Komisioni Hetimor Parlamentar për të dhënat e TIMS ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku ka dëshmuar përpara deputetëve Dorian Tola, ish-drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar.
Ai ishte edhe dëshmitari i fundit në këtë Komision, ndaj mazhoranca ka kërkuar mbylljen e hetimeve për këtë çështje.
Por, opozita dhe kryetari i këtij komisioni, Ervin Salianji, kanë kërkuar zgjatjen e hetimit, për shkak se gjatë dëshmive kanë dalë të dhëna shumë të rënda, por edhe se dëshmitë e zyrtarëve të lartë kanë qenë kontradiktore.
“Kanë dalë të dhëna të llahtarshme që duhen të hetohen dhe persona që s’duhet të shmangen nga hetimi që ju ka dalë emri gjatë dëshmive. Dëshmitë e zyrtarëve të lartë kanë qenë kontradiktore, për këtë arsye duhej të kishim thirrjen e dëshmitarëve të tjerë”,- tha Salianji.
Salianji: A keni pasur presion për këtë rast?
Tola: Nuk kam pasur asnjëherë presion për çdo vendimmarrje.
Salinjai: Ligjërisht mund të ketë akses në informacion të klasifikuar cilido zyrtar i shtetit që nuk është i pajisur me këtë certifikatë?
Tola: Ligji është i qartë, një nga kushtet për t’u njohur me informacion të klasifikuar është pajisja me certifikatë sigurie të përshtatshme, por kjo nuk do të thotë që në momentin kur emërohesh të kesh certifikatën. Një nga kushtet e tjera është edhe nevoja për njohje. Kjo fillon nga momenti kur emërohesh në detyre. Përveç disa agjencive të inteligjencës që e kanë vendosur në ligjin e tyre që është kusht paraprak për emërimin në detyre pajisja me certifikatë sigurie të gjithë zyrtarët e tjerë, përfshirë edhe ministra pajisjen me certifikatë sigurie pasi emërohen në detyrë.
Ndërkohë, pas dëshmisë së Tolës, deputeti i PD-së, Asllan Dogjani kërkoi zgjatjen e afateve të hetimit, duke thënë se nuk i kanë shkuar deri në fund dhe se sipas tij duhet të vijë të dëshmojë edhe Kryeministri Rama.
Salianji: Kanë dalë të dhëna të llahtarshme që duhen të hetohen dhe persona që s’duhet të shmangen nga hetimi që ju ka dalë emri gjatë dëshmive. Dëshmitë e zyrtarëve të lartë kanë qenë kontradiktore, për këtë arsye duhej të kishim thirrjen e dëshmitarëve të tjerë.
Në mbledhjen e radhës pritet të diskutohen kërkesat e Partisë Demokratike dhe nëse socialistët do e rrëzojnë zgjatjen e hetimit, dy partitë duhet të kenë gati raportet mbi hetimin.



















