Eduard Halimi: 5 anëtar të organeve të Vettingut kanë falsifikuar dokumentat dhe kanë lidhje bashkjetese me kriminelë

318
Sigal

Analizë nga Eduard Halimi, ish-anëtar i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi: Kjo reformë prodhoi ato probleme që i kishim paralajmëruar së bashku me Venecian në paragrafin 98-100, dhe që përbënë një shkelje të rëndë të nenit 6 të Konventës, pasi është trupë e formuar jo sipas ligjit. Është e paimagjinueshme se si mund të emërohen anëtarë vetting-u, juristë të cilët kanë falsifikuar prova, janë juristë me mesatare 5, kanë fshehur të dhënat, kanë falsifikuar diplomat e gjuhës së huaj, kanë fshehur prona, nuk kanë deklaruar pasuri, dhe kanë lidhje të afërta bashkëjetese me njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale. Kush i mbron ata njerëz i bën një dëm të madh reformës. Kush i denoncon dhe kush i çon para drejtësisë i bën shërbimin më të madh reformës, dhe popullit shqiptar. Ja reagimet e Xhafës, Majkos dhe Barometri i Euronews Albania.

 

  • Reforma në Drejtësi prodhoi ato probleme që i kishim paralajmëruar së bashku me Venecian, ku gjyqtarët dhe prokurorët do viheshin në shërbim të politikës dhe mbrojtës të korrupsionit qeveritar. Ai që do ketë pushtetin do ketë edhe Vetting-un,- thoshte Venecia në paragrafin 98-100 në përgjigje të pyetjeve tona në vitin 2015. Dhe ashtu doli!

  • E kam ngritur që në fillim se kandidatët nuk kanë integritet, dhe se pa u bërë Vetting-u i anëtarëve të KPA dhe KPK, ata nuk mund të Vetting-onin të tjerët. U refuzua me arrogancë, dhe u bë kompromis vrastar për reformën. Ata janë lehtësisht të shantazhueshëm. Dhe janë më shumë se 5 të tjerë në dijeninë time, të cilët mbahen vetëm, sepse janë lehtësisht të shantazhueshëm dhe mediokër, që firmosin çfarë iu vendosin përpara.

  • Është e paimagjinueshme se si mund të emërohen anëtarë Vetting-u, të cilët kanë falsifikuar prova, janë juristë me mesatare 5, kanë fshehur të dhënat, kanë falsifikuar diplomat e gjuhës së huaj, kanë fshehur prona. Nuk kanë deklaruar pasuri, tatime, kanë lidhje të afërta bashkëjetese me njerëz me rekorde të tmershme kriminale. Kush i mbron i bën një dëm të madh reformës dhe Shqipërisë.

Ekskluzive për Telegraf me Av.Eduard Halimi, ish-ministër i Drejtësisë, ish-Avokat i Shtetit dhe drejtues i studios Ligjore Halimi LAË &TAX

Votimi që ju bë në komisione parlamentare të njerëzve mediokër dhe lidhjeve okulte dhe miqësore të PS ishte ‘thikë në shpinën’e PD-së.

 

Intervistoi

Ëngjëll Musai

Migena Neli

Eduard Halimi që në vitin 2015 , kur filloi ideimi dhe ngjizja e Reformës në Drejtësi, pati  paralajmëruar se: “Reforma në Drejtësi, nuk po udhëhiqet nga ekspertiza ndërkombëtare. Është e vërtetë që disa misione janë ftuar të jenë pjesë e procesit dhe ata kanë dhënë mendime shumë të vlefshme për reformimin e sistemit. Por grupi i ekspertëve përbëhet në të shumtën e tyre nga njerëz afër PS-së. Nga 24 ekspertë, vetëm 6 janë ekspertë të huaj dhe procesi udhëhiqet ekskluzivisht nga PS-ja dhe përfaqësuesit e saj në komision dhe grupe pune”. Sot pas 7 vitesh Eduart Halimi, ish-ministri i Drejtësisë, ish-deputeti i PD, dhe anëtar i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, analizon situatën e rëndë ku është katandisur kjo reformë, kapjen e saj nga politika ashtu sikurse e paralajmëroi në atë kohë z.Halimi dhe Komisioni Venecias, politizimi i KPA, KPK, KLGJ, KLP dhe organeve të tjera të pavarura të të ashtuquajturës reforma e “Re” në drejtësi. Shumë individë kanë një të kaluar të dyshimtë dhe u mungon integriteti dhe janë të shantazhueshëm për shkak të falsifikimeve të dokumentave të konkurimit, por edhe të provave gjatë karrierës së tyre në institucionet e drejtësisë, pasurisë së fshehur,  dhe lidhjeve me njerëz me rekorde të tmershme kriminale. Madje Av.Eduart Halimi ka qenë kundër emërimit të anëtarëve që kanë  hartuar Reformën në Drejtësi, në institucionet që do krijoheshin menjëherë pas miratimit të ligjit për Veting-un. Kjo kishte një arsye të thjeshtë, por edhe morale, pasi do të ishte e papranueshme që ata që do përgatisnin ligjin të vinin kritere për t’u vete-emëruar. Fillimisht ky kusht u pranua me konsesus të plotë, por në ditën e fundit të miratimit të Ligjit për Vetting-un nga deputetët, kjo pikë u hoq nga Ligji, çka krijoji këtë amulli që kemi sot, duke zhgënjyer qytetarët, por edhe duke i dhënë fuqi politikës së shumicës, e cila e përdori si gjueti shtrigash në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të kalonin në Vetting, ku kriteri bazë do ishte besnikëria ndaj “Rilindjes”. Ja intervista e Av.Eduard Halimi dhënë për Gazetën Telegraf.

Reforma në Drejtësi, për të cilën ju ishit një nga arkitektët e saj, madje e mbrojtët me shumë profesionalizëm dhe gjetët mbështetjen e plotë të Venecias, duket se ka dështuar dhe është kthyer në një çështje emrash të klientëve të qeverisë?

Ka një cedim të fortë të besimit të qytetarëve tek sistemi i drejtësisë dhe reforma në drejtësi. Tashmë këtë nuk e thotë opozita, e cila është kompleksuar dhe nga propaganda e qeverisë, por e thotë media sipas sondazheve. Barometri i Euronews një televizion elitar në Shqipëri, por edhe në gjithë Europën, theksonte se besimi kishte rënë në nivele drastike. Tashmë për çdo qytetar është bërë e qartë se drejtësia e re nuk është ajo që prisnin para 6 vitesh. Ajo që na dha të drejtë komisioni i Venecias dhe që u refuzua me arrogancë nga qeveria po vërtetohet çdo ditë. Vettingu është lehtësisht i kapshëm politikisht. Ai që do ketë pushtetin do ketë edhe Vetting-un thoshte Venecia në paragrafin 98-100 në përgjigje të pyetjeve tona në 2015. Dhe ashtu doli. Në përgjigje të pyetjeve tona Venecia thoshte se “gjatë vetting-ut gjyqtarët e prokurorët nën proces do të jenë lehtësisht të shantazhueshëm nga partia në pushtet” dhe ashtu po del. Shihni super aferat dhe gjyqtarët e prokurorët bëjnë sikur nuk shohin. Venecia në përgjigje të pyetjeve tona thoshte se “ndërtimi i një piramide të re do kërkonte njerëz dhe burimet shqiptare janë të pakta çka do çojë në kapjen e këtyre institucioneve”. Dhe ja tani e shohim pas 6 vitesh se kush janë në krye të institucioneve të reja. Dhe këtu nuk ka faj qeveria që i kapi, sepse PS nuk kishte as 94 vota për Kushtetutën dhe as 84 vota për 6 ligjet që lejuan kapjen tërësore. Në mënyrë të padiskutueshme ka faj edhe gjithë pjesa tjetër që nuk rezistoi, por u tërhoq zvarrë nga propaganda për të ceduar në parimet kryesore për të cilat kurrë nuk duhej ceduar. Bojkotimi që iu bë procesit të hartimit të ligjeve, përzgjedhjes se drejtuesve të institucioneve ishte një dëm i madh që iu bë PD. Votimi që ju bë në komisione parlamentare të njerëzve mediokër dhe lidhjeve okulte dhe miqësore të PS ishte ‘thikë në shpinën’e PD-së dhe padyshim që na vjen tani në këto tonalitete dhe ngjyra! Unë e kuptoj se politika është arti i kompromisit, por ato kompromise politike sollën këtë dëm të jashtëzakonshëm ku të gjitha pushtetet i ka PS, të gjithë të emëruarit në postet kyçe janë njerëzit e PS. Indiferenca, apo bojkoti i proceseve ishte gabim.

