Tensione në Kuvend

“Drejtësia e Re” numëron dosjet pezull mes kritikave dhe përplasjeve me deputetët.  Retorika ‘nën hetim” për dosjet e nxehta dhe zvarritja e çështjes Mc Gonigal, PPP-të në shëndetësi, përfshirja e ministrave në përgjimet Sky ecc dhe krimet zgjedhore. Kreu i SPAK, Dumani: Ja ku janë zyrtarët më të korruptuar të drejtësisë dhe si po përhapet skema e pastrimit të parave

Altin Dumani e ndërtoi ligjërimin e tij në dy pika kryesore-së pari, në faktin që nuk mund të jepte përgjigje dhe komente për çështje konkrete; dhe, së dyti, në faktin që hetimet e SPAK-ut janë komplekse dhe kërkojnë kohën e tyre të nevojshme, herë pas here, edhe disa vite.

 Seanca Parlamentare e kësaj të hënë kishte në fokus raportimin e institucioneve të drejtësisë së re, me raportimin e Olsian Çelës së Prokurorisë së Përgjithshme, kreut të SPAK Altin Dumanit ndërsa raportet vjetore do të paraqesin edhe ILD, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i prokurorisë.Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u përball  për rreth 5 orë me akuza, kritika dhe ironi të shumta nga deputetët demokratë, teksa ndodhej në Parlament për të prezantuar raportin vjetor të punës së institucionit që drejton, për vitin 2023.

NOA

Por përballë sulmit frontal nga opozita, maxhoranca nga ana e saj duket se vijoi mbështetjen për kreun e SPAK. Deputetët u drejtuan pyetje lidhur me çështjet më në zë të kohëve të fundit, teksa nuk munguar as përplasjet me kundërpërgjigje mes palvëe.

Deputetët e opozitës, në shumicë dërrmuese, shprehën skepticizmin e tyre për aktivitetin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).Ata ngritën pikëpyetjet mbi qasjen e SPAK-ut, sidomos pas caktimit të masës “arrest me burg” për kryedemokratin Sali Berisha, ndërkohë që nga ana tjetër, evidentuan pasivitetin e prokurorëve specialë, si edhe zvarritjen me vite dhe pa asnjë konkluzion të hetimeve ku dyshohet se zyrtarë të lartë të kupolës qeveritare.

Retorika “ nën hetim”

Altin Dumani e ndërtoi ligjërimin e tij në dy pika kryesore-së pari, në faktin që nuk mund të jepte përgjigje dhe komente për çështje konkrete; dhe, së dyti, në faktin që hetimet e SPAK-ut janë komplekse dhe kërkojnë kohën e tyre të nevojshme, herë pas here, edhe disa vite.

Sa u përket raportimit për çështje konkrete, Dumani ka në krah parashikimet Kushtetuese. Ndërsa, lidhur me argumentin e zgjatjes së hetimeve për shkak të volumit të lartë të punës, kjo pikë është e diskutueshme, mjafton të hidhet një vështrim në rrafshin statistikor.

Ndërkohë, në lidhje me inceneratorin e Tiranës, i pyetur se pse nuk ka ende një përfundim të hetimeve, Dumani tha se nuk ka kompetencë në raport me hetimin e çështjeve penale konkrete, teksa sipas tij, ai mund të ndërhyjë vetëm me udhëzim dhe këtë gjë e ka bërë. Ai e konsideroi këtë dosje si shumë komplekse dhe hetim të vështirë.

Ndërkohë, kreu i SPAK nuk pranoi të prononcohej nëse ka nisje hetimi në lidhje për punësimin e ish-agjentit rumun, Florian Coldea si këshilltar i jashtëm i kryeministrit Edi Rama, i cili është nën hetim nga drejtësia në vendin e tij.

Edhe për abuzimin me fondet IPARD për Bujqësinë, Altin Dumani nuk pranoi të jepte detaje, por tha vetëm se është nën hetim.

Tensione në Kuvend

Teksa kreu i SPAK, Altin Dumani po raportonte mbi punën e Prokurorisë së Posaçme në Kuvend, debate me tone të ashpra janë zhvilluar në seancë.Teksa vendimi i Ermonela Felaj për t’i ka ndërprerë fjalën deputetes së PD, Etilda Hoti, ka shkaktuar pakënaqësi tek deputetët e opozitës.Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar që Hoti të marrë fjalën, duke iu drejtuar Felajt duke i thënë “nuk ke asnjë të drejtë t’i heqësh fjalën koleges, çfarë je ti, vlerësuese e zyshës së klasës së parë?” Ndërkohë, deputeti Flamur Noka i është drejtuar foltores ku ndodhej Dumani, ndërsa punonjësit e gardës kanë ndërhyrë duke mos e lejuar të afrohet.

Kreu i SPAK: Grupet kriminale janë sofistikuar, lekët pastrohen në Tiranë e jug, zyrtarët më të korruptuar të drejtësisë në Durrës dhe Shkodër

