugët 3D të qeverisë, si u shpërdoruan 20 milonë euro/kilometri, diferenca e realitetit me projektin e prezantuar

Nga rruga e Balldrenit më e shtrenjta edhe se në Europë: 20 milionë euro për kilometër, prezantimet 3D të qeverisë që dështojnë të kthehen në realitet, mendimet e ekspertëve për shpenzimet e shifrave marramendëse për rrugë, që mezi kapin standardet e BE.

Kryeministri Edi Rama: ‘Korridori blu’ do transformojë ekonominë: akuzat se kompania ishte paracaktuar janë vrimë në ujë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë përgjigje për akuzat e ngritura se tenderi për projektin e aktit Milot Fier, ishte i paracaktuar me një fitues të shpallur pa u futur në garë. Gjatë eventit për hapjen e garës, Rama hodhi poshtë këto akuza duke thënë se asgjë nuk ishte e paracaktuar; “Nuk bëhet fjalë për një nga veprat e infrastrukturës, por një nga veprat më të mëdha, e shumëpritur prej shumë vitesh. Qysh në krye të herës ne arritëm që ta përfshijmë në rrjetin e qarkullimit europian, e futëm në kanalin e financimeve në kuadër të procesit të Berlinit, por koha që na mori në pritje të financimit ishte e gjatë, dhe ndaj ne vendosëm që ta nisnim vetë. Jam besimplotë që gara do të jetë e suksesshme, që të gjitha ato gjoja, që janë thënë, për korrupsion, për firmë të paracaktuar, janë një vrimë në ujë. Edhe një kompani shumë e madhe që u afrua që ta merrte, nuk arriti që të fitonte tenderin, pasi nuk përfaqësonte interesin që ne kishim.” Kryeministri Edi Rama deklaroi se korridori blu: Do ta bëjë Shqipërinë shumë më të aksesueshme nga pikëpamja turistike, sidomos nga kthesa e Kamzës apo Kashari lart në Milot, në Lezhë dhe drejt Shkodrës ku standardet janë përmirësuar pa diskutim, por prapë problemet e sigurisë janë evidente. Do të jetë siç tha ministrja një aks me certifikatë sigurie të Bashkimit Europian, në sensin që nuk do ketë nga ato trampolinat, pishinat, depot, magazinat, palmat, makinat që pozojnë në dy anët e rrugës, duke krijuar një rrezik permanent, por do të jetë një aks shpejtësie, i cili patjetër do të jetë një vlerë e shtuar edhe si pjesë e lëvizjes nga rruga e Kombit, drejt poshtë për në Durrës apo edhe më tej për në Vlorë.”

Skandali i mbikalimit tek ish-sheshi Shqiponja, në 3D tashmë duket vetëm vjedhja.

Skandali me të cilin mund të jemi përballur të paktën një herë të gjithë është ai i mbikalimit te ish- sheshi Shqiponja. Ku u trumpetua një projekt kolosal dhe një infrastrukturë moderne dhe me një eksperiencë të jashtëzakonshme për përdoruesit e aksit. Por në fakt ajo që shohim është një shpenzim kolosal për një punë që nuk e reflekton thuajse aspak projektin e prezantuar në fillimim me aq bujë nga qeveria. Aksi kushtooi 10 fishmë shumë se një rrugë në Bashkimin Europian dhe Banka Botërore e konfirmoi diçka të tillë pasi vlera e një kilometri në këtë aks u përllogarit në 20 milionë euro. Një rrugë që në këtë sasi vlerash monetare të shpenzuara për të duhet të ishte e shtruar me florinj.

 

Faturat e shfrenuara të PPP-ve, kostot sa dyfishi i referencave të Bankës Botërore

Banka Botërore rishikoi këtë vit me rritje kostot e ndërtimit të një kilometri rrugë në vendin tonë, duke e çmuar me 6 milionë euro një kilometër autostradë të kategorisë A dhe 1 milion euro një kilometër rrugë sekondare interurbane të kategorisë C. Qeveria e kontraktoi rrugën Milot-Balldren, të kategorisë A, nëpërmjet koncesionit PPP me 14.2 milionë euro për kilometër, ose 132% më shumë se standardi i kostove të Bankës së këtij viti. Vlera e plotë e kontratës së Rrugës së Arbrit është ende e fshehtë, ndërkohë që qeveria i ka negociuar fitimet dhe interesat për koncesionet pasi janë shpallur fituesit, duke cënuar garën në themel. Ja të gjitha diferencat e kontratave të koncesioneve në raport me kostot reale

 

Në kulmin e angazhimit të qeverisë shqiptare për të ndërtuar nëpërmjet kontratave me Partneritet Publik-Privat (PPP) disa akse kombëtare rrugore, vjen një studim i Bankës Botërore, që analizon kostot e reja të ndërtimit të rrugëve në vend me të dhënat e vitit 2018. Një kilometër autostradë i kategorisë A, e ngjashme me Rrugën e Kombit dhe rrugën Tiranë – Elbasan, kushton 6 milionë euro, sipas një hulumtimi të publikuar së fundmi nga Banka, që analizon shpenzimet që duhet të përballojë Shqipëria për mirëmbajtjen e rrugëve nga fatkeqësitë natyrore. Më tej, një kilometër rrugë interurbane e kategorisë “B” kushton 4 milionë euro, 1 kilometër rrugë interurbane e kategorisë “C” kushton 1 milion euro, 1 kilometër rrugë kryesore urbane e kategorisë “D” kushton 1,2 milionë euro, 1 kilometër rrugë sekondare urbane e kategorisë “E” kushton 1 milion euro dhe 1 km rrugë lokale e kategorisë “F” kushton 800 mijë euro. Banka Botërore i ka rishikuar me rritje kostot e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri kryesisht nga rritja e çmimeve të naftës, kostove të punës dhe lëndëve të para. Kostot e reja për kilometër variojnë nga 800 mijë deri në 6 milionë euro. Këto vlera janë shumë më të ulëta se kontratat e qeverisë për ndërtimin e rrugëve, si me fonde buxhetore ashtu edhe me kontratat e Partneritetit Publik Privat. Gjatë vitit 2018 janë ndërtuar 4.2 kilometër autostradë e kategorisë A2 me 5.3 miliardë lekë, të cilat ishin fonde të brendshme. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës, kosto për kilometër përllogaritet në 1.27 miliardë lekë, ose më shumë se 10 milionë euro për kilometër. Qeveria shqiptare ka harxhuar vitin e kaluar për ndërtimin e një kilometri autostradë 4 milionë euro, ose 40% më shumë se kostot e reja të Bankës Botërore. Por shpenzimet katastrofike po vijnë nga kontratat me Partneritet Publik – Privat, të cilat që nga fillimi deri në angazhimin e punimeve kanë kaluar me mungesë të plotë transparencë dhe ende vlerat mbahen të fshehta. Kontrata ndërmjet kompanisë A.N.K dhe Ministrisë së Financave, për ndërtimin e autostradës Milot-Balldren, me gjatësi 17,6 kilometra e kategorisë A megjithe TVSH është rreth 250 mln euro. Kostoja për kilometër përllogaritet me 14.2 milionë euro, ose 2.3 herë më e lartë se kostot që përllogariti Banka Botërore së fundmi.

Qeveria e miratoi kontratën me kompaninë Gjoka Konstruksion, për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nëpërmjet formës koncesionare me Partneritet Publik – Privat vitin e kaluar në mars. Vendimi i qeverisë dhe më pas kontrata e plotë që u botua në Fletoren Zyrtare nuk e përmban vlerën e plotë financiare të saj. Kontrata është e shoqëruar edhe me 12 anekse ku saktësohen preventivat e sakta, por ato nuk janë publikuar sot e kësaj dite, dhe ka kaluar më shumë se një vit që është në zbatim.

Kompania Gjoka u përzgjodh fituese për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nga Ministria e Infrastrukturës kundrejt një vlere investimi prej 33,7 miliardë lekësh ose 260 milionë euro. Por kjo është vetëm vlera e investimit pa llogaritur TVSH, Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se financimi i plotë i Rrugës së Arbrit është më shumë e lartë për shkak se buxheti i shtetit ka financuar tashmë 20 kilometra të saj me fonde buxhetore. Duke përfshirë edhe TVSH-në, e cila nuk është përfshirë në vlerën e kontratës dhe fondet buxhetore të paguara. Tashmë vlera e financimit të saj i kalon mbi 300 milionë eurot. Rruga e Arbrit është e kategorisë C2, me gjatësi 75 kilometër, ku 20 kilometra janë financuar me fonde buxhetore. Sipas kostove të reja të Bankës Botërore, një rrugë interurbane e kategorisë C kushton 1 milion euro për kilometër. Qeveria shqiptare do të harxhojë pesëfishin, pasi për 1 kilometër të saj qeveria do ta paguajë kompaninë Gjoka me 6 milionë euro. Rruga e Arbrit, e cila lidh Tiranën me Maqedoninë nëpërmjet Dibrës, nisi si ide në vitin 2008. Projekti i propozuar ishte një rrugë e tipit C, me gjerësi 7 metra, kostoja totale e të cilit fillimisht u llogarit 150 milionë euro, për shkak të punimeve të vështira në një terren malor me shumë tunele. Për shkak se të gjitha studimet e nxorën rrugën jo fizibël, qeveria nisi ndërtimin e saj me fondet e veta, mirëpo kriza e vitit 2008 dhe shpenzimet e larta për Rrugën e Kombit kufizuan mundësitë për të ndërtuar Rrugën e Arbrit, edhe pse disa segmente të saj rreth 20 kilometra, kanë përfunduar, ndërsa pjesa më e vështirë me tunelet brenda mbeti e papërfunduar. Inxhinierët me përvojë, në kushtet e anonimatit, pohojnë se me çmimet e paketës së koncesioneve “One Billion” nuk mund të bëhet fjalë për analizë kosto-përfitim. Pasi balanca e përfitimeve shifrore nuk i justifikon këto shpenzime.

Përveç të tjerash, qeveria po përdor një procedurë absurde në dhënien e kontratave PPP, pasi është duke i negociuar interesat bankare, normat e fitimit dhe kostot e mirëmbajtjes me kompanitë pas përzgjedhjes së fituesit nga Ministria e Infrastrukturës. Në çdo rast, vlera e plotë financiare finale në kontratat PPP është 50% më e lartë. Kjo praktikë e ndjekur për Rrugën e Arbrit ishte e vlefshme dhe për ndërtimin me PPP të akseve Milot – Balldren dhe Orikum – Dukat. Ndërkohë që qeveria i ka miratuar kontratat pa njoftuar vlerat e tyre, Ministria e Financave është duke negociuar interesat e rrisin vlerën totale të kontratës së publikuar nga Ministria e Infrastrukturës me mbi 50%. Në javën e fundit të qershorit 2018, qeveria miratoi një bonus për kompaninë A.N.K sh.p.k., e cila ka paraqitur një ofertë të pakërkuar lidhur me ndërtimin e rrugës Milot-Balldren. Vlera e përafërt e ndërtimit e programuar nga qeveria, e bazuar në një studim fizibiliteti të Autoritetit Rrugor ishte 110 milionë euro me kursin zyrtar të këmbimit, të asaj kohe. Gjatë procesit të shpalljes së fituesit, vlera e investimit shkoi 168 milionë euro, pasi qeveria ka vendosur të marrë në konsideratë propozimin e kompanisë për projektin dhe jo variantin e saj, duke planifikuar një shpenzim 50% më të lartë se planifikimi fillestar. Por në negociatat që zhvilloi Ministria e Infrastrukturës dhe e Financave me kompaninë ANK për interesat bankare dhe normat e fitimit, e çoi vlerën e kontratës nga 168 milionë euro në 256 milionë euro. Rruga Milot – Balldren është e kategorisë A dhe është pjesë e Korridorit Jonian, me gjatësi rreth 18 kilometër. Me standardin e fundit të Bankës Botërore, një kilometër e kësaj kategorie kushton 6 milionë euro, ndërsa qeveria e kontraktoi me 14.2 milionë euro për kilometër ndërtimin e saj, ose 132% më shumë se standardi i kostove të Bankës së këtij viti.

Rruga Orikum – Dukat, me përmasat e një rruge turistike lokale, e tipit C2 me dy korsi, me gjerësi pak më shumë se 7 metra, mori miratimin e qeverisë më herët këtë javë për t’u ndërtuar me koncesionin PPP. Në gjysmën e parë të vitit 2018, Ministria e Infrastrukturës vendosi që të miratonte bonusin me 6% të pikëve për kompaninë Gjikuria sh.p.k. e cila ka bërë një ofertë të pakërkuar për segmentin nga Porti i Jahteve në Orikum deri tek Ura e Shën Elizës në Dukat, me gjatësi 15 kilometra. Kjo është faza e parë për këtë rrugë, e cila llogaritet me kosto 67 milionë euro, ku përfshihet ndërtimi, mirëmbajtja me kosto 50.5 milionë euro dhe interesat me rreth 17.5 milionë euro. Sipas kontrates qe tashmë po diskutohet në parlament vlera e financimit për 13 vite do të jetë 67 milionë euro. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore, që i takojnë vitit 2018, një rrugë e standardit C2 kushton më pak se 1 milion euro, ndërsa sipas qeverisë pritet ta çojë vlerën e plotë të kontratës në 4.4 milionë euro për kilometër. Në vitin 2009, qeveria shqiptare ka ndërtuar 35 kilometër rrugë të tipit C2, të cilat sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, kanë kushtuar 664 mijë euro për kilometër. Një kilometër rrugë lokale, me dy korsi, do të ndërtohet me kosto 4 herë më të larta se kostot reale të këtij viti. Madje, rruga që lidh fshatrat e Vlorës dhe nuk është pjesë e planeve strategjike të transportit të Shqipërisë, po kushton gati sa kostoja reale e një autostrade.

 

Ndërtimi i rrugëve është një histori e errët në ekonominë e tranzicionit të Shqipërisë, për shkak se planifikimi dhe ndërtimi i tyre është bërë pa pasur fillimisht një model zhvillimi, çka solli më tej projekte kryekëput të gabuara, me fizibilitet të ulët dhe së fundmi, kosto të larta nëpërmjet investimeve PPP (Partneritet Publik-Privat) që rrezikojnë ta çojnë vendin në një katastrofë fiskale.

