Jorgan statistikash mbi krimin e grabitjes

595
Sigal

Petrit Brahollari

 

Për të mos thënë në rritje, krimi i grabitjeve ka të njëjtin intensitet në Shqipëri. Në zona të ndryshme të vendit qytetarëve u vidhen banesat. Grabitjet janë të dhunshme me përplasje fizike ku armët e zjarrit shoqërojnë krimin. Pre e grabitjes janë shpesh moshat e thyera dhe të vetmuara që u rrëmbehen të ardhurat e dërguara nga fëmijët nga emigracioni apo të mbledhura nga vetë ata. Sulmet e pamëshirshme ndaj tyre përfundojnë me gjymtime fizike. Në fshatra rrëmbehet blegtoria, nëpër ngrehina dhe në qytet shkallmohen trotuare dhe asfalte duke u përvetësuar me kilometra kabllo elektrikë. Të lakmuara janë pikat e karburanteve, ku rojet e punonjësit, goditen barbarisht dhe u qëndron te koka, tyta e pistoletës.

Grabitje te fasoneritë, vjedhje te objektet valutore. Në rrugë të rrëmbejnë çantën nga krahu dhe në rrugica të heqin kuletën dhe zinxhirin prej qafe. Guximi i grabitjes nuk njeh kufi dhe arrin deri te bankat e nivelit të dytë, ndërsa në rrugën e madhe të zbresin nga makina dhe përvetësojnë timonin. Grabitjet mbulojnë gjithë territorin e vendit dhe qytetarët e pasigurtë kanë në çdo moment mbi kokën e tyre renë e krimit të grabitjes.

Policia që mbulon sektorin e hetimit kriminalistik nuk i pasqyron me rigorozitet statistikat. Qytetarët vlerësojnë dhe pa qenë e nevojshme për t’u pasqyruar shifrat se tek e fundit nuk u hyjnë në punë ato. Ata shikojnë, dëgjojnë e përjetojnë masën e këtij lloj krimi që fillon me vjedhje të vogla, grabitje të mëdha dhe super grabitje profesioniste. Shumë prej grabitjeve të bujshme nuk i shpëtojnë vëzhgimit të medias, por jo pak prej tyre të quajtura të vogla mbulohen me jorgan të rëndë. Inspektorët i firojnë statistikat qysh në vendin e ngjarjes. Fshehja i shpëton inspektorët nga kritika e drejtuesve nëpër drejtori dhe komisariate, por dhe vetë drejtuesve sikur u pëlqen pasqyrimi i sa më paktë i ngjarjeve. Zbulimi dhe pasqyrimi është përgjegjësia e punës që bëhet, është përkushtim dhe seriozitet. Vidhet një kioskë dhe ngelet pa autor. Nënvlerësohet për t’u hetuar me precedencë ku është marrë një arkë biskota. E ashtuquajtura mikrovjedhje nuk duhet emërtuar si e tillë, por grabitje e madhe. Në atë kioskë është thyer një xham apo dera. Janë përdorur këto dhe ato mjete për t’u arritur qëllimi. Ka qenë një autor apo grup i organizuar. Keqbërësi ka qenë për herë të parë apo kontigjent i sprovuar. Efekti, sado i vogël ekonomik, mbart atë psikologjik te pronari i objektit dhe shoqëria përreth. Kur nuk zbulohen autorët dhe anashkalohet, s’bëhet fjalë për parandalim, u jepet zemër grabitësve për t’ju drejtuar supermarketeve, shtëpive e bankave, duke u ndjerë më të fortë se policia. Strukturat e hetimit kriminal të japin përshtypjen se janë të pamotivuara duke parë që çdo ditë e re gdhihet me një ngjarje të re dhe çdo mbrëmje e asaj dite përfundon me një grabitje tjetër. Sektorë të tjerë e mbyllin raportin e punës me konstatime sepse kështu janë ndërtuar punët, ndërsa operativiteti i hetimit kriminal ka për detyrë zbulimin e veprave penale, dokumentimin dhe arrestimin e autorëve. Interesat në këtë sektor nuk janë lakmuese sepse duket te vendet epaplotësuara e organikës. Pagat e ulëta nuk motivojnë, janë qesharake dhe nënvleftësojnë dukshëm këtë sektor të vështirë. Mjetet motorike të pastudiuara, të papërshtatshme, për t’iu përgjigjur situatave në terren sipas pozicioneve gjeografike. Po ashtu është dhe mungesa e aparaturave të zyrës dhe laboratorëve. Nuk anashkalohet paaftësia dhe vonesa e papërligjur e shkollimit akademik për sektorin në fjalë. Nuk e teprojmë nëse themiqë ka oficerë të hetimit kriminal me simptoma lëkundjesh te fibrat qendrore nervore dhe ngordhje qelizash nga mosha që pengon përballimin e situatave dhe kërkojnë dinamizëm. Bashkërendimi i patrullave të policisë me hetimin kriminal nuk është i gjetur. Patrullat e policisë e ndiejnë vehten komod me mjete motorike të reja që nderohen herë pas here dhe të shpojnë sytënë rrugët kryesore me bllokun e gjobave në dorë, faturojnë ndonjë makinë me derë të prishur që ka bërë shkelje në parkim, por as në këtë drejtim nuk e bëjnë detyrën, sepse ndëshkojnë vetëm hallexhiun dhe dredhin cigaren me makinat luksoze. Patrullat futen nëpër lagje, kur sinjalizohen për ndonjë zjarr dhe gomat e makinës duken sikur në çdo moment dalin nga lavazhi. Punën e bllokut e bën shumë më mirë qarkullimi rrugor, ndoshta dhe me një shtesë organike. Patrullat nëpër ambiente të ndryshme të terrenit janë ngrohtësi për qytetarët, bashkëpunim, efikasitet, ulje e frikës ndaj keqbërësve të çdo kategorie dhe vetë grabitësve u shtohet ankthi, kur janë duke planifikuar grabitjen e radhës dhe sulmet e tyre ndaj qytetarëve. Plotësimi i planit të gjobave nuk ul kriminalitetin. Ai nuk i jep kohë parandalimit të krimit. Puna e vakët e patrullave dhe mënyra se si punon vetëm kur pret ndonjë sinjalizim nuk e ndihmon hetimin kriminal. Ajo nuk mbaron vetëm te shpejtësia për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe të marrë në ruajtje ndonjë maskë apo dorezë të mbetur për mos t’u prishur provat dhe andej t’ia dorëzojë problemin “mbahe me shëndet o hetim kriminalistik se mua më pret plani i gjobave”. Në vendet e zhvilluara perëndimore, patrullat përgjigjen dhe veprojnë për gjithçka që bie ndesh me ligjin dhe normalitetin në zonën që mbulojnë. U kundërvihen flakë për flakë, veprimeve të ndryshme pa ia lënë në prehër hetimit kriminal. Modele të vendeve partnere ka për të goditur, minimizuar dhe ajo më kryesorja parandaluar. E keqja që bulëzon brenda një shoqërie nuk duhet të mbulohet me jorgan statistikash.

Rasti i fundit dhe i përsëritur në Aeroportin e Rinasit duke u grabitur makina e blinduar me monedha në mes të ditës tregon shkallën se ku ka arritur guximi i grabitësve profesionistë.

Ata e kanë noterizuar territorin shqiptar dhe tapinë që mbajnë në jelekët e grabitjes duhet t’ua djegë policia, natyrisht, në lartësinë e duhur dhe shërbimi sekret shqiptar, që zbulon veprimtarinë antikushtetuese.