A mendoni se fillimi i disa prej anëtarëve të vettingut e ka kompromentuar rëndë vendimarrjen e tyre?

Është e padiskutueshme PO. E kam ngritur prej fillimit këtë çështje se kandidatët nuk kanë integritet, se pa u bërë vetting-u i tyre ata nuk mund të vetting-onin të tjerët. Dhe kjo është logjikë e thjeshtë dhe racionale. U refuzua me arrogancë dhe u bë kompromis vrastar për reformën. Ata janë lehtësisht të shantazhueshëm. Dhe janë më shumë se 5 të tjerë në dijeninë time, të cilët mbahen vetëm, sepse janë lehtësisht të shantazhueshëm dhe mediokër, që firmosin çfarë iu vendosin përpara. Dëmi që i bëjnë njerëz të tillë drejtësisë është i dyfishtë: Nga njëra anë ata janë selektivë dhe dëmtojnë procesin pasi përdoren lehtësisht, nga ana tjetër, pjesëmarrja e tyre në procese përbën shkelje të rëndë të nenit 6 të Konventës pasi është trupë e formuar jo sipas ligjit. Për mua është e paimagjinueshme se si mund të emërohen anëtarë vetting-u, juristë, të cilët kanë falsifikuar prova, janë juristë me mesatare 5, kanë fshehur të dhënat, kanë falsifikuar diplomat e gjuhës së huaj, kanë fshehur prona, nuk kanë deklaruar pasuri, tatime, kanë lidhje të afërta bashkëjetese me njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale. Kush i mbron ata njerëz i bën një dëm të madh reformës. Kush i denoncon, kush i çon para drejtësisë ata  njerëz i bën shërbimin më të madh reformës, dhe popullit shqiptar. Dhe inkurajoj secilin që t’i bëjë këtë shërbim reformës.

Shpesh keni deklaruar se edhe Harta e Re Gjyqësore, ka si qëllim kapjen nga politika të tre gjykatave dhe përqendrimin në një dorë të vetme prej saj. Por edhe përfaqësuesi i PS Fatmir Xhafaj, ish-kreu i Komisionit të Reformës ka deklaruar se ndjente zhgënjim, për arnimet që ju bënë Ligjit të Vetting-ut dhe ndihej i turpëruar prej emrave të përzgjedhur?

Nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë të z. Xhafaj, por as nuk dua të replikoj meqenëse ai është në politikën aktive dhe unë në profesionin tim të lirë. Por është e vërtetë ama që Harta e re gjyqësore është bërë nga njerëz amatorë të zgjedhur prej nesh, njerëz mediokër, që e bëjnë atë dokument problematik. Dhe do sjellë padyshim probleme të mëdha në eficencë dhe akses për qytetarët dhe sidomos për bizneset. Nga ana tjetër më vjen mirë (nëse vërtet z. Xhafaj ka thënë kështu), sepse ndajmë plotësisht të njëjtin mendim me të. Disa nga emrat e votuar në Parlament për KPK, KPA, KLGJ, KLP etj, janë vërtet për të ardhur turp. Është ajo që ka thënë Komisioni i Venecias para 7 vitesh në përgjigje të pyetjeve tona, dhe që vërtetohet plotësisht tani. Janë të gjitha këto fenomene dhe besoj mbrojtja, që i bëhet individëve të tillë ajo që e dëmton më shumë reformën.

Zoti Halimi, faleminderit që ndatë me ne, opinionet tuaja në këtë intervistë të gjatë dhe të detajuar dhe ju urojmë suksese në profesionin tuaj.

Ju faleminderit dhe ju, për mundesinë në një gazetë Prestigjioze që meriton një vlerësim të jashtëzakonshëm për vëmendjen ndaj problemeve të qytetarëve, korrupsionit dhe shpenzimeve të parave publike. Suksese dhe ju.

