Fatos Çoçoli: Shteti në hipotekat tona

459
Gjithnjë i kam parë hipotekat si krijesa të plotfuqishme. Si struktura mijërakëmbëshe(njëlloj si milingonangrënësi i madh) në shërbim të atij që i paguante në(n) dorë. Ose ndryshe: firmave të ndërtimit për certifikata trojesh në dëm të pronarëve që nuk binin dakord me kushtet e firmës, ish-bosëve kryetarë komunash apo kryetarë komisionesh kthimi të tokave nëpër fshatra, që bënë kërdinë duke dhënë Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) të falsifikuara ose abuzive, politikanëve, gjykatësve, prokurorëve, etj. Hipotekat kanë qenë në shërbim të gjithkujt që ofronte para, me përjashtim të interesave të pronave të ligjshme të qytetarit. Në rastin më të mirë, marrja e një certifikate nga qytetari i thjeshtë zvarritej, ngaqë që nga regjistruesi e deri tek specialisti më i thjeshtë ishin të zënë të gjithë deri në grykë në allishverishet e përmendura më sipër. Dikush për të përfituar drejt për së drejti, të tjerët për të siguruar dhe mbajtur vendin e punës duke u shërbyer bosëve lart, si dhe për të marrë thërrimet e banketit monstruoz. Në rastin më të keq, qytetarit i mohohej tërësisht e drejta e tij legjitime, në emër të abuzimeve të tjetërkujt mbi pronën e tij, abuzime të certifikuara këto nga hipoteka. Historia ime personale me një tokë të trashëguar nga gjyshi i përket rastit më të keq. Hipoteka e Tiranës kreu masakrën mbi një tokë brenda kufijve të tokës së gjyshit, të fituar me gjyqe të rregullt të formës së prerë që në vitin 1996, 21 vjet më parë, duke e mbivendosur atë 43 herë! Që nga shkurti 1999 e deri më 25 dhjetor 2016(me sa duket këtë parcelë të fundit e fali për Krishtlindje!). Në këta tetë muaj të këtij viti, unë dhe familja ime jemi rropatur çdo ditë pranë zyrave të Hipotekës Tiranë, por atë që na e certifikonte dhe me shkesa zyrtare na e njihte Zyra Qendrore e Hipotekave të Shqipërisë, Hipoteka e Tiranës, qeveri më vete, nuk e zbatonte! Vononte përgjigjet e shkresave. Kishte specialiste, gjoja të zellshme që të na ndihmonin, që na thoshin se “këto gjera i di mirë shefi i zonës. Flisni me të”. Po ç’të flisnim, kur ia kishim shpjeguar me dhjetra herë dhe kur, i gjendur përpara fakteve të pakundërshtueshme, na kishte dhënë të drejtë me gjysëm zëri!? Kuptohej se duhej folur ndryshe…Por nuk kisha dhe nuk desha(duke marrë borxh) të jepja para nën dorë për një të drejtë që ligji dhe gjyqi ma kishin dhënë të plotë 21 vjet më parë! “Je budalla!!”, më thoshin shokë dhe njerëzit e familjes. “Gjej para, merr kredi në bankë, paguaj, se ndryshe nuk do të marrësh gjë!”. Gjendja ndryshoi vetëm me dorëheqjen e detyruar të mbarë regjistruesve të Shqipërisë, kërkuar dhe bërë realitet nga Kryeministri Rama më 27 korrik të këtij viti. Erdhi një tjetër shef zone. Krye-Regjistruesja e re, Blerina Doracaj, më priti dje si qytetar, sikurse i pret të gjithë ata që kërkojnë takim me të. Bashkë me mua ishte një zonjë që ankohej për 57 metra të oborrit të saj që padrejtësisht nuk ia kishin njohur në Hipotekën e Tiranës, edhe pse zotëronte dokumente të vjetra ligjore për to. Unë me mijëra metrat e masakruar të tokës së gjyshit dhe zonja me oborrin e mohuar u dëgjuam që të dy me të njëjtën vëmendje dhe kujdes. As unë as ajo zonja nuk e njihnim Krye-Regjistruesen, as edhe kishim ardhur ta takonim me porosi apo pas ndonjë telefonate të ndonjë të rëndësishmi. Unë nuk kisha marrë as edhe dokumentet e pronës, aq i pashpresë isha në sprovën dhe takimin e radhës. Por gjendja ndryshoi menjëherë me interesimin e Krye-Regjistrueses. Tani ka shpresë për mua dhe familjen time, sikurse dhe besoj fort për të gjithë ata qytetarë(janë me mijëra dhe me dhjetëra mijëra në mbarë vendin) që kanë një problem madhor dhe shkelje të së drejtës së tyre legjitime të pronës nga hipotekat tona. Tani sinqerisht shoh dritë në fund të tunelit. Kam kaluar një kalvar 21 vjeçar dhe po nis të besoj se Shteti ka filluar të duket edhe tek hipotekat. Me ngadalë, me shumë vështirësi, ndoshta me shumë gabime dhe padrejtësi të reja nga mungesa e eksperiencës, por qytetari nuk do të jetë më plaçkë tregu. Për këtë jam i sigurt. 
Sigal