Fokusi i draft – rezolutës për Shqipërinë: Korrupsioni, krimi i organizuar dhe sistemi i drejtësisë!

555
Pas miratimit të draft-rezolutës për Shqipërinë në PE, raportuesi Knut Flenkenshtajn dhe zëvendës presidenti i delegacionit për Shqipërinë Eduard Kukan thanë se në fokus të draft-rezolutës ishin korruspioni, krimi i organizuar dhe sistemi i drejtësisë.
Problemet kryesore që nënvizohet në draft-rezolutën tuaj kanë të bëjnë me nivelin e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar, forcimit të sistemit të drejtësisë. A mendoni se këto shqetësime u reflektuan edhe gjatë votimit të këtyre amendamenteve?
Knut Fleckenstein: Nuk jam i gëzuar me çdo amendament që u votua, apo çdo fjali të amendamenteve, por ky është rezultati i gjetjes së një kompromisi. Është e rëndësishme për ne, që të inkurajojmë qeverinë shqiptare për vazhdimin e përpjekjeve në rrugën e integrimit europian dhe gjithashtu të themi që mbetet ende shumë për të bërë. Por kam përshtypjen që kjo kuptohet mirë nga të dyja palët.
Zoti Kukan, ju nënvizuat dje se mbështesni amendamentet që reflektojnë zhvillimet gjatë muajve të fundit në vend; jeni i kënaqur me votimin e tyre?
Eduard Kukan: Për çdo gjë duhet gjetur kompromi. Mesazhi i rezolutës është që ka një progres në luftën kundër krimit të organizuar lidhur me disa aksione konkrete që janë ndërrmarrë nga qeveria shqiptare që ne i kemi përgëzuar, por gjithashtu thuhet që nevojitet të bëhet shumë më tepër në këtë drejtim, ashtu si edhe për reformën e gjyqësorit. 
Por për administratën publike, të cilës ju i kushtoni një vëmendje të veçantë, A ju duket se votimi reflektoi mbështetjen e qëndrimit tuaj edhe nga eurodeputetët e tjerë? 
Knut Fleckenstein: Mendoj se po, sepse ne vlerësojmë fillimin e punës për ligjin për shërbimin civil. Ne inkurajojmë që të vazhdohet në këtë drejtim, pasi ky është orientimi i duhur drejt Bashkimit Europian.
Eduard Kukan: Reforma për administratën publike është e kontestuar në Shqipëri. Ajo kontestohet nga opozita. Por shpresoj, që ky proçes do të çojë në përmirësimin e administratës publike dhe të një shërbim më të mirë civil në Shqipëri.
Zoti Fleckenstein, ju u shprehët se nuk jeni zëdhënësi i qeverisë dhe as instrument i opozitës. A do të thotë kjo që ju ka ardhur në majë të hundës me presionin që vjen nga Tirana?
Knut Fleckenstein: Nuk është se më ka ardhur në majë të hundës, por u befasova kur konstatova, se sa të zellëshm ishin disa deputetë shqipëtarë për të më dhënë këshilla të mira. Si përfundim, mua m’u desh që të bindja kolegët e mi të grupimeve të tjera politike në PE, sepse është një rezolutë e PE-së dhe s’bëhet fjalë për të bindur kolegët në Kuvendin e Shqipërisë. 
Duke qenë se ju jeni dy ndërmjetësit për marrëveshjen e dhjetorit që përfshin edhe dekriminalizimin, a mendoni që paketa e dekriminalizimit nuk ka asnjë shans për t’u aprovuar në qershor për zgjedhjet lokale?
Eduard Kukan: Nuk e di. Unë thjesht kam dëgjuar për raste specifike nga të dyla palët, ku duket se dekriminalizimi perceptohet shumë i rëndësishëm për palën kundërshtare, por jo brenda për brenda forcës politike dhe për spektrin politik të gjerë. Do ta shohim se si do të rrjedhin ngjarjet . Por shpresoj, që zgjedhjet lokale të jenë një hap në drejtimin e duhur. Nëse proçesi i dekriminalizimit do të finalizohet para kësaj, pa diskutim që do të ndihmonte.
Sigal