Ja reagimet e Xhafës, Majkos dhe Barometri i Euronews Albania:

Deputeti Fatmir Xhafaj, ish-kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe ish-ministër i Drejtësisë

Ideatori i reformës në drejtësi, ripërsëriti rezervat e tij për mënyrën si është kryer vettingu deri më tani dhe për integritetin e emrave të zgjedhur në këto organe. “Duke i njohur këto merita shumicës prej tyre në KPK dhe veçanërisht në KPA nuk kemi pse të mos pranojmë se disa ndër ta nuk e kanë merituar këtë përgjegjësi dhe me mungesën e integritetit e ndershmërisë publike kanë cënuar vlerat e këtij procesi. Ky është fakt që më së pari ne duhet të na bëjë të skuqemi për zgjedhjet e gabuara që kemi bërë kur kemi shtypur butonin për ta. Gabim që e kemi bërë edhe me disa zgjedhje në KLP e KLGJ dhe që mesa po shoh edhe sot vështirë të ndahemi nga kjo praktikë me qasjen që kemi”. Xhafaj tha se ka raporte që tregojnë “probleme me ritmin, me shpejtësinë për çështjet prioritare, me vonesat e pajustifikuara në afatet e gjykimit deri edhe zvarritjen e qëllimshme për disa prej tyre” si dhe për perceptime e akuza për cënim të paanshmërisë e objektivitetit. “ONM mund e duhet të luaj një rol shumë më proaktiv në gjykimin dhe ndëshkimin e praktikave të tilla”.

Pandelli Majko, Deputet i PS dhe ish-kryeministër

Majko u shpreh se mosmarrëveshjet mes institucioneve të drejtësisë, duke shpjeguar se Kryeprokurori është në krizë me institucionet e drejtësisë, ndërsa SPAK në luftë të ftohtë me Byronë Kombëtare të Hetimit, gjë që e ka dëmtuar tepër ecurinë e këtyre institucioneve. Krimi, korrupsioni, grabitja dhe shkarkimet selektive, sidomos mbajtja në gjyqësor e njerëzve me mbështetje politike, që kanë gjykuar çështjet e deputetëve, tregojnë se drejtësia ka kapitulluar. Ja deklarata e plotë e deputetit Majko: “Kjo statukuo ka krijuar të paprekshëm. Prishja e saj ka qenë qëllimi kryesor i reformës në drejtësi. Pagat dhe strukturat e reja janë dytësore karshi qëllimit për të ndarë sistemin e drejtësisë nga influenca e të mësuarit me erën e krimit. Marrëdhënia e prokurorit të Përgjithshëm me strukturën e drejtësisë është në një krizë të pashpallur, ndërsa në SPAK marrëdhënia e Prokurorisë së Posaçme me Byronë Kombëtare të Hetimit ka cilësinë e luftës së ftohtë”.


Barometri i Euronews Albania

Sondazhi rrëzon propagandën e shpifur që servir për sukses dështimin e reformës në drejtësi! Ky studim dëshmon qartë se sot pas 6 vitesh shqiptarët nuk besojnë më në propagandën e shpifur që kërkon t’ju servirë dështimin e plotë të pseudoreformës së drejtësisë si sukses të vërtetë. Sipas këtij studimi Drejtësia në Shqipëri është në kontroll politik të plotë. Studimi i Barometrit provon se:

1-Vetëm 31% e shqiptarëve besojnë në pavarësinë e gjyqësorit nga politika, kurse 60,9% e tyre e konsiderojnë të varur nga politika.

2-Vetëm 35,9% besojnë se ky sistem jep drejtësi për qytetarët kundrejt 59,1 që mendojnë të kundërtën, se nuk jep drejtësi për qytetarët.

3- Vetëm 38,9% e shqiptarëve besojnë se ky sistem ndëshkon politikanët, kurse 57,6% besojnë të kundërtën.

4-Studimi gjithashtu provon se për shqiptarët SPAK-u është institucion i PS pasi atij i besojnë rreth 70% e votuesve socialistë, por vetëm 31% e votuesve neutral dhe 12% e votuesve të PD.