Erisa Xhixho: Bashkimi Europian duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme me sanksione ndaj Serbisë për aktin terrorist në cenim të sovranitetit Republikës të Kosovës

44
Sigal

Nga Erisa Xhixho

Sulmi terrorist kundër Republikës së Kosovës në Veri të Mitrovicës gjatë të cilit humbi jetën polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën tre të tjerë, dëshmon edhe njëherë se Serbia jo vetëm nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë në përpjekjet për dialog, po përkundrazi, ka mbetur ajo që ka qenë, gjeneratore e dhunës dhe e konfliktit në Kosovë dhe më gjerë.

Ngjarja e fundit, grupi terrorist dhe arsenali i armatimit që ata zotëronin është dëshmi e qartë e një strategjie të planifikuar prej kohësh nga qarqet e Beogradit për detabilizimin e situatës dhe krijimin e një klime permanente terrori e krimi në Veri të Mitrovicës.
Ndërkaq, ky akt terrorist është edhe këmbana e alarmit për bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht për BE-në, e cila duhet ta kuptojë një herë e mirë se regjimi i Beogradit nuk mund të jetë partner i besueshëm jo vetëm pa dënuar aktin si shfaqje eksteme e veprimtarisë terroriste, por nëse nuk dorëzon para drejtësisë të gjithë grupin e terroristëve që gjeti strehë e mbrojtje në Serbi.
Bashkimi Europian duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme me sanksione ndaj Serbisë për aktin terrorist në cenim të sovranitetit Republikës të Kosovës.
Nuk mund të ketë as dialog dhe as konferencë paqeje me një shtet që ndërmerr akte terroriste ndaj një shteti tjetër sovran apo që bëhet frymëzues, mbështetës dhe mbrojtës i grupeve terroriste.
Shpallja e zisë kombëtare nga ana e qeverisë së Beogradit në nderim të terroristëve serbë që mbetën të vrarë nga veprimi profesional dhe në mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Kosvës nga ana e policisë kosovare, është dëshmia më e qartë se cila është fytyra e vërtetë e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.