 Dumani u ndal gjerësisht te korrupsioni i funksionarëve publikë, ku tha se në vitin 2023 janë evidentuar shumë raste të abuzimit me fondet publike.Kreu i SPAK, tha se përdoren procedura që legalizojnë përvetësimin e fondeve publike, të cilat më pas kalojnë në përdorim të personave juridikë, të cilët ndryshojnë shpesh aksionerët dhe emrat tregtarë.“Lidhur me veprën penale të korrupsionit, hetimet penale të vitit 2023 tregojnë se korrupsioni përfshin veprime në dukje të ligjshme por që kanë si qëllim përfitimin e paligjshëm.Përdoren procedura që legalizojnë përfitimin nga fondet publike duke maskuar natyrën kriminale. Kjo ndodh shpesh dhe në mënyrë të organizuar duke përfshirë përdorimin e personave juridikë të cilët përfitojnë fondet publike të cilët shpesh ndryshojnë aksionerët ose emra tregtarë”, tha Dumani. Sa i takon pastrimit të parave, kreu i SPAK tha se fenomeni është i përhapur kryesisht në Tiranë dhe zona turistike, ku paratë e paligjshme investohen në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.“Parashtroj para jush disa të dhëna për sa i përket pastrimit të parave nga krimi i organizuar. Investime në prona të luajtshme dhe të paluajtshme, mbeten mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri. Veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë, por dhe zona turistike, si Vlora Durrësi dhe Lezha. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose në emra të të afërmve të personave të dyshuara.Kemi pasur dhe një rast ku organizatat e huaja kriminale kanë tentuar pastrimin e parave në Shqipëri përmes skemave të sofistikuara. Por skema është zbuluar dhe shuma e konsiderueshme e parave është sekuestruar”, tha Dumani.Dumani shtoi se “korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është evidentuar në Durrës, Shkodër, Tiranë, Laç dhe Fushë-Krujë”. Ai tha se grupet kriminale janë sofistikuar dhe se shqiptarët janë bërë faktor dominues në trafikun e drogës.

Dosja McGonigal në SPAK, PPP në shëndetësi , përgjimet e ministrave dhe krimet zgjedhore

Kryeprokurori i SPAK, Altin i është përgjigjur edhe pyetjeve të drejtuara nga deputetja e PD, Albana Vokshi. Dumani dha një bilanc të hetimeve lidhur me krimet zgjedhore.Dumani tha se SPAK ka gati një strategji që pritet ta publikojë në janar të vitit 2025 për krimet zgjedhore.Sa i takon çështjes McGonigal dhe pyetjes se përse Rama nuk është thirrur në SPAK, Dumani tha se është në hetim paraprak dhe i takon prokurorit të vlerësojë se kë dhe kur duhet të thërrasë neë SPAK.

Dumani: Lidhur me krimin zgjedhor, janë hetuar 50 procedime penale. 17 persona janë hetuar për krim zgjedhor, 8 për gjykim, 6 kërkesa për pushim, 1 është pezulluar, 1 është bashkuar. 32 janë mbartur për vitin 2024. Tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e SPAK sa i takon krimit zgjedhor,. Tregojnë se SPAK ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre. Në komisionin e ligjeve kam deklaruar që jemi drejt përfundimit të një strategjie sa i takon hetimit të krimit zgjedhor. Do bëhet publike në janar të 2025 dhe synimi është që në fillim të vitit 2024 ne të kemi krijuar instrumentet e nevojshme njerëzore por edhe mjetet teknike me qëllim hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme gjatë vitit 2025.

Dumani: E kam vënë re që jeni aktive sa i takon kallëzimeve, por për çështje ku jeni kallëzuese drejtoju SPAK me kërkesë për marrje informacioni. Duke qenë se je kallëzuese japim informacionin e nevojshëm. Janë çështje në hetim dhe s’mund të flas.

Vokshi: Cili është statusi i hetimit për 4 koncesionet në Shëndetësi?

Dumani: Një dihet që është për gjykim, një tjetër në hetim. Për informacionet drejtohu SPAK.

Vokshi: Se këta person që i konsideroni të përfshirë në veprimtaritë kriminale vazhdojnë ende? Kush i ka penguar hetimet? Kush i mbron drejtuesit e inkriminuar?

Dumani: Bashkëpunimi është shumë i mirë, problematika që ne kemi evidentuar e kam adresuar publikisht pjesë të raportit, edhe në Komisionin e Ligjeve. Është problematikë që duhet adresuar dhe po marrim masa për ta zgjidhur. Solla një shifër të punonjësve që janë proceduar në 3 vite, është një numër i lartë dhe po punojmë për zgjidhjen me policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme.

Vokshi: A keni konstatuar në dosjet e partnerëve, se në bisedat e Encrochat përfshihen ministra, deputetë, zyrtarë të drejtësisë. A keni pjesë të tyre që kanë zbardhur krimin elektoral, u kujtoj njërin prej episodeve për Metamorfozën ku Gjoka dhe Bajrat flasin për takime me Beqajn. A keni dijeni se ca ndodhi pastaj me Beqajn, a u vu në dispozicion të bandave kriminale?

Dumani: Është çështje në hetim, s’mund të them asgjë. SPAK duhet të jetë krenar për bashkëpunimit me agjencitë e europës, SHBA, Britanisë, kemi bashkëpunim dhe këto çështje bëhen në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar.

Vokshi: McGonigal, ka kallëzim nga Bardhi. Në çfarë faze janë hetimet, në 2 vite e gjysmë se keni parë të arsyeshme të thirret Rama?

Dumani: Është në hetim paraprak, është në vlerësimin e prokurorit se kë do thërrasë dhe kur do e thërrasë. E vlerëson ai kush është momenti më i përshtatshëm për të kryer veprimin e hetimor.

Vokshi: Pse nuk është bërë hetim për mënyrën e implementimin të koncesionit të sterilizimit? Në dijeni tonë është ndalur pjesa më e madhe tek pjesa e procedurës së dhënies së koncesionit.

Dumani: Depozitoni çdo gjetje që komisioni juaj parlamentar do vlerësojë se mund t’i shërbejë hetimit tonë, edhe në drejtim e të tjera. Çdo e dhënë është e mirëpritur sa kohë i shërben hetimit të gjithanshëm.