DW: Shembja e teatrit ka shkaktuar mllef të madh. Gjatë protestave ka pasur dhunë dhe arrestime

350
Sigal

Opozita paralajmëron nisjen e protestsave popullore. Shembja e teatrit ka shkaktuar mllef të madh. Gjatë protestave ka pasur dhunë dhe arrestime.

Lëvizja “Aleanca për Teatrin” e aktorëve për ta ristrukturuar dhe jo shembur nuk ia doli mbanë. Edhe pse anëtarët e saj deklaruan se fandromat do të kalonin më parë në trupat e tyre, policia i nxorri ata me forcë jashtë mjediseve të teatrit, ku për 27 muaj ata kundërshtuan opsionin e qeverisë për ta shembur kompleksin e vjetër dhe ndërtuar në vend të tij një teatër të ri. Ata u bënë pjesë e protestës së qytetarëve dhe opozitës jashtë parlamentare që vazhdoi deri në orët e para të mesditës. Policia arrestoi eksponentët më aktivë të lëvizjes dhe përdori dhunë për t’i shpërndarë protestuesit që shembjen  e Teatrit e  konsiderojnë si “instalim të diktaturës” nga qeveria Rama, ndaj të cilës bënë thirrje për ta rrëzuar.

Albanien Nationaltheater in Tirana gilt nach 70 Jahren als europäisches Kulturerbe (DW/A. Ruci)

Opozita e bashkuar jashtë parlamentit, që e ka mbështeur lëvizjen”Aleanca për Teatrin” paralajmëroi sot, përmes liderit të saj Lulzim Basha, fillimin e protestave mbarëpopullore për të rrëzuar qeverinë Rama. Sipas saj, shembja e Teatrit Kombëtar është “flijimi i lirive dhe të drejtave elementare të çdo qytetari”.

Trashëgimi kulturore, teatër modern, aferë korruptive e mafias në pushtet?

Aktori dhe regjizori Edmond Budina, një nga pjesëmarrësit më të vendosur në lëvizjen ” Aleanca për Teatrin” është i shokuar. Ai pati besim deri në minutën e fundit që Teatri nuk do të shembej. Besimi i tij mbështetej tek denoncimi në SPAK, adresimi i ꞔështjes nga Presidenti Meta në Gjykatën Kushtetuese për të vendosur shembjen ose jo të Teatrit, përkrahjen e forumit ” Europa Nostra”, që e shpalli Teatrin Kombëtar në Tiranë një nga 7 objektet e trashëgimisë së rrezikuara kulturore të Europës. Disa orë para aksionit të policisë, në mjediset e jashtme të Teatrit Kombëtar, Edmond Budina tregoi , arësyet e qëndresës kundër shembjes.

Albanien | Zerstörung des Nationalen Theater in Tirana (DW/A. Ruci)

“E ruajmë Teatrin edhe natën që prej 10 muajsh, kur morëm sinjale se policia do vinte ta shembte për të ndërtuar kulla dhe në katin e parë të njërës prej tyre Teatrin. Kundërshtimi ynë solli heqjen dorë nga kullat në territorin e teatrit. Vijojmë ta mbrojmë nga mafia e ndërtimit. A i shikon këto pisha të larta në oborrin e brendshëm të Teatrit? Secila ka emrin e korifejve të artit dramatik kombëtar si Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Violeta Maniushi etj etj.. që nuk janë më por kanë luajtur në skenën e tij kryevepra dramaturgjike. Nuk është njëlloj për brezat që vijnë të shohin skenën e teatrit ku ata kanë interpretuar dhe në vend të saj një pllakë përkujtimore” tha ai për DW.

Shembja ndodhi ndryshe nga sa besonte ai pak orë më parë në bisedë me DW. Tani ai thotë që “nxitimi për ta shembur tregon se ka një “aferrë korruptive”, se është kryer një “akt kriminal dhe është vendosur diktatura”.

“Aleanca për Teatrin” do vijojë kundërshtimin dhe do t’i bëjë thirrje poullit për mosbindje civile”, tha Edmond Budina.

Arben Kola, protestues, që nuk është pjesëtar i Lëvizjës ” Aleanca për Teatrin ” mbron të njëjtën pikpamje. ”Po vendoset diktatura, jam këtu për të protrestuar kundër saj dhe do të jem edhe në vijim. Nuk jam mbështetës i opozitës, nuk më intereson politika, por nuk dua të jetoj në diktaturë” .

Albanien | Zerstörung des Nationalen Theater in Tirana (DW/A. Ruci)

Meta: “Krim kushtetues…”

Presidenti Meta e quajti sot shembjen e Teatrit Kombëtar një “krim kushtetues, ligjor , moral i pa amnistueshëm, vepër e mafies në pushtet.”

Der albanische Präsident Ilir Meta (DW/A. Ruci)

Forumi ” Europa Nostra” e quan ditën e sotme ” të trishtuar për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe Europës, një ditë të trishtuar për demokracinë dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri.”

Kryeministri Rama i ka hedhur poshtë akuzat për aferë korruptive. Ai ka mbrojtur prej më shumë se dy dekadash, që në vitin 1998 kur ishte Ministër i Kuturës, projektin e shembjes dhe ndërtimin e një teatri modern. Ai tha se “nuk është i pagabueshëm”, pas kritikave të faktorit ndërkombëtar për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj aktorëve dhe protestuesve.

OSCE Edi Rama (AFP/V. Simicek)

Gjermania – thirrje për dialog dhe vetëpërmbajtje.

Shembja e Teatrit Kombëtar dhe dhuna e shtruar nga policia ndaj protestuesve janë pritur me shqetësim nga institucionet e BE dhe kryediplomatët e vendeve të tij anëtare.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingrad, në një deklaratë në median sociale  u bëri e  thirrje, “të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje”.

“Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas”, theksoi ambasadori gjerma Zingraf në mesazhi e tij.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, David Lega, i bëri thirrje sot kryemnistrit Rama “të ndalë shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar, të ndalojë dhunën ndaj artistëve e aktivistëve, të angazhohet në dialog me të gjithë grupet e interesuara përfshirë Europa Nostra dhe Institutin e Bankës Evropiane të Investimeve të cilat mbështeten nga Komisioni Evropian dhe janë të gatshme për të ndihmuar”.

Ai i solli në vëmendje qeverisë Rama “15 kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të filluar negociatat, ku shteti ligjor është primar”.