SHBA do të transferojë afganët, që ndihmuan trupat amerikane

268
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Helene Cooper dhe Eric Schmitt në  “NY York Times”

Transferimi i afganëve bëhet me synimin për të zhvendosur përkthyesit afganë dhe persona të tjerë që kanë punuar ngushtësisht  me forcat amerikane, në vende të sigurta, derisa të pajisen me vizat hyrëse në SHBA, ka deklaruar Presidenti i SHBA Joe Biden, ditën e enjte. Ai më konkretisht ka thënë se mijëra përkthyes, shoferë dhe ekspertë të tjerë afganë, që kanë punuar me forcat amerikane, do të zhvendosen në një vend i tretë, derisa vizat e tyre amerikane të jenë gati. Presidenti Biden ka thënë të enjten se, administrata e tij do të fillojë zhvendosjen nga Afganistani të mijëra përkthyesve afganë, shoferë dhe ekspertë të tjerë që kanë punuar me forcat, në një përpjekje për t’i mbajtur ata në vende  të sigurta, derisa ata aplikojnë për vizë-hyrjeje në Shtetet e Bashkuara. “Ata që na ndihmuan, nuk do të lihen t’ju rrezikohet jeta,” u tha z. Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Në fazat e fundit të tërheqjes nga Afganistani, pas 20 vitesh luftë, Shtëpia e Bardhë ka qenë nën presion të madh për të mbrojtur bashkëpunëtorët afganë nga sulmet hakmarrëse të talibanëve dhe për të shpejtuar procesin e gjatë e kompleks të pajisjes së tyre me viza të veçanta emigrimi.

Të mërkurën, zyrtarët e administratës amerikane filluan të njoftonin ligjvënësit se ata së shpejti do të fillonin lëvizjen e dhjetëra mijërave afganëve. Zyrtarët amerikanë i kanë deklaruar “NYT” se, afganët do të zhvendosen jashtë Afganistanit, ndoshta në Guam ose diku tjetër, me lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara, për të pritur plotësimin e kërkesave të tyre për viza hyrëse në SHBA.  Zyrtarët amerikanë nuk kanë pranuar të japin sqarime të detajuara se ku konkretisht do të priten afganët dhe nuk ishte e ende e qartë nëse vendet e treta kishin rënë dakord t’i merrnin ata. Guam, i cili është një territor i SHBA-së, është për momentin një nga vendet e mundshme, kanë deklaruar zyrtarët amerikanë. Mundësia për të lëvizur do t’u jepet personave që kanë filluar tashmë procesin e aplikimit për vizë. John F. Kirby, zëdhënësi kryesor i Departamentit të Mbrojtjes, u tha gazetarëve të enjten se, Pentagoni, Departamenti i Shtetit dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, ishin ende duke përpunuar detajet e kësaj zhvendosjeje. “Ne jemi të përkushtuar për të ndihmuar këtë zhvendosje nga Afganistani,” tha ai. Pentagoni ka bërë plane për të evakuuar deri në 100,000 njerëz, duke përdorur avionë civilë e ushtarakë, eventualisht edhe me qira, por z. Kirby tha se ai nga diskutimet e brendshme, nuk kishte të dhëna për një numër kaq të lartë afganësh.

Helene Cooper është korrespodente e Pentagonit

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Zyrtarët e administratës amerikane dhe ligjvënësit na informuan për disa projekte paraprake të planit të zhvendosjes, duke saktësuar se disa destinacione të përkohshme për aplikantët e vizave afgane ishin në diskutim,  përfshi disa vende të Lindjes së Mesme e Guam. Më shumë se 18,000 afganë që kanë punuar si përkthyes, shoferë, inxhinierë, roje sigurie apo nëpunës në ambasadën e SHBA-së gjatë luftës, janë lënë në harresë nga zvarritjet burokratike, pasi kanë aplikuar për viza të posaçme imigrimi, që u janë premtuar të gjithë atyre që janë kërcënuar për shkak të punës për qeverinë amerikane. Ndërkohë bashkëpunëtorët afganë që kanë aplikuar për vizë, kanë në ngarkim edhe 53,000 anëtarë të familjeve të tyre. Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se sipas planit të tyre, anëtarët e familjeve të aplikantëve afganë, do të zhvendosen gjithashtu, nga Afganistani në pritje të pajisjes me viza. Transporti jashtë Afganistanit nuk u jep atyre asnjë siguri për të fituar vizë hyrjeje për në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, është ende e paqartë nëse atyre që do t’ju refuzohet viza do të rikthehen në Afganistan. Zyrtarët amerikanë qëndruan anonimë gjatë të gjithë bisedës, se s’ishin të autorizuar të flisnin publikisht për vendimin. Ky vendim është marrë kur, Biden përgatitet të takohet të premten me Presidentin afgan, Ashraf Ghani, për të disktuar lidhur me përkeqësimin e situatës së sigurisë në vend. Bashkëpunëtorët e presidentit amerikan thanë se z. Biden, do t’i bënte presion  z. Ghani për nevojën e unitetit midis udhëheqësve vendas, duke i nxitur ata të ndalonin luftimet mes tyre në këto momente kur, vendi është në krizë të thellë dhe forcat qeveritare, rrezikojnë të humbasin kontrollin e vendit nga sulmet e talibanëve. Ata thanë se Biden do ta siguronte z. Ghani për mbështetjen e vazhdueshme financiare nga SHBA për qeverinë e popullin e Afganistanit, duke përfshirë një paketë ndihme humanitare prej 266 milionë dollarë dhe 3.3 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë, si dhe ndihmë të konsiderueshme në luftën kundër koronavirusit, me vaksina, me komplete testimi dhe pajisje mbrojtëse personale.

Zyrtarët thanë se administrata amerikane kishte punuar për të modernizuar procesin e dhënies së vizave për afganët, të cilët kishin bashkëpunuar me forcat amerikane dhe kishte shtuar njerëz për të trajtuar aplikimet e tyre. Presioni mbi administratën amerikane për të vepruar me shpejtësi është rritur në mënyrë të qëndrueshme javët e fundit, si në Shtëpinë e Bardhë,  ashtu edhe në Senat. Ligjvënësit amerikanë i bënë presion Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd J. Austin III dhe gjeneralit Mark A. Milley, kryetari i Shtabit, në një seancë dëgjimore për buxhetin e Pentagonit të mërkurën. “Jam shumë i gëzuar të shikoj këtë hap kritik,” tha kongresmeni Jason Crow, demokrat nga Kolorado. Kurse një ish ushtarak që kishte shërbyer në Irak e Afganistan, të enjten shkroi në ‘Twitter’: “Çdo ditë ka rëndësi. Ne nuk mund të presim më gjatë.” Z. Crow është anëtar i grupit të punës për “Mbajtjen e Premtimeve Tona”,  i përbërë nga 10 Demokratë dhe gjashtë Republikanë, i cili prezantoi javën e kaluar legjislacionin për përshpejtimin e dhënies së vizat e posaçme për emigrantët nga Afganistani, duke zgjeruar ndërkohë,  numrin e tyre nga nga 11,000 në 19,000. Kongresmeni Seth Moulton, demokrat i Masaçusetit dhe ish- oficer i marinës, i cili gjithashtu i kishte bërë presion në Shtëpinë e Bardhë, shprehu kënaqësinë që “administrata e Biden kishte pranuar se procesi ekzistues i dhënies së vizave, ishte i pamjaftueshëm”. Z. Moulton tha gjithashtu se, Guam ishte “duke pritur me krahë të hapur” për të marrë bashkëpunëtorët nga Afganistani. Ai u shpreh se një komandant operativ duhet të vihej në krye të operacionit të evakuimit. “Kjo është një ditë e mirë, por është larg fundit të këtij procesi,” u tha Z. Moulton gazetarëve në Capitol Hill duke shtuar se “ka ende shumë punë përpara nesh.” VoteVets.org, organizatë për mbështetjen e veteranëve, postoi një video në mediat sociale duke shfaqur një përkthyes afgan i cili ishte evakuar duke iu lutur Z. Biden për të ndihmuar të tjerët që ndodheshin akoma në Afganistan.

Eric Schmitt është gazetar i vjetër që ka udhëtuar nëpër botë, duke mbuluar terrorizmin dhe sigurinë kombëtare

“Ka mijëra përkthyes në Afganistan që nuk ka përsëe të presin disa vite”, thuhej në video, ku shtohej se “Ndërkohë që po tërhiqni trupat amerikane nga Afganistani, është momenti për të shprehur besnikëri ndaj burrave e grave afgane, që shërbyen pranë trupave amerikane. Merrini me vete edhe ata ”. Gjenerali Milley, në seancën dëgjimore të mbajtur të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, tha se ushtria ishte e gatshme të fillonte lëvizjen e afganëve që kishin aplikuar për viza speciale. “Unë e konsideroj si një domosdoshmëri morale të kujdesem për ata që kanë shërbyer në anën tonë,” tha ai.  Vonesat kronike kishin bllokuar zbatimin e programin special të vizave për emigrantët, për më shumë se një dekadë. Demokratët në këtë rast kishin akuzuar ish-Presidentin Donald J. Trump, që kishte çuar në përkeqësimin e problemit, lidhur me burimet financiare dhe personelin. Pandemia e koronavirusit nuk i ndihmoi çështjet; një rritje e rasteve më infektime nga COVID-19 në ambasadën amerikane në Kabul, çoi në mbylljen e intervistave dhe dhënien e vizave. Një raport i Departamentit të Shtetit në janar 2021, kishte bërë me dije se, “personeli i kufizuar” dhe “kushtet e sigurisë lokale të lidhura me pandeminë Covid-19”, kishin ndikuar në procesin e aplikimit për vizë. Gjatë javëve të fundit, demokratët dhe republikanët në Kongres morën vendime, duke shtuar disa nene për të përshpejtuar procesin dhe për të hequr dorë nga disa kërkesa, të tilla si mandatimi i aplikantëve për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të kushtueshme mjekësore. Dhe në dhjetor 2020, si pjesë e një projekt-ligji për shpenzimet e mëdha, Kongresi ngriti shumën totale për programin e vizave nga 4,000, në 26,500 USD. Administrata e Biden gjithashtu, është nën presion nga disa grupe jofitimprurëse dhe avokatë për refugjatët, për të bërë më shumë. Rreth 70 OJF i shkruan kohët e fundit një letër z. Biden, duke kërkuar që administrata e tij, të “zbatojë menjëherë planet për evakuimin e afganëve të rrezikuar nga talebanët.” – një hap, që Shtëpia e Bardhë, po e ndërmerr tani.