Mirela Karabina, ish-Ministre e arsimit/ Ja si u mashtruan studentët me “reforma”, “pakte” e “ulje” tarifash. Universiteti nën diktatin e arrogancës së Qeverisë

553
Sigal

Reforma në Arsimin e Lartë, pagëzuar nga qeveria dhe ministria e arsimit “si skemë e re shërbimesh dhe financimesh” duket se po funksionon. Edhe Ligji i Arsimit të Lartë pikën nevralgjike të tij (aq shumë të kontestuar) ka, pikërisht, shërbimet dhe financimet duke cenuar autonominë universitare dhe autonominë financiare. Është pikërisht kjo skemë që ka vendosur në mënyrë të paprecedentë universitetin në një situatë të pazakontë funksionimi dhe mbijetese. Dhe, kjo ndodh e diktuar nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit. Kështu, pasi ndërmori reformën në arsimin e lartë pa i pyetur, pasi futi në fuqi ligjin duke i shpërfillur, pasi mashtroi studentët me “reforma”, “pakte” dhe “ulje” tarifash, qeveria dhe ministria ka dalë në një sulm frontal me universitetin. Me një gjuhë përçmuese dhe fyese, veshur me epitete e metafora, qeveria i quan “sharlatanë” pedagogët dhe “ të paaftë” stafet teknike, dhe si rrjedhojë “të pamundur dhe jo të mirë” për të menaxhuar universitetin.

Pra, në emër të studentëve, në emër të popullit goditet universiteti, tempulli final i sistemit arsimor. Duke preferuar jo zgjidhjen por denigrimin dhe ndëshkimin publik qeveria dhe ministria e arsimit është ngritur:

Kundër kujt? Kundër dijes, kundër shkencës, kundër zhvillimit të universitetit.

Në ç’mënyrë? Shantazhuar, frikësuar, denigruar stafet akademike dhe jo akademikë dhe rrëmbyer gjithçka që i përket universitetit.

Përse? Për të “mbërthyer” universitetin duke e çuar në grahmat e fundit të mbijetesës dhe për ta përvetësuar atë. Dhe, këtë po e bën në emër të studentëve, me studentët, por, jo për studentët.

Kështu, më 2014-ën qeveria do të rrisë tarifat e studimit. “Detyruar” nga protestat e studentëve, nëpërmjet “Paktit për Universitetin” është përsëri qeveria që vendos për tarifat, por këtë herë ajo vendos uljen e tyre. Pra, gjithçka në dorë të qeverisë dhe ministrisë së arsimit të ideuara dhe realizuara nga vetë ato. Por, loja djallëzore e pushtetit me tarifën studentore po thellon krizën universitare sepse:

Ulja e tarifës do të thotë më pak të ardhura që futen në buxhetin e universitetit, dhe si rrjedhojë rënie të cilësisë së arsimimit duke dëmtuar studentin.

Ulja e tarifës do të thotë rrënim i vazhdueshëm financiar i universitetit dhe pamundësinë e tij për të siguruar funksionim normal institucional duke e dëmtuar atë. Dhe, siç duket, ky është qëllimi final i qeverisë dhe ministrisë. Por, a mund të funksionojë universiteti pa mbështetje financiare? Absolutisht jo! Por, a duhet të ulen tarifat e studimit? Sigurisht po! Dhe, kjo arrihet nëpërmjet rritjes së buxhetit të shtetit për arsimin dhe sanksionimit të autonomisë universitare, dhe jo demagogjisë dhe mashtrimit. Por, kjo qeveri ka dëshmuar që nuk e realizon dot, sepse i mungon integriteti moral. Prandaj dhe sot universiteti është në një situatë të jashtëzakonshme, në çorganizim të organizuar drejt shkatërrimit të plotë tij.

Universiteti i Tiranës, universiteti më i vjetër dhe më i madh yni, mezi kaloi “klasën angleze” të akreditimit qeveritar dhe është në sulm të vazhdueshëm nga qeveria dhe ministria e arsimit, të cilët kanë përgjegjësinë institucionale t’i përgjigjen universitetit dhe ta mbështesin atë. Por, qeveria dhe ministria e arsimit ka zgjedhur arrogancën dhe rrënimin e tij. Universiteti Bujqësor është duke mbrojtur dhëmb për dhëmb pronën e tij nga kthetrat dhe arroganca e pushtetit. Mungesa financiare e vendos në pamundësi për ta zhvilluar universitetin në dobi të praktikave studentore. Studentë dhe pedagogë kanë vendosur shpirtin dhe moralin e tyre për një universitet funksional bashkëkohor dhe për ta mbrojtur nga rrënimi përfundimtar. Por,qeveria dhe ministria e arsimit ka zgjedhur përçmimin dhe rrënimin e tij. Universitetet janë në luftë për mbijetesë dhe janë kthyer nga qendra zhvillimi shkencor, në qendra kursesh kualifikuese si pasojë e reformës së kësaj qeverie. Ndaj dhe jemi sot në një situatë ku tempujt e dijes janë zhvlerësuar, denigruar, shkatërruar dhe janë në pikë të hallit, janë në një rrugë pa krye. Por,qeveria dhe ministria e arsimit ka zgjedhur diktatin dhe rrënimin e tij. Pra, autonomi e munguar, buxhet i munguar, studentë të larguar, universitet i çorganizuar, universitet në kolaps dhe në pamundësi për të krijuar arsimim cilësor, arsimim bashkëkohor dhe kushte normale mësimore. Pra, universiteti është në rrugën e pashmangshme të shkatërrimit të plotë.

Ky është bilanci i frikshëm i universitetit. Dhe, më këtë ritëm, duket sikur universiteti publik do mbetet një ‘përrallë” e së kaluarës dhe pushteti do “realizojë: ëndrrën e tij. Por, zgjimi studentor, zgjimi qytetar, zgjimi kombëtar i papërballueshëm po mbron këtë pasuri kombëtare, universitetin. Grykësia për asgjësimin e tempujve të dijes, e tempujve të rinisë, e tempujve kombëtare është kthyer, dukshëm, në bumerang për hesapexhinjtë e pushtetit Dhe, mesa duket, këtë herë i paskan bërë hesapet gabim sepse:

Qeveria është e përkohshme, por Universiteti publik është i përhershëm!