Endrit Braimllari, deputet i LSI: Kjo është qeveri e oligarkisë

497
Kjo qeveri nuk flet për politika konkrete në shërbim të familjeve në nevojë, për politika fiskale që çlirojnë biznesin dhe krijojnë një cikël korrekt të funksionimit të ekonomisë për të hapur vende të reja pune. Është e vështirë të flitet për investime të huaja në vend, të cilat do e kthenin Shqipërinë në një vend të rëndësishëm ekonomik, ku shumë qartë raporti i fundit i BERZH për investimet e huaja e deklaron hapur që Shqipëria është vendi i fundit në Ballkan. Pra, nuk ka investime të huaja pasi këtë vend e drejton një qeveri pa vizion, pa një politikë të qartë në këtë drejtim, sepse kjo qeveri nuk ofron besueshmëri tek investitorët për shkak të lidhjes me krimin dhe korrupsionin qeveritar, të cilët e kanë kthyer Shqipërinë në një vend të pasigurt me një klimë jo pozitive për investimet e huaja dhe biznesin vendas. Skema e vetme e qartë e kësaj qeverie ka të bëjë më mënyrën e pastrimit të parave të drogës, duke i futur ato nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe duke i lënë shqiptarët gjithmonë edhe më të varfër edhe të pashpresë. Kjo është qeveri e oligarkisë. E kuptoj që ju dhemb kjo fjalë, por kjo tanimë është realitet. Çdo ligj që ju sillni, jo vetëm në parlament, por edhe projekt-vendimet që vijnë nga kryetarët tuaj të bashkive, bëhen në zyrat e oligarkisë. Kjo gjë bëhet në kurriz të familjeve të thjeshta të këtij vendi që me mund dhe djersë kanë arritur të ndërtojnë dhe të investojnë në këtë vend. Papunësia në këtë vend çdo ditë e më shumë rritet, edhe kjo tanimë është një realitet. Nga INSTAT-i raportohet për rritjen e papunësisë në disa qytete të Shqipërisë. Një ndër këto është dhe Vlora që ju e keni shumë për zemër, pra një qytet turistik dhe nuk arrin të ulë normën e papunësisë. Kjo është e qartë dhe ka të bëjë nga paaftësia juaj, qoftë në pushtet qendror, por dhe në atë lokal. Ekonominë e vendit e keni çuar në ditët më të zeza. Qeveria ka rritur taksat dhe tatimet. Tarifat lokale të bashkive janë rritur ndjeshëm. Keni 3-fishuar taksën e biznesit, e cila prek të gjitha familjet shqiptare. Përfshirja në skemën e TVSH-së së biznesit të vogël, do të sjellë falimentimin e bizneseve, do të rrisë çmimet e konsumit dhe do të nxjerrë pa punë më mijëra qytetarë. Ju i keni varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët, falë një politike arrogante dhe pa perspektivë. Shqiptarët nuk kanë nevojë për show-un tuaj qeveritar, por kanë nevojë për vende të reja punë, për politika rinore që krijojnë mundësi punësimi këtu në vendin tonë. Biznesi ka nevojë për çlirim dhe jo për inspektor pafund që i shkojnë çdo ditë duke i bërë presion. Ju nuk duhet ta trajtoni biznesin si një instrument që vendosin gjoba pa fund vetëm, sepse drejtoritë tuaja duhet të realizojnë planin mujor. Politika juaj nuk është politika e punësimit.
Sigal