Integrimi europian i vendit ndodhet në një moment të vështirë dhe delikat, i cili po pengon avancimin e mëtejshëm të procesit.
Le të rendisim disa fakte dhe të vërteta përtej propagandës, se si kjo qeveri, me vendimet e saj, ka vepruar në kundërshtim me rekomandimet e Brukselit:
1. Afera e Portit të Durrësit, e cila ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, dhe për të cilën pati kundërshtime nga Brukseli për mungesë transparence në të gjithë procesin, i cili në fund dështoi.
2. Vjedhja më e madhe e fondeve të qytetarëve europianë përmes fondeve IPARD. Fondet për bujqësinë dhe fermerët, të cilët sot janë lënë në mëshirë të fatit, janë abuzuar nga kjo qeveri. Sipas zyrës OLAF në Bruksel, e cila hetoi rastin, është shprehur qartë se deri sa përgjegjësit të vihen para drejtësisë, fondet prej 120 milionë eurosh do të mbeten të bllokuara.
3. Miratimi i ligjit “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”, një tjetër aferë korruptive, ka sjellë reagim të qartë nga delegacioni i BE-së:
“Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.
Gjithashtu, kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita nga Ligji për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27. Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime.”
4. Ligji për mediat, ku kërkohej dekriminalizimi i shpifjes, u hartua me asistencën e BE-së, por në fund u miratua një variant i pakonsultuar, i cili nuk zgjidhi këtë shqetësim dhe nuk përmbushi standardet europiane. Sërish nuk kemi dekriminalizim të shpifjes, edhe pse është një kërkesë në kuadër të kapitujve themelorë.
5. Rasti i Radio Televizionit Publik Shqiptar, ku Kryeministri ka folur për shkrirjen e tij për t’i hapur rrugë ndërtimeve dhe pastrimit të parave. Në diskutimet në Bruksel është ngritur ky shqetësim, duke u theksuar se shërbimi publik informativ është një standard europian që duhet zbatuar. Pra, Brukseli e hodhi poshtë këtë ide si në kundërshtim me parimet europiane për median dhe të drejtën për informim.
6. Në çdo progres-raport kërkohet rritja e buxhetit për arsimin në Shqipëri. Minimumi për kërkimin shkencor duhet të rritet nga 0.03% në 1%, ndërsa në total nga 2.29% në 5%. Kjo nuk është marrë në konsideratë nga qeveria.
7. Pastrimi i parave mbetet një problem serioz. Sektori i ndërtimit, në veçanti, po përdoret si mekanizëm për pastrimin e parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të dhënat tregojnë se vetëm 20% e transaksioneve kalojnë përmes sistemit bankar, ndërsa 80% realizohen në forma informale.
Në Tiranë ka rreth 70 mijë apartamente bosh, çmimet arrijnë deri në 4000 euro/m², dhe të rinjve u duhen deri në 60 vite për të blerë një apartament. Ndërkohë ndërtohen kulla që qytetarët nuk i përballojnë dot.
8. Koncesionet dhe PPP-të janë kritikuar nga FMN dhe Banka Botërore si mekanizma jo transparentë, që rrisin barrën mbi buxhetin e shtetit dhe nxisin korrupsionin.
9. Ligji për “pasaportat e arta” u bllokua nga Brukseli si një mekanizëm me risk të lartë korrupsioni.
10. Siguria ushqimore në Shqipëri është në nivele kritike. Institucionet që paguhen për të garantuar sigurinë ushqimore varen direkt nga qeveria, e cila është përgjegjëse për produktet e skaduara apo të kontaminuara që shqiptarët u vënë fëmijëve në tryezë çdo ditë, nga mishi me salmonelë deri te qumështi pluhur dhe mielli i importuar. Në 13 vite në pushtet, qeveria e Edi Ramës e ka dëmtuar produktin vendas dhe markën “Made in Albania”, duke i hapur rrugë importuesve abuzivë.
11. Votimi për imunitetin e zv.kryeministres, duke penguar drejtësinë dhe duke ofruar mburojë politike, dha mesazhin se barazia para ligjit nuk ekziston. Ky ishte një tjetër hap që pengoi avancimin e integrimit. Paralelisht, në Parlament ka iniciativa për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, që synojnë t’i japin imunitet kryeministrit dhe qeverisë nga ndjekja penale.
Pyetja është: kush e pengon qeverinë të konsultohet me Brukselin përpara çdo vendimmarrjeje?
Të mos harrojmë deklaratat e Kryeministrit për alternativa si Kina, apo iniciativën “Open Balkan”, e cila nuk përfshinte Kosovën dhe u konsiderua e panevojshme përballë Procesit të Berlinit, të mbështetur nga BE-ja.
Po ashtu, qëndrimet e fundit në raport me Serbinë dhe presidentin Vuçiç kanë ngritur shqetësime për qasjen ndaj interesave kombëtare dhe standardeve europiane.
Ndërkohë, vendi duhet të fokusohet në përmbushjen e detyrimeve, siç ka bërë Mali i Zi, i cili në një periudhë të shkurtër ka mbyllur disa kapituj negociues, ndërsa Shqipëria ende nuk ka mbyllur asnjë.
Pra, këto janë faktet që tregojnë se kush e ngadalëson dhe pengon këtë proces. Këto janë faktet që provojnë se pasaporta europiane ishte thjesht një mashtrim elektoral dhe rruga e anëtarësimit shkon shumë përtej vitit 2030. Opozita nuk ka votuar kundër asnjë ligji të integrimit dhe nuk e ka marrë peng procesin, ndryshe nga sa ka ndodhur në të kaluarën. Përkundrazi, ne besojmë se Shqipëria duhej të ishte integruar dje, jo nesër.
Përmbushja e detyrimeve nënkupton ndërtimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut, mbi të gjitha për qytetarët tanë.



















