Hyqmet Zane: Ligji i Luftës i Greqisë ndaj Shqipërisë dhe Daut Hoxha

534
Sigal

Për Daut Hoxhën hero kombëtar heshtet, për Kasifas terrorist i “Agimit të Artë” bëhen homazhe si hero i Greqisë

Ligji i Luftës i Greqisë ndaj Shqipërisë dhe Daut Hoxha në mes

Nga Hyqmet Zane

Rikthehemi pas 80 vjetësh në një ciklim të një ngjarjeje të rëndësishme historike kur Italia i shpalli luftë Greqisë duke gjetur një pretekst të spikatur me vrasjen e një çami nga vetë grekët, Daut Hoxha, djali i të cilit Ibrahim Hoxha ndërroi jetë para disa ditësh në moshën 97- vjeçare dhe që në një formë a në një tjetër ishte edhe një dëshmitar okular i asaj çka ka nodhur në atë vit të zi për familjen e tij dhe për kombin shqiptar, e veçanërisht për shqiptarët e Çamërisë.

Që nga ajo kohë e deri më sot, shteti grek në mënyrë abuzive dhe shantazhiste mban në fuqi një “ligj lufte” me Shqipërinë.  Është një e vërtetë që i ka skaduar çdo kohë dhe që me argumentimet e historiografisë shqiptare dhe, për më tepër, akoma Greqia edhe Shqipëria janë shtete të NATO-s, bie çdo pretendim. Por në fakt gjithë çështja qëndron tek mospërmbushja e detyrimeve ligjore dhe të traktateve që Greqia ka nënshkruar dhe që nuk i ka zbatuar. Njëherazi ky qëndrim grek është edhe një parakusht për mos konsiderimin e çështjes çame si një e drejtë njerëzore dhe një e vërtetë historike që pala greke kërkon ta fshehë, ta mohojë dhe ta quaj inekzistente.

Por e gjithë kjo përplasje për të ashtuquajturin “Ligji i Luftës” ka pasur një historik të thjeshtë dhe të marifetshëm që ka lidhje me vrasjen makabre të një çami, Daut Qamil Hoxha. Është një ngjarje e ndodhur më 14 qershor 1940, kur andartë dhe asfalistë grekë e vranë dhe i prenë kokën një luftëtari të lirisë, gjë që u bë publike më 12 gusht 1940. Më pas, më 28 tetor 1940, do të ishte Italia fashiste që do t’i shpallte luftë Greqisë. Këto janë fakte të pakundërshtueshme, është mirë që opinioni publik brenda dhe jashtë vendit, por edhe Athina zyrtare dhe çfarëdo lloj diplomati sharlatan grek që vjen në Shqipëri, duhet t’i kenë parasysh.

Historiani Albert Kotini, njeriu, që një pjesë të rëndësishme të veprës së tij ia ka kushtuar denoncimit të padrejtësive mbi Çamërinë, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë figurës potenciale të Daut Hoxhës si një dëshmor i lirisë dhe i atdhedashurisë. Nëse themi që një komb është i dëgjuar për shkak edhe të historisë së tij të lavdishme, njëkohësisht themi se janë edhe personalitetet, bashkë me ta edhe heronjtë dhe dëshmorët që e bëjnë këtë gjë. Kështu edhe kombin shqiptar e bëjnë të lavdishëm jo vetëm historia, por ata që e shkruajtën atë me gjakun e tyre. Një ndër ta ishte edhe Daut Qamil Hoxha që gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare shqiptare dhe veçanërisht asaj të Çamërisë. Por mospërmendja e një fakti të tillë, mos vlerësimi i një figure të tillë dhe mosshpallja dëshmor e një shqiptari që vritet i ndjekur nga antishqiptarët, vetëm e vetëm se donte lirinë e vendit të vet, janë një mohim i historisë sonë të lavdishme që më pas do të mbushet me kotësitë e jetës mbarëshqiptare. Aq më tepër për një krahinë si Çamëria, që ka shumë figura që kanë mbetur të pashpallura,  të nderuara nga shteti shqiptar.

Perkundër këtij realiteti më 28 tetor zv/ministri i jashtëm i Greqisë për diasporën vjen në Shqipëri dhe pikërisht në ditën që grekët e kanë shpallur ditë historike për interesat e tyre, i bën homazh një anëtari të “Agimit të Artë”, Kostandin Kasifas të vrarë një vit më parë. Përse ky nderim në tokën shqiptare, përse kjo heshtje për opinionin qytetar shqiptar? Përse një terrorist antishqitpar nderohet si dëshmor i Greqisë dhe luftëtari i nderuar i lirisë për Shqipërinë, Daut Qamil Hoxha, nuk ka asnjë nderim nga askush, si të thuash të pranojmë se Greqia ka të drejtë dhe ne jemi të gabuar. Mosdenoncimi publik i një aktivitetit të tillë për një terrorist që bën thirrje për Vorio–Epirin dhe me tone vrastare në tokën shqiptare me synime të qarta antishqiptare të tipit të “Agimit të Artë” të dënuar edhe në Greqi, duket si një përulje para Greqisë dhe një turp shtetëror.

Daut Hoxha si dëshmi e një realiteti të pazbuluar

Daut Qamil Hoxha ishte nga Dhragomia, rreth 13 km në jug të qytetit të Paramithisë në Çamëri. Lindi më 14 dhjetor 1895 në një familje të njohur luftarake, atdhembrojtëse, me cilësitë e së cilës ai u mbrujt.

Në nëntor 1912, kur ushtria greke iu afrua fshatit të vet, ai, edhe pse 16-17 vjeçar, tok me të atin, kushërinjtë dhe bashkëfshatarët e vet, u doli përballë njësive mësymëse, u dallua për trimëri gjatë 6 muajve që vazhdoi Lufta Ballkanike në ato anë.

Kur ushtria greke mundi ta pushtonte Çamërinë, ai nuk i lëshoi armët, por mori malet bashkë me plot të tjerë. U vu në krye të një çete të fuqishme dhe me goditjet e aty-këtueshme synonte të ndalte dorën vrastare greke, e cila me të pushtuar vendin, po bënte çmos për zhdukjen e çamëve prej vatrave të tyre stërgjyshore. Kjo e vërtetë vihet çiltër në dukje në shkresat e pushtetarëve shqiptarë bashkëkohës.

Nuçi Naçi, nënprefekt i Leskovikut, në shkresën më datë 4 korrik 1921 dërguar Prefektit të Korçës, ndër të tjera i thoshte edhe “Daut Hoxha me disa vetë që ka pas, po i sjell vërdallë grekët në Çamëri”.

Përshkrime të ngjajshme bëheshin edhe nga prefektët e asokohe dhe të mëvonshëm të Qarkut të Korçës dhe Gjirokastrës, si dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për vrasjen a hedhjen e tij në dorë dhe asgjësimin e çetës së tij, qeveria greke bëri gjithçka mundi. E paditi me shpifje nga më të rëndomtat dhe nga më të pabesueshmet, duke e quajtur edhe vrasës të komisionit ndërkombëtar të kufirit greko-shqiptar të kryesuar nga gjeneral Telini. Ngriti çeta të posaçme të përbëra prej rrogëtarëve të vet, të cilat vepronin kundër Daut Hoxhës, krahas njësive usharake. Nëpërmjet pushtetarëve eprorë, nuk la gurë pa lëvizur për vrasjen e tij pabesisht.

Pas vendosjes së kufirit, më shtator 1923, ai u shtërngua ta shpërngulte qendrën e veprimtarisë së tij brenda kufirit të shtetit shqiptar. Përpjekjet e gjithashme të qeverisë greke për asgjësimine  tij vazhduan pa ndërprerje. Çetat greke herë pas here kalonin brenda kufirit të shtetit shqiptar dhe në bashkëpunim me nyjet asfaliane të ngritura në ato anë, që në kohën e sundimit osman, i ngrinin prita të befta. Përpjekjet e qeverisë greke për ta shtënë në dorë, arritën deri atje sa t’i kërkonte qeverisë shqiptare që ajo vetë t’ia dorëzonte. Kjo vihet në dukje edhe në shkresën me datë 10 maj 1924 të Prefektit të Gjirokastrës dërguar M.P.B. Ai shkruante: “Qeveria greke kërkon ndëshkimin e Daut Hoxhës për shkak se në luftrat që ai ka bërë me grekët … u ka shkaktuar dëme të tmerrshme, se kërkonte përhapjen e ideve kombëtare shqiptare përtej kufijve”.

Mirëpo gjyqi i posaçëm politik i ngritur më 1931 e nxo ri të pafajshëm dhe, rrjedhimisht “të padorëzueshëm”. Megjithatë, përpjekjet e qeverisë greke për asgjësimin e tij vazhduan pa ndërprerje, gjë që vihet në dukje edhe në telegramet e qarkomandave të gjindarmërisë.

Qeveria greke mundi ta vriste vetëm pas pushtimit të vendit nga pushtuesit italianë, ku sipas një urdhëri të rrethkomandës së karabinierisë, atij i ndalohej jo vetëm shoqërimi me njerëz të armatosur, por edhe mbajtja e armëve luftarake.

Në këto kushte më 14 qershor 1940, kur ai po udhëtonte nga Konispoli për në Sarandë, një çetë korofillako-kusarësh në bashkëveprim me bashkëpunëtorët e tyre të asaj ane të vendit, mundi të vinte në shteg në gjysmë të udhës dhe e vrau. Kokën e tij e morën me vete dhe ua dorëzuan pushtetarëve grekë që i kishin dërguar. Kjo u bë si dëshmi për përmbushje të krimit, ashtu edhe për të frikësuar atdhetarët brenda Çamërisë së robëruar prej tyre.

Jeta dhe veprimtaria e tij kombëtare shumëvjeçare përshkruhen në librin “Daut Hoxha”, si edhe në shkrimet e atyre që çmojnë atdheun dhe kombin, siç pohon për këtë gjë profesor Dritan Spahu. Ishte ky shkaku që zyrtarisht vrasja e Daut Hoxhës së Çamërisë u bë vetëm më 12 gusht 1940 që më pas do të shërbente dhe si pretekst i shpalljes së luftës Italo-Greke. Nën këtë këndvështrim mund të themi që ne kemi dëshmorë në çdo kohë, por ata duhen vlerësuar si të tillë. Kjo merr një vlerë edhe më të mëdha kur është fjala për një krahinë të madhe si Çamëria, historia e së cilës është tragjike dhe e mohuar nga historiografia greke, po aq sa edhe ajo shqiptare e para 15 vjetëve, kur diktatura komuniste, ashtu si edhe shovinizmi grek e lanë në heshtje dhe e përçudnuan.

I biri i Daut Hoxhës, historiani i nderuar Ibrahimi, e kujton kështu një moment nga jeta e  të atit: “Mësuesi Abedin Dinua nga Paramithia më pati thënë: “Kur të afërmit e mi më dërguan në Konispol, shtëpia e Daut Hoxhës ngjante me një gazermë ushtarake; 10-15 luftëtarë çamë niseshin për veprime përtej kufirit, 15-20 të tjerë ktheheshin prej andej. Ishin të gjithë nga ajka e trimërisë çame”.

Kur kanë kaluar 80 vjet dhe një ministër i jashtëm i Greëqisë vjen në Shqipëri dhe bën transaksione me kryeministrin në mënyrë abvuzive dhe zv/ministri i tij i bën homazh një antishqitpari grek në tokën shqitpare, merret me mend se ku ka mbatur çështja shqiptare që vjen një qeveritar  grek dhe tallet me adoloshencën e një ministri të jështëm të Shqpërisë dhe luan lojën me kryeministrin dhe as që përmendet një personalitet si Daut Hoxha, që duhet të ishte “Dëshmor i Kombit”, por që u  shpall ligjin e luftës. Janë këto turpe dhe tradhëti kombëtare kur heshtet për shqitparin dhe i bëhen lavde një terroristi, si një mundësi për të justifikuar krimet dhe genocidin që u bë në Çamëri 4 vjet më vonë.