Edi Rama: Taksa e ndershme inkurajon biznesin

442
Sigal

 Takim me investitorët e huaj, krijimi i Këshillit të Investimeve, do të rrisë dialogun qeveri-investitorë

Shoqata e investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) organizoj ditën e djeshme, në Hotel “Rogner” një aktivitet, tashmë traditë vjetore, “Vvishes for a Suçessful Business Year 2014”. Aktiviteti kishte si qellim të përcillte urimet për një vit të suksesshëm financiar. Në këtë ceremoni përcolli urimet e tij, Kryeministri i vendit, z. Edi Rama. Njëkohësisht, mesazhe urimi u përcollën dhe nga ambasadori i BE në Tiranë, z.Ettore Sequi, i cili së bashku me z.Patrick Pascal, President i FIAA çelën ceremoninë. Në këtë ceremoni ishin të ftuar Komuniteti i Biznesit të Huaj në vend si dhe institucione të ndryshme Qeveritare dhe Ambasada të akredituara në Tiranë. I pari e mori fjalën me z. Patrick Pascal, i cili falënderojë pjesëmarrësit, Kryeministrin Rama, si dhe kërkoj mbështetjen e qeverisë për biznesmenët e huaj dhe krijimin e klimës së përshtatshme për biznesin. Më pas, fjalën e mori z. Ettore Sequi, i cili ftoi Kryeministrin Edi Rama, të mbaj fjalën e tij. Mes të tjerave Rama tha se, Qeveria shqiptare është e interesuar në tërheqjen e sa më shumë investimeve të huaja, por për këtë nevojitet krijimi i një klime të përshtatshme. Gjatë takimit me investitorë të huaj në vendin tonë, Rama theksoi se, vendosja e sistemit të taksimit të ndershëm i vjen në ndihmë sipërmarrjes. Kreu i qeverisë u shpreh se, sistemi i taksimit të ndershëm inkurajon investimet si dhe nuk përbën barrë për biznesin e madh. “Sistemi i ndershëm i taksimit nuk përbën më një barrë tek biznesi i madh, por përfaqëson inkurajim dhe qëndrueshmëri. Një taksë reale mbi të ardhurat rreth 22 % ishte një reflektim i asaj qeverisje që thoshte një gjë dhe bënte një gjë tjetër, ne i shpallim qëllimet tona dhe i bëjmë të qarta politikat tona. Sa i përket sistemit të taksimit ne po punojmë për të arritur një marrëveshje të veçantë fiskale me qëllim që t’i krijojmë bizneseve kushte të përshtatshme”, tha Rama. Duke u ndalur tek Këshilli Ekonomik Kombëtar dhe mundësive që krijon ky këshill si urë lidhëse me biznesin, kreu i qeverisë tha se, do të pasohet me krijimit të Këshillit të Investimeve, në mënyrë që të rritet edhe dialogu qeveri-investitorë. “Ne ngritëm ashtu si kishim premtuar Këshillin Ekonomik Kombëtar për të diskutuar me aktorët kryesore ekonomikë çështjet që ata i shqetësojnë dhe propozimet. Ky këshill do të jetë një instrument në dispozicionin tuaj jo vetëm që të sillet mendimi dhe propozimet e përfaqësuesve tuaj, por për të sjellë përmes kësaj ure lidhëse shqetësimet tuaja specifike të veçanta në lidhje me administratën, apo procedurat, në raste kur keni pakënaqësi. Ky sistem do të ndiqet nga krijimi i Këshillit të Investimeve me qëllim që të rritet dialogu ynë me investitorët në mënyrë që të garantohet edhe vazhdimësia e projekteve. Mund të ketë ankesa për procedurat që i kërkojnë atyre shumë kohë, kundër korrupsionit apo monopoleve”,- vijoi kreu i qeverisë.

Rama: Shqipëria mund të jetë horizonti i ri i investimeve italiane

 Gjithashtu, në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, Kryeministri Shqiptar është shprehur se, Shqipëria mund të jetë horizonti i ri i investimeve italiane. Rama pritet të zhvillojë të premten e ardhshme një vizitë në Milano për një sërë takimesh me sipërmarrësit lombardë, kjo pas vizitës në Pulia dhe Romë dhjetorin e kaluar. Milano është etapa e tretë e një turi ku kryeministri shqiptar do të zhvillojë në rajone të ndryshme të Italisë për të prezantuar vendin e tij dhe mundësitë që Shqipëria i ofron sipërmarrjes italiane. Takimi i parë do të jetë në filialin italian të kompanisë gjermane ”Bosch” me disa dhjetëra sipërmarrës për të vazhduar më tej me një takim me “Assolombarda”-n, shoqatë e industrialistëve të zonës së Lombardisë. Në ditën e shtunë Kryeministri do të udhëtojë drejt Milanos, ku do të takohet me një grup biznesmenësh më banim dhe aktivitet biznesi në këtë qytet. Në këtë vizitë do të shoqërohet nga ministri i ekonomisë dhe deputetë të zonave ku kanë aktivitet biznesmenët italianë.