Sigal

Pas lirisë dhe pavarësisë, Kosova sot pati një ditë tejet të veçantë. Parlamenti i Kosovës në mënyrë unanime miratoi Projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur të Kosovës, përkatësisht në ushtri të shtetit tonë. Miratimi i këtij Projektligji hap rrugën, ku në një të ardhshme të afërt Kosova të bëhet pjesë e NATOS. Përpjekjet e Kosovës, më në fund, po realizohen që edhe kjo ta ketë ushtrinë e vet që do të ruajë  me dinjitet dhe përgjegjësi kufijtë e saj në tërë territorin dhe njëkohësisht do të jetë forcë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.

Kosova ka bërë përgatitje të suksesshme që ta ketë ushtrinë e saj, duke dërguar vite me radhë pjestarët e FSK në shkollim dhe stërvitje në SHBA dhe në disa vende të tjera evropiane. Kjo forcë e Kosovës, oficerët dhe kadetët e saj, kanë zënë ndër vendet e para në gara të ndryshme, në shtetet ku ato janë organizuar. Ky sukses flet se do të kemi një ushtri profesionale, moderne dhe të përgjegjshme për t’ i dalë zot vendit në situata të ndryshme.

NOA

Me formimin e ushtrisë sonë, me hyrjen në NATO të Maqedonisë dhe pastaj të Kosovës në këtë Aleancë Veriatlantike, rajoni i Ballkanit do të përfitojë shumë në aspektin e paqes dhe të sigurisë. Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e paqes. Ajo do të mbështes të gjithë qytetarët e saj, pa përjashtim, dhe do të ruajë ata nga të gjitha rreziqet e mundshme. Në ketë kontekst Kosova po realizon të drejtën e vet të patjetërsueshme, si çdo shtet tjetër në botë, që ta ketë forcën e vet të armatosur.

Jam shumë i lumtur që Qeverisë së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj t’ju uroj miratimin e Projektligjit për transformimin e FSK në Forcë të Armatosur të Kosovës – në ushtri. Sot është një ditë e jashtëzakonshme për popullin tonë.

Urime për këtë fitore të madhe, Kosovë!

Harry Bajraktari