Lulzim Basha informon ndërkombëtarët: Manipulimi i të dhënave tatimore, rendi dhe pasiguria, situatë alarmante

466
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i shoqëruar nga një grup deputetësh demokratë, shtroi dje një mëngjes pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ambasadorin e BE-së, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe OSBE-së. Zoti Basha i njohu bashkëbiseduesit me shqetësimet e opozitës lidhur me situatën e fundit politike dhe shoqërore në vend. Ai e ka konsideruar klonimimin, vjedhjen dhe manipulimin e të dhënave të serverit qendror në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Taksave një akt të paprecedent të shkeljes së ligjit dhe për pasigurinë që krijon tek biznesi, investitorët, dhe qytetarët. Një tjetër shqetësim i shprehur në këtë takim nga Kryetari i Partisë Demokratike ishte dhe situata e rëndë e kriminalitetit dhe pasigurisë në vend. “Situata alarmante është pasojë e drejtpërdrejtë e zhbërjes së strukturave të rëndësishme të ndërtuara ndër vite me kontributin e çmuar të BE-së dhe SHBA-ve. Shkarkimeve masive të profesionistëve dhe zëvendësimit të tyre me militantë partiakë, emërimet në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit dhe rikthimi në Polici i personave të larguar për lidhjet e tyre me krimin në të kaluarën”,- theksoi kryetari Basha. Në këtë kuadër ambasadorët u njohën mbi iniciativën e grupit parlamentar demokrat për të ndërmarrë një hetim parlamentar mbi shkaqet dhe rrethanat që kanë çuar në këtë degradim të frikshëm të situatës së kriminalitetit në vend me qëllim identifikimin e prioritete dhe hapave për të dalë nga kjo situatë. Gjithashtu, Kryetari i PD, Lulzim Basha dje mori pjesë në kremtimin e 23 -vjetorit të krijimit së degës së PD në Lushnjë. “Rritja e taksave, jo vetëm që nuk ka hapur asnjë vend i ri pune, por ka çuar në mbylljen e shumë bizneseve, largimin e investitorëve të huaj”,-ka deklaruar Basha nga qyteti i Lushnjës.