Inxhinieri i njohur i rrugëve, profesor Faruk Kaba, i cili ka bërë thuajse të gjitha projektet e fizibilitetit të rrugëve në Shqipëri thotë se, është ndjekur një praktikë e gabuar për ndërtimin e rrugëve. Sipas tij, investimet e para duheshin bërë në zonën e qendrës, ku është edhe trafiku më i madh i lëvizjes. Në këtë këndvështrim, duhej të ishte përfunduar boshti i qendrës nëpërmjet aksit Thumanë – Rrogozhinë dhe duhet të bëhet zgjerimi i autostradës aktuale Tiranë – Durrës, ku duhet zhvilluar një linjë e re hekurudhore. Por teksa qeveria shqiptare ka investuar në akset që lidhin Veriun me qendrën nëpërmjet Rrugës së Kombit, Juglindjen me Tiranën nëpërmjet autostradës Tiranë – Elbasan dhe Jugun me autostradën Durrës – Vlorë, e ka lënë qendrën e vendit rrëmujë. Ndërtimi i segmentit Milot – Balldren, pa ndërtuar me katër korsi aksin Rrëshen – Milot të Rrugës së Kombit dhe pa ndërtuar aksin Thumanë -Rrogozhinë është tërësisht pa leverdi, shpjegojnë ekspertët. Faza e parë e koncesionit PPP Thumanë-Kashar e aksit Thumanë – Rrogozhinë u anulua nga qeveria më herët këtë vit, me arsyetimin se fondet do të jepeshin për Arsimin e Lartë. Anulimi i kontratës me këtë argument, pasi ishte shpallur fituese kompania Gener 2, rrezikon ta çojë projektin në gjykatë dhe të krijojë një penalitet të ri për qeverinë shqiptare.

Rrugët me financim të huaj, ndërtohen 10 herë më lirë se me taksat tona

Prej vitesh ekziston një praktikë ku rrugët e ndërtuara me fonde të brendshme kushtojnë shumë më tepër se e njëjta kategori rruge e ndërtuar me financim të huaj. Kjo diferencë sistematike në koston për kilometër të ndërtimit me fonde të brendshme dhe të huaja tregon keqadministrimin e fondeve publike në procesin e investimeve. Për shkak se investimet me financim të huaj kalojnë në procedura e praktika kontrolli, që nuk lejojnë kosto jo logjike. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës në “Raportin e Monitorimit 2018”, shpenzimet faktike për ndërtimin e rrugëve ishin rreth 15 miliardë lekë, nga të cilat rreth 9 miliardë lekë financimin i brendshëm dhe 6.3 miliardë lekë financim i huaj. Shifrat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës tregojnë se për të njëjtën kategori rruge, kosto e financimit me fonde të brendshme është 10 herë më e lartë se me fonde të huaja.

Nga të dhënat shihet se nga financimi i brendshëm u harxhuan 4.2 miliardë lekë, me të cilat u ndërtuan 28.7 kilometër rrugë të kategorisë C. Kosto për kilometër me fondet e brendshme ishte 146 milionë lekë, ose 1.1 milion euro me kursin aktual të këmbimit. Po për kategorinë C, me fonde të huaja, u harxhuan 205 milionë lekë dhe u ndërtuan 12 kilometra. Kosto për kilometër ishte 17.1 milionë lekë, 136 mijë euro, ose 10 herë më e ulët se me financim të brendshëm. E njëjta diferencë vlen edhe për kategorinë B. Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2018 u investuan 1.7 miliardë lekë, me të cilat u ndërtuan 6.7 kilometra rrugë. Kosto për kilometër ishte 262 milionë lekë, ose 2 milionë euro për kilometër. Kosto për kilometër për të njëjtën kategori rruge me fonde të huaja kushtoi shumë herë më pak. Gjatë vitit 2018 u ndërtuan 89 kilometra rrugë të kategorisë B, me një shumë prej 3.2 miliardë lekësh. Kosto për kilometër ishte 36 milionë lekë ose 294 mijë euro për kilometër. Siç shihet nga të dhënat, kosto e financimit të brendshëm për kilometër me fonde të brendshme është fiks 10 herë më e lartë se me fonde të huaja. Në përllogaritje nuk përfshihen shpronësimet, pasi këto janë një zë i veçantë, që mbulon kostot si për financimin e brendshëm dhe atë të huaj. Gjatë vitit 2018 janë ndërtuar 4.2 kilometër autostradë e kategorisë A2 2×2 me një shumë 5.3 miliardë lekësh vetëm me fonde të brendshme. Kosto për kilometër përllogaritet në 1.27 miliardë lekë, ose më shumë se 10 milionë euro për kilometër.