Emërimet nepotike për vjeljen e votave/ Drejtuesë politikë dhe kryebashkiakë presion qeverisë të emërojë militantët drejtorë policie dhe në administratë

493
Sigal

 

Sa më shumë ofron dita e zgjedhjeve, kaq më të shpeshta janë edhe emërimet e drejtorëve të administratës publike, puna e të cilëve tashmë varet vetëm nga thesi i votave  që mbledhin dhe do të mbledhin për partinë. Partia Socialistë në Shkodër është e përçarë, për shkak të komandimeve të kupolës  së qendrës së partisë, pa pyetur aspak socialistët në Shkodër. Rasti më tipik ishte kandidatura e kryebashkiakut në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kur kryeministri Rama emëroi njeriun e vet, duke shpërfillur çdo kandidaturë të socialistëve shkodranë, me pasojë, që ende edhe sot Shkodra nuk ka kryebashkiak, pasi kandidati i emëruar i kryeministrit Rama rezultoi person me rekorde kriminale.  Kësisoj qarku i Shkodrës, duket dhe më problematiku në lidhje me shërbimet ndaj qytetarëve, për shkak të lënies së shumë kompetencave në dorë të një prej aleatëve të PS-së në mazhorancë. Pas  ndarjes së re të drejtuesve politikë të PS-së në qarqe dhe analizës së drejtorive të rëndësishme në qarkun e Shkodrës, janë larguar deri tani shtatë drejtues dhe pritet të largohen edhe të tjerë. Në qarkun e Shkodrës kemi largime të drejtorëve të Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit, të IKMT-së, të Tatim Taksave, të Kujdesit Shëndetësor, të Policisë, të Doganave, por dhe të prefektit. I deleguari i PS-së në këtë qark është deputeti Ilir Beqja, të cilin socialistët shkodranë nuk e pranojnë.  Deri tani tre drejtues të rëndësishëm janë larguar edhe në qarkun e Durrësit, drejtorët e Kadastrës së Drejtorisë Arsimore dhe të Autoritetit të Kontrollit Ushqimor. Drejtimin e këtij qarku e mori përsipër vetë Kryeministri Rama, ndërsa emëroi si ndihmës të tij, kreun e OSHEE-së, Ardi Çela. Në qarkun e Korçës kemi lëvizje të drejtorit të AKU-së dhe të Kadastrës, ndërsa në Lezhë lëvizje të drejtuesve të Policisë dhe Zyrës Rajonale të Arsimit Parauniversitar.