Engjëll Musai: Kapitullon Porti i Durrësit, qindra kontenjerë e dhjetra anije mbeten në det të hapur

339
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Engjëll Musai, Drejtor i Gazetës ‘Telegraf’

Mbi 600 milionë euro të investuara në Portin e Durrësit në këto vitet e fundit, duket se janë vetëm sa për statistikë, pasi ky port, po degjeneron nga dita në ditë. Me sa duket, dy janë arsyet e fundosjes së portit nga më të rëndësishmit e Ballkanit dhe të Mesdheut. E para, ka të bëjë me faktin që këto para të investuara në letra dhe projektet “3 D” të ‘rilindjes’, nuk kanë shkuar në destinacionin e duhur, sikurse janë shërbimet dhe modernizimi i portit, por janë përdorur për të paguar qindra mijëra militantë në punësimet elektorale, si ato lokale, ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare.

“Shkatërrimi i shërbimeve po bëhet, ndoshta për të vënë në zbatim dhënien e këtij porti arabëve, që kryeministri Rama e prezantoi si suksesin më të madh të investimeve prej 2 miliardë USD, pa harruar se sa miliarda të tjera do të duhen për ta ribërë”

E dyta, lidhet me një fakt tjetër, që është jo vetëm trishtues, por edhe i dënueshëm penalisht, pasi shkatërrimi i shërbimeve po bëhet, ndoshta për të vënë në zbatim dhënien e këtij porti arabëve, të cilët kryeministri Rama e prezantoi si suksesin më të madh të investimeve prej 2 miliardë USD, pa harruar se sa miliarda të tjera do të duhen për ta ribërë dhe sa miliarda të tjera do të humbasin bisneset, tragetet, kontenjerët, transporti i qytetarëve, deri në përfundimin e këtij porti të “ri”. Dhe problemet kanë filluar, pasi ka mbi 10 ditë, që tregtarët, biznesi dhe kompanitë eksportuese e importuese, po përballen me problemet në portin e Durrësit ku anijet, tragetet, sheshi i kontenjerëve, ai i shërbimeve të pasagjerëve, është futur në kaos të plotë. Nga tre vinça të mëdhenj të ngarkim -shkarkimit, që merren me shkarkimet e anijeve të mallrave, kontenjerëve para 1 jave, nuk punonte asnjë. Aktualisht është vënë në punë vetëm 1 vinç dhe kjo ka bërë, që dhjetra e qindra anije, tragete dhe transportues, të qëndrojnë në  mes të detit.

“Disa biznese dhe tregtarë e shikojnë si një lojë të ndyrë të konkurrencës, të cilat kanë futur mallra në Shqipëri dhe duan tu shiten produktet e tyre, duke bllokuar mallrat e ardhura nga konkurrentët që presin në det”

Nuk dihet arsyeja e kësaj maskarade, por disa biznese dhe tregtarë e shikojnë si një lojë të ndyrë të konkurencës së bizneseve, të cilat kanë futur mallra në Shqipëri dhe duan tu shiten produktet e tyre, duke bllokuar në këtë mënyrë mallrat e ardhura nga konkurrentet që presin në det. Kjo mund t’u shkaktojë bizneseve humbje të mëdha, pasi, përveç kontratave, një pjesë e këtyre mallrave mund të prishen. Do depozitojnë padi në gjykata kundrejt Portit të Durrësit, për të dëmshpërblyer dëmin kolosal të shkaktuar nga papërgjegjshmëria e Autoritetit Portual të Durrësit dhe kompanive nënkontraktore të përzgjedhura nga ky autoritet shtetëror.