EURO 2020(2021)/ Italia fiton “përballjen e titanëve”, takohet me Spanjën në gjysëm-finale

604
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ditën e djeshme janë zhvilluar dy ndeshjet e para të fazës së çerek-finaleve, të Kampionatit Evropian, ‘Euro 2020’, i cili për shkak të pandemisë që vitin e kaluar bllokoi çdo event të rëndësishëm, u vendos që ndeshjet të zhvillohen këtë vit, më një risi, ku nuk do të ketë vetëm 1 apo 2 vende organizatore, por ndeshjet do të luhen në 12 vende të ndryshme të Evropës, me finalen e madhe të 11 korrikut, që do të zhvillohet në stadiumin mitik të “Wembley”, në Londër. Ndërkaq, ditën e djeshme është zbuluar dhe çifti i parë gjysmë-finalist i këtij kompeticioni.

Zvicër 1-1 Spanjë (1-3 penallti)

Spanja arriti të triumfonte ditën e djeshme, në Shën Petërburg përballë një Zvicre, e cila luftoi deri në minutën e fundit, për një biletë gjysëm-finaleje. Në përfundim, Spanja arriti të kalonte Zvicrën pas gjuajtjes së penalltive, duke u rikthyer kështu në mesin e 4 më të mirave të Evropës, pas një mungese që nga Kampionati Evropian i vitit 2012. Edhe pse e gjendur mes brohorimave të tifozëve kundra tyre, “demat iberikë”, e gjetën rrugën e rrjetës vetëm 8 minuta pas fillimit të lojës, ku pas një goditjeje nga distanca të mbrojtësit Zhordi Alba, topi devijohet nga një prej zviceranëve, duke e lënë të pashpresë portierin Jan Somer, përballë asaj goditjeje potente. Pas pësimit të golit, “helvetët” filluan menjëherë të sulmonin portën spanjolle, por pa mundur dot të siguronin golin e barazimit në pjesën e parë. Me startin e pjesës së dytë, Spanja u bllokua në gjysmëfushën e saj, duke qëndruar në pritje të ofensivave zvicerane. Nuk do të vononte shumë nga starti i pjesës së dytë dhe në minutën e 66’, mesfushori Frojler do të pasonte bukur për Xherdan Shaqiri, i cili nga brenda zonës nuk gabon, duke barazuar shifrat.

Vetëm 11 minuta pas shënimit të golit, Frojler do të ndëshkohej me karton të kuq, pas një vendimi absurd të arbitrit, duke e lënë Zvicrën me 10 lojtarë, përballë një Spanje të etur për një vend në gjysmë-finalet e këtij kompeticioni. Megjithëse me një lojtar  më shumë në fushën e lojës, spanjollët nuk arritën dot të ndryshonin rezultatin, duke e çuar lojën, fillimisht drejt kohës shtesë, e më pas, drejt gjuajtjeve të penalltive, gjë që shtoi ankthin te “iberikët”, pasi e njëjta gjë ndodhi dhe në ndeshjen Francë-Zvicër, ku këta të fundit eleminuan nga kompeticioni kamponët e Botës. Goditja e parë do t’i takonte spanjollëve, të cilët me anë të Serxhi Buskets, nuk e mposhtën dot portierin Somer, ndërsa nga ana tjetër Gavranoviç, do të shënonte për Zvicrën. Në 3 penalltitë e tjera, fati do të kalonte me Kombëtaren e Spanjës, me portierin Simon, i cili arriti të priste 3 penallti rrjesht, duke i dhënë fitoren dhe një vend në 4 më të mirat e Evropës, “furisë së kuqe”.

Belgjikë 1-2 Itali

Italia ka avancuar drejt gjysëm-finaleve, të ‘Euro 2021’ pasi mundën Belgjikën, skuadrën më të mirë në Botë sipas renditjes së FIFA-s, me rezultatin 2 me 1, duke vazhduar kështu, marshimin e tyre, me 32 fitore rradhazi. Sfida nisi e shpejtë me ‘të kaltrit’ e Mançinit, që kaluan në avantazh vetëm 13 minuta pas fillimit të lojës, me anë të Bonuçit, por pas rishikimit të golit me sistemin VAR, goli u shpall i pavlefshëm, duke trishtuar Kombëtaren italiane. Edhe pse goli u anullua,  kjo nuk e ndali Italinë të vazhdonte me sulmet e saj vrastare drejt portës belge. Në minutën e 30’ do të vinte dhe goli i vërtetë i ndeshjes, ku pas një rrëmuje në zone, topi do të shkonte në këmbët e Barelas, më këtë të fundit që lëviz bukur mes 3 kundërshtarëve dhe shënon për Italinë. Pas vetëm 14’ minutash do të vinte dhe goli i dytë i Italisë, kësaj here nga Lorenco Insinje, i cili pasi driblon bukur 3 lojtarë të “djajve”, lëshon një goditje potente nga jashtë zone, duke e çuar sferën pas shpatullave të Kurtua. Por vetëm tre minuta më pas, në të 47’-ën do të vinte dhe kundërpërgjigjja belge.

Talenti Zheremi Doku futet bukur në zonë dhe pas një përplasje trup më trup me Di Lorencon, arbitri akordon një 11-metërsh dhe Romelu Lukaku, nga pika e bardhë e penalltisë nuk di të gabojë, duke e mposhtur lehtësisht portierin Donaruma. Ndryshe nga pjesa e parë, e cila prodhoi gola dhe spektakël, pjesa e dytë nisi më e zbehtë. Në mesin e pjesës së dytë sulmet belge filluan të merrnin formë, duke rrezikuar vazhdimisht portën italiane me Lukakun dhe Naser Çadlin, por pa mundur dot të gjenin rrugën e rrjetës. Rasti më i rrezikshëm i pjesës së dytë, do të vinte nga talenti, i cili i dhuroi dhe penalltinë Belgjikës, Zheremi Doku, ku në minutat e fundit të lojës, lëshon një predhë drejt Donarumës, por topi ishte më i fortë seç duhej, duke përfunduar mbi traversë. Me këtë fitore ‘të kaltrit’ e Mançinit kalojnë në gjysmë-finale ku do të përballen me Spanjën. Ndërkaq, ditën e sotme do të zhvillohen dhe 2 sfidat e tjera çerek-finale, Republika Çeke-Danimarkë në orën 18:00 dhe Ukrainë-Angli 21:00, ndeshje të cilat do të zbulojnë dhe çiftin tjetër gjysëm-finalist, të ‘Euro 2020’.