Edmond Haxhinasto: Një moment alarmant për një Republikë, kur Kryetari i Shtetit i bën thirrje qytetarëve për të mbrojtur Kushtetutën

446
Sigal

Nga Edmond Haxhinasto

Është një moment alarmant për një Republikë, kur Kryetari i Shtetit i bën thirrje qytetarëve për të mbrojtur Kushtetutën dhe për të ushtruar sovranitetin e tyre përmes referendumit.

Në këto kushte, përkatësia politike lihet menjanë, pasi kjo nuk është çështje pushteti, (pra, cila forcë politike ka mazhorancën për të qeverisur), por është çështje shteti, (në çfarë sistemi a formë qeverisje jetojmë e do të jetojmë në të ardhmen).

Është e nevojshme që në këtë moment të reflektoj midis thelbit të demokracisë dhe thelbit të republikës. M’u desh t’u kthehem disa përcaktimeve themelore për to:

Demokracia është nje sistem, një formë e zgjedhjes së qeverisjes nga të gjithë qytetarët, duke ushtruar sovranitetin dhe vendim-marrjen e tyre, ose direkt (referendum) ose nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur (që marrin vendime për zgjedhësit dhe në emër të zgjedhësve).

Republika është një formë e shtetit ku pushteti suprem i përket qytetarëve dhe përfaqësuesve të zgjedhur. Formën e kësaj Republike e përcakton KUSHTETUTA, ligji themelor i shtetit.

Në fakt, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, i përcakton, e zeza mbi të bardhë, të dy këto koncepte themelore në dy nënet e saj të para:

Neni 1

  1. Shqipëria është republikë parlamentare.
  2. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta,….

Neni 2

  1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
  2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.

 

M’u kujtua, tek shkruaja këto rrjeshta, dialogu proverbial i Benjamin Franklinit me një delegate, kur doli nga Salla ku mbahej Konventa Kushtetuese, në 17 shtator 1787. Zonja e pyeti: Cfarë sistemi keni zgjedhur, Doktor Franklin, monarki apo republikë?

Franklin, një nga Baballarët Themelues të SHBA-ve, u përgjigj: Republikë, nëse mund ta ruani! (Republic, if you can keep it).

Në fakt, Baballarët Themelues, krijuan një sistem kushtetues që i qëndroi kohës, gjenialiteti i të cilit qëndron në ndarjen e pushteteve, të tre të barazvlefshëm – Gjyqsori, Legjislativi, dhe Ekzekutivi, të cilët kontrollojnë dhe balancojnë njëri tjetrin.

Por, një dimension i katërt, të cilin historia e ka konfirmuar si të domosdoshëm, është pikërisht, ajo që shprehu Doktor Benjamin Franklin: Republika funksionon kur E RUAJME ATË!

Që nga 1787, kushtetuta e SHBA ka patur 28 amendime që kanë forcuar të drejtat e qytetarëve por dhe kanë konsoliduar më tej ndarjen e pushteteve, si një mënyrë për të garantuar forcuar më tej pikërisht këto të drejta (të qytetarëve).

 

Nëse ne shqiptarët do ta kishin mësuar më mirë këtë histori, amendimet e 2008-tës do t’i kishin parë nga perspektiva e të drejtave të të qeverisurve, të qytetarëve, jo nga perspektiva e qeverisësve dhe konsolidimi i pushtetit të tyre.

Nuk është ndonjë filozofi e ndërlikuar të kuptosh së cdo forcim i qeverisësve është dobesim i të qeverisurve, i qytetarëve sovrane. E kundërta, është gjithashtu e vërtetë dhe mund të perifrazohet: çdo forcim i sovranitetit të zgjedhësve, dobëson arrogancën e të zgjedhurve prej tyre.

Në këtë kontekst, mund të shtrohen legjitimisht disa pyetje të cilat nuk kërkojne përgjigje të shkruar, por janë një ftesë që secili t’i përgjigjet në thellësinë e heshtur të mendimit dhe bindjes së vet:

A ka një problem themelor me Demokracine kur përfaqësuesit e zgjedhur nuk janë ata që ka zgjedhur qytetari, as në emër e as në numër?

A ka një problem themelor me Demokracinë dhe Republikën kur përfaqësuesit e zgjedhur në institucionin Ligjvënës nuk janë në sasinë e kërkuar nga Kushtetuta?

 

A ka një problem themelor me Republikën kur ligji i saj themelor është amenduar për të forcuar pushtetin e mazhorancës dhe jo pushtetin e qytetarit?

A ka një problem themelor me Republikën kur Kushtetuta e saj nuk sanksionon dot barazinë, balancën dhe kontrollin e tre pushteteve: Legjislativin (kuvendi), Gjyqësorin dhe Ekzekutivin (qeveria), por njëri prej tyre, Ekzekutivi dominon dhe kontrollon edhe të tjerët?

A ka një problem themelor me Republikën kur Kushtetuta nuk zbatohet (NUK RUHET) dhe gërma e fryma lexohen në varësi të peshës së karriges ku është ulur pushtetari?

A ka një problem themelor me Republikën kur Gjykatësi dhe Garantori i ligjit themelor, Gjykata Kushtetuese nuk ekziston prej dy vitesh?

A ka një problem themelor me Republikën kur Kryetari i Shtetit bën detyren e tij për të riparuar sado pak zhbalancimin e tre pushteteve (Kuvend – Qeveri- Gjyqsor) dhe kundër tij ngrihen dy prej tyre?

A quhet një situatë e tillë krizë e rëndë e Demokracisë dhe Republikës?

A ka një problem themelor për Demokracinë dhe Republikën kur zgjidhja e kësaj krize nëpërmjet ushtrimit të demokracisë direkte (zgjedhje të lira e të ndershme) nuk pranohet nga mazhoranca?

A mendojmë vërtetë se BE do na hapë ndonjëherë dyert pa zgjidhur një krize të tillë?

A e ka transformuar kjo krizë thelbin e Demokracisë dhe Republikës dhe a duhet rithemeluar ajo?

Dhe në fund,

A është i gatshëm çdo qytetar i këtij vendi të ndërmarrë një detyrë dhe të ushtrojë një të drejtë të tillë: t’i rikthejë vetes sovranitetin dhe të rithemelojë Republikën?

(Përgjigjja e kësaj të fundit, do të përcaktojë se si e ku do jetojmë në dekadën e ardhshme.