Duhet të publikohen emrat e kryebashkiakëve që kanë rekorde kriminale

591
Kodi ynë Zgjedhor, edhe pse është në fuqi 15 vjet, me gjithë ndryshimet që i bëhen para çdo zgjedhjeje, ende nuk ka asnjë pengesë, kufizim, që të ndalojë çdo person që ka rekorde kriminale, të kandidojë, qoftë për deputet, qoftë për kryebashkiak, apo edhe për këshilltarë në këshillat bashkiakë. Edhe pse në 26 dhjetor 2014 u nënshkrua një marrëveshje e të gjitha partive parlamentare, për të filluar procesi i dekriminalizimit të politikës, ku një ndër pikat e konsensusit ishte që dekriminalizimi të fillojë që nga zgjedhjet e 21 qershorit 2015, faktikisht, forcat politike nuk kishin vullnetin që të sanksiononin në Kodin Zgjedhor despozita të tilla, që të ndalohej me ligj pjesëmarrja si kandidat i çdo personi, që në cv e tij penale ka rekorde kriminale. 
Apeli i ndërkombëtarëve për të mos votuar kandidatët e inkriminuar
Edhe listat e kandidatëve për kryebashkiakë u mbushën me kandidatë, që në cv e tyre kanë rekorde kriminale, qoftë në vendin tonë, por edhe në vendet e tjera të Europës. Edhe pse faktorët ndërkombëtarë, ambasadorët e akredituar në Tiranë, e sidomos ambasadori amerikan Donald Lu bën apel të herëpashershëm partive politike që të mos kandidonin persona me rekorde kriminale. Madje, edhe kryeprokurori Adriatik Llalla urdhëroi prokuroritë e qarqeve që të hetonin të gjithë kandidatët. Ambasadori Donald Lu, një ditë para zgjedhjeve, më 20 qershor u bëri apel votuesve shqiptarë, që të mos votojnë kandidatët e inkriminuar, pasi vendosmëria e dukshme e partive për të kandiduar njerëz të dyshuar për krime është një poshtërim për popullin shqiptar. Ndërsa në 21 qershor, ditën e votimit, kryeprokurori Adriatik Llalla publikisht pranoi që është përgatitur një listë, në bazë të hetimeve të prokurorive, me kandidatë që kanë rekorde kriminale, dhe kryeprokurori Llalla pohon se kjo listë u pështë përcjellë nga prokuroria e Përgjithshme institucioneve përkatëse.
Nevoja për votat për partitë është mbi çdo interes kombëtar
Partitë politike shpenzojnë shuma të mëdha, mbi mundësitë e financiare që u lejon ligji dhe është e dikur, që këto shpenzime financiare elektorale, partitë i marrin nga njerëz që kanë lidhje me botën e krimit, që janë vetë mbartës të krimit, madje, shumë herë paracaktojnë edhe kushte që ata të jenë, jo vetëm financuesë, por edhe kandidatë. Ka kandidatë që u financuan ekonomikisht nga politikë aktivë, nga politikanë që janë pezulluar. Shpërblimi që kërkojnë financuesit e botës së krimit nga politikanët për kontributin financiarë është që pushteti që fitojnë përfaqësuesit e tyre, ose partitë që marrin pushtetin me paratë e krimit, t’u japë privilegjet, tenderat dhe lirinë e veprimit të aktivitetit të tyre kriminal, pa u prekur kurrë nga ligji. Pyetja e vetme është: Çdo të bëhet tashmë me ata kandidatë me rekorde kriminale, që fituan me votë mandatin e kryebashkiakut? Do të veprojë mbi ta ligji i dekriminalizimit, nëse në ditë vetë ky ligj miratohet nga Parlamenti? Dëshira Subashi, ishzvkryetare e KQZ, thotë për “Telegraf”, se tani është tepër vonë, dhe nuk mundet që askush t’i prekë ata që fituan votën, dhe se as ambasadorët nuk mund të publikojnë lista, as prokurori nuk mund të bëjë asgjë. Partitë duhet të vendosnin para se t’i kandidonin individët. Ndërsa Av Idajet Beqiri pohon për “Telegraf”, se e gjithë kjo është një lojë politike dhe tymnajë. 
Dëshira Subashi, ishzvkryetