Dvorani në gjyqësor, edhe bari, edhe kasap

307
Sigal

Konstitucionalisti Sokol Hazizi / Vendimmarrja e KLGJ-së, ose pamundësia për të marrë një vendim të drejtë, që lidhet me konstatimin e mbarimit të mandatit të një prej anëtarve të Gjykatës Lartë, është shprehje e humbjes së pavarsisë  së këtij organi nga politikbërja. Kërkesa për interpretim tek EURALIUS e panevojshme. Një pjesë e anëtarve të KLGJ-së kanë qënë klient të EURALIUS  dhe vazhdojnë të mbajnë njërin sy tek  financimet e donacionet e tij

Jakup B. GJOÇA

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se KLGJ e ka humbur pavarësinë e saj, si institucion kushtetues, prandaj edhe vendimi që për mandatin e Dvoranit, të marrë opinion nga EURALIUS, që është një organizëm që financohet nga BE, funksionon mbi kontributin e specialistëve lokal, pra shqiptar, midis të cilëve, me pak fjalë përfitues i përhershëm ka qenë dhe është Z. Dvorani. Konstitucionalisti Hazizaj shprehhet se “e vërteta është, se shumë prej syreshëve anëtarë të KLGJ-s janë, ose kanë qenë klient të organizatës që i janë drejtuar ose vazhdojnë ta mbajnë njërin sy nga donacionet financiare të tyre. Për këtë mjafton të hetoni listën e pagesave në vite”.

-Zoti Hazizaj, a ka integritet KLGJ si institucion i pavarur i Drejtësisë, derisa për çështjen e Dvoranit i kërkon opinion EURALIUS, i cili tashmë është një OJF, meqë BE i ka ndërprerë financimin dhe nuk është më institucion i BE-së?

– Lidhur me pyetjen tuaj, sqaroj se për shkak të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, organi qeverisës i drejtësisë Këshilli Lartë Gjyqësor nuk ka patur dhe nuk do të ketë arsye të mos jetë i pavarur në vendimmarrjen e vet. Madje, po ta shohësh me vëmendjen e duhur vendimmarrja, ose pamundësia për të marrë një vendim të drejtë, që lidhet me konstatimin e mbarimit të mandatit të një prej anëtarëve të Gjykatës Lartë, është shprehje e humbjes së pavarësisë së këtij organi nga politikbërja. Duke pranuar për diskutim në mbledhjen e saj një fakt që tani nuk është kushtetues, por tërësisht jo kushtetues, sepse vazhdimin i mandatit të Z. Dvorani nuk është dhe nuk mund të jetë konstatim i KLGJ-s, nga ana tjetër provuan të diskutojnë mbi një moment që nuk ka lidhje me objektin e veprimtarisë tyre, sepse ky organ në thelb nuk ka detyrim ligjor të konstatoj mbarimin e mandatit të një gjyqtari, për më tepër të kërkojë opinion ligjor te një organizatë me natyre si si EURALIUS. Gjithësesi, për shkak të padijenisë së publikut, bëj me dije se ky organizëm, pra Euralius është një projekt i financuar nga BE. Projekti zbatohet nga një bashkim i përbërë nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ) si Partner Udhëheqës,i mandatuar nga Ministria Federale e Drejtësisë dhe Mbrojtja e Konsumatorit, nga Qendra Hollandeze për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (CILC), Agjensia Austriake për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (aed) dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor Italian (CSM).

Ky organizëm në karakterin lokal të tij, pra në vendin tonë, funksionon mbi kontributin e specialistëve lokal, pra shqiptar, midis të cilëve, me pak fjalë përfitues i përhershëm ka qenë dhe është Z. Dvorani. Pa e zgjatur, konkluzioni është fare i qartë, Këshilli Lartë Gjyqësor “ka vendosur duke mos vendosur për Dvoranin të pyes Euralius, çfarë ka menduar Z. Dvorani, ku ai ka qenë dhe është partner. Për më tepër, kur dihet po kaq qartë që organizmi i sipërcituar selinë e ka në Ministrinë e Drejtësisë. Sa më sipër, i vetmi konstatim që më vjen sipari në lidhje me kushtetushmërinë ose jo këtij anëtari në në Gjykatën e Lartë është diskutim apo debat pa kokë dhe këmbë, pra kot. Është i tillë dhe për faktin tjetër, se siç dihet, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përpara ndryshimeve të saj, Presidenti Republikës së Shqipërisë ka qenë në rolin e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Sipas  parashikimeve në Kushtetutën e asaj kohe, kishte të drejtën e emërimit dhe propozimit për qënien anëtar të Gjykatës së Lartë. Në këtë kuptim, i ka patur të gjitha të drejtat për të konstatuar një fakt jo vetëm kushtetushmërisht të njohur dhe pranuar, po dhe ligjërisht.

Për rrjedhojë, duhet pranuar se janë të gjithë aktorët politik, e kanë kthyer me shumë dëshirë  Dvoranin në rolin e bariut të ligjit dhe kasapit të zbatimit të tij. Në këtë kuptim ky debat është shterp, për t’u gjendur kola në punë, sepse nuk sjell asgjë të re, vetëm faktin e një konstatimi që nuk ka nevojë për interpretimin e një organizmi, veçanërisht të Euraliusit, që ka formë dhe përmbajtje tjetër nga çfarë ka kërkuar Dvorani&Co.

– Pse KLGJ, derisa ka paqartësi kushtetuese për çështjen e Dvoranit, pse nuk i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, derisa Gjykata Kushtetuese funksionin, ose Komisionit të Venecias?

– Këshilli Lartë Gjyqësor është një institucion vetëqeverisës për të siguruar autonominë dhe pavarësinë e Gjyqësorit nga degët e tjera të shtetit, veçanërisht ekzekutivi, sipas parimit të ndarjes së pushteteve të shprehura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Duke qenë dhe institucion kushtetues, i ka të gjitha të drejtat për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe më tej, organizmave ndërkombëtar. Por siç dihet në këtë vend, ku mjerisht jetojmë, dje, sot dhe më pas nuk ka për të patur drejtësi të pavarur, siç idealisht besohet. Nuk ka rëndësi arsyet, por e vërteta është, se shumë prej syreshëve anëtarë të KLGJ-s janë, ose kanë qenë klient të organizatës që i janë drejtuar ose vazhdojnë ta mbajnë njërin sy nga donacionet financiare të tyre.

Për këtë mjafton të hetoni listën e pagesave në vite. Por, duke mos qenë objekt i këtij dialogu midis nesh, por ritheksoj se KLGJ-ja në rastin konkret me vendimmarrjen e saj nuk i ka shërbyer drejtësisë, as vehtes, as gjyqtarëve, dhe as Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, për të cilën janë betuar. Do ishte e tepërt të vijoja me çdo simbolik tjetër, sepse treguan se e humbën stacionin e vetëm dhe të parë për të bërë drejtësi.