Ekskluzive/ Halim Kosova është kandidati i së Djathtës për Bashkinë e Tiranës

317
Sipas burimeve konfidenciale, gazeta “Telegraf” mëson se në orët e vona të së djeshmes, PD-ja ka vendosur që të kandidojë për kryetar të bashkisë së Tiranës, deputetin Halim Kosova dhe sot kryetari I PD-së Lulzim Basha do ta publikojë Halim Kosovën zyrtarisht, si kandidatin e së Djathtës për bashkinë e Tiranës. Halim Kosova u votua më shumë nga qytetarët, në sondazhet që bëri PD-ja, qoftë midis emrave të tjerë të PD-së, por më kryesorja, emri i deputetit Kosova u votua nga qyttetarët si kandidatura fituese për bashkinë e Tiranës, edhe ndaj kandidatit të PS-së, që po sipas burimeve të mirëinformuara të PS-së, do të jetë ministri Erjon Veliaj. G azeta “Telegraf”, organizoi për disa ditë rresht edhe një sondazh në gjithë vendin, ku pyetja kryesore ishte se cili do të jetë fituesi i zgjedhjeve të 21 qershorit. Qytetarët shprehën bindjen e tyre në këtë sondazh, se PD-ja do të fitojë 26 bashki, PS-ja dhe LSI-ja do të fitojnë 25 bashki. Në pikëpyetje janë bashkia e Vlorës, dhe Shkodrës, pasi nuk dihen ende kandidatët e të dy kahëve politike. Në Durrës mbrëmë u konfirmua edhe kandidatura e Grida Dumës nga PD-ja. Ka shumë mundësi që Duka të tërhiqet nga gara elektorale. 
Somario
Nëse nesër do të ndodhnin zgjedhjet, atëhere do të kishim këto rezultate
PD-ja do të fitonte 26 bashki
PS + LSI dot ë fitonin 25 bashki
3 bashki në pikëpyetje
Vlora, Shkodra dhe Durrësi
Parashikimit e çifteve të kandidatëve në bashkitë respektive
Dje u njoftua nga KQZ-ja se u konstituohen 90 KZAZ-të në të gjithë vendit, që do jenë në dispozicion për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Edhe pse janë zgjedhje të pushtetit vendor, ku normalisht, duhet të jenë zgjedhje të përfaqësuesve që do administrojnë bashkitë, ato, në Shqipëri gjithmonë janë politizuar, thua se kemi të bëjmë me zgjedhje parlamentare. Së pari, vetë kandidatët për kryebashkiakë, nuk zgjidhen nga të preferuarit dhe të votuarit e njësive bashkiake respektive, por kandidatët për kryebashkiakë emërohen (sikurse kandidatët për deputetë) nga listat e kryetarëve të partisë. Kjo shpjegon, më së miri edhe reagimet e elektoratit dhe të socialistëve në bashkinë e Sarandës, ku deputeti Kokëdhima emëron kandidate një emër të panjohur për elektoratin, por e preferuara e tij. Po kështu, dje, kryetari i bashkisë së Tropojës, Agron Demushaj, do të kandidojë i pavarur, pasi PD-ja nuk do kandidojë atë, por deputetin Desnik Disha. Rasti më konfliktual i këtij politizimi të zgjedhjeve vendore, është edhe kandidati i së Djathtës në bashkinë e Durrësit, ku Duka, sipas sondazheve duket se është më i votuar, por nuk është i preferuari i PD-së, aq sa kjo mosmarrëveshje mund të shkaktojë edhe përçarjen e PD-PR-së. Po kështu, edhe në bashkinë e Vlorës, ku kandidatja e preferuar e kryeministrit Rama, prefektja Hoxha nuk ka mbështetjen e socialistëve, por edhe është një kandidaturë e në pikëpyetje. 
Dekriminalizimi i kandidatëve
Në fakt, partitë politike nuk deshën që në ndryshimet dhe shtesat që bënë në Kodin Zgjedhor, të kishin sanksionuar edhe amendamentet për dekriminalizimin, sipas rezolutës që nënshkruan në 26 dhjetor 2015. Produkt i kësaj është edhe tensionimi dhe akuzat e ndërsjellta që shkëmbejnë deri tani PD-PS, për kandidatët e tyre që zyrtarizojnë, për shkak të inkriminimit të këtyre kandidatëve në vepra penale, të kryera brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kështu, shumë vende anëtare të BE-së, sikurse Hollanda, Danimarka, Belgjika, që kanë qenë nga vendet që kanë vendosur veton e “Jo”-së disa herë mosmarrjes së statusit kandidat Shqipërisë, pikërisht, për shkak të pjesëmarrjes në politikë dhe në Kuvend të personave që kanë kryer e dënuar për krime në vendet e tyre, madje, disa nga këta ende u janë shmangur gjykimeve, tashmë kërkojnë që Shqipëria të zbatojë dekriminalizimin, të bashkëpunojë me drejtësitë e këtyre vendeve, për t’u dorrëzuar personat me vepra kriminale, që janë në proçese gjykimi në këto vende europiane. Në të kundërt, këto vende, kësaj here, nuk do të japin kaq lehtë votën e tyre për Shqipërinë, në proçesin e integrimit të saj në BE. Ndaj edhe kandidatët për kryebashkiakë, duhet, detyrimisht, të përzgjidhen me kriteret e dekriminalizimit, në të kundërt, pasojat do të jenë të mëdha për Shqipërinë. E, megjithëkëtë, disa kandidatura që janë zyrtarizuar nga partitë politike, apo janë ato që përfliten si më të favorizuara, kanë probleme penale edhe në shtete të BE-së. Bashkitë më të përfolura për kandidatë me drejtësinë janë Vlora, Himara, Rrogozhina, Kavaja, Kruja, Bilishti, Prenjasi, Gramshi, Kamza dhe Tepelena. 
PD zyrtarizoi 5 kandidatë për kryebashkiakë
PD zyrtarizoi kandidatët për 5 bashki, përfshi republikanin Kasem Mahmutaj 
PD-ja duket se kërkon ta joshë aleatin e saj historik me bashkinë e Beratit. Kandidati i sapozyrtarizuar nga selia blu për bashkinë e Beratit, Kasem Mahmutaj është kryetar i PR-së në këtë qytet. Në Kuçovë propozon Myslim Haxhin përballë Selfo Kapllanit të LSI-së. Në Kukës zyrtarizoi Bashkim Shehun, aktualisht shef i Departamentit për Sigurinë në PD. Ndërsa për bashkinë e Korçës zyrtarizon Gjergji Meron, rektor i Universitetit të Korçës. Për bashkinë Fushë Arrëz u zgjodh Gëzim Vata. Ende nuk është zyrtarizuar kandidati për bashkinë e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Durrësit. 

Kryebashkiaku i “Bajram Currit”, Agron Demushi 
ikën nga PD, kandidon i pavarur
Agron Demushi, kreu aktual i bashkisë së “Bajram Currit” do të dalë si kandidat i pavaruar në zgjedhjet e 21 qershorit. Demushi mban postin e kryetarit të bashkisë nën siglën e PD. Me këtë vendim Agron Demushi largohet nga Partia Demokratike duke garuar i pavarur. Ndërkohë nga ana e saj Partia Demokratike ka propozuar si kandidat për bashkinë e “Bajram Currit”, Besnik Dushaj.
Mediu: Jemi edhe larg dhe afër me PD
Dje, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, gjithë kohën që ishte në komisionin parlamentar të ligjeve, bashkëbisedonte me Ristanin, Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, për të arritur marrëveshjen e bashkëpunimin zgjedhor. Mirëpo sa doli nga kjo mbledhje, Mediu deklaroi se ai është edhe larg, edhe afër me PD-së, duke pohuar se çështja e Durrësit mbetet e hapur. Ai mendon se figura e Dukës do sjellë fitoren e së djathtës në këtë qytet. “Dje kam pasur një takim me zotin Basha për të diskutuar lidhur me koalicionin. Ajo që ngelet e hapur është çështja e Durrësit. E rëndësishme është të mos vazhdojmë me aventurat. Nga sondazhet tona Agron Duka është fitues në garën për Bashkinë e Durrësit. Në këtë moment që flasim jemi afër dhe larg krijimit të koalicionit. Ne nuk kemi vendosur asnjë kusht për kandidimin e Dukës, kushti i vetëm është fitorja e zgjedhjeve në këtë bashki”,- tha Mediu. 
Ja rezultatet zgjedhore nga 2003-2011 në bashkitë, të fituara nga PD dhe PS
Kandidatët e të partive politike të kahut të majtë apo koalicione të drejtuara nga PS-ja përkatësisht në zgjedhjet për pushtet lokal të vitit 2000, ka fituar 50 mandate ose 78% të bashkive të vendit; Në zgjedhjet për pushtet lokal:
2003 kanë fituar 37 mandate ose 57%; 
2007 kanë fituar 26 mandate ose 40%; 
2011 kanë fituar 37 mandate ose 57%.
Kandidatë të partive politike të kahut të djathtë, apo koalicione të drejtuara nga PD-ja përkatësisht: në zgjedhjet për pushtet lokal 2000 kanë fituar 14 mandate ose 21,5%; Në zgjedhjet për pushtet lokal:
2003 kanë fituar 25 mandate ose 35.5%; 
2007 kanë fituar 36 bashki ose 55%:
2011 kanë fituar 28 bashki ose 43%.
Nuk janë klasifikuar sipas një kahu politik kandidatët e pavarur ose kandidatët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, kur kjo parti ka kandiduar e vetme pa koalicion me forma të tjera politike. 
Paradokset zgjedhore
Proceset zgjedhore për pushtet lokal 2000 dhe 2011 karakterizohen nga dy elementë të veçantë. Në vitin 2000 PD dhe aleatët u tërhoqën nga kandidimi në raundin e dytë sipas balotazhit, duke e cilësuar të parregullt procesin e vlerësimit të rezultatit për balotazh. Kjo përkon me rezultat prej vetëm 14 kryetarë bashkie fitues nga e djathta, mandate të fituara këto që në raundin e parë zgjedhor.
Në zgjedhjet për pushtet vendor 2011 partitë politike u organizuan në koalicione të miksuara, përsa i takon kahut politik. Kështu LSI-ja, Aleanca Demokratike dhe Partia Agrare Ambientaliste u renditën në Koalicionin Aleanca për Qytetarin, ndërsa në zgjedhjet për pushtet lokal të mëparshme kishin kandiduar si parti të majta. I njëjti fenomen u shënua në koalicionin tjetër atë Aleanca për të Ardhmen, ku u rreshtua edhe Partia Demokristiane e vendosur më parë në zgjedhjet për pushtet lokal në koalicion me të djathtë.
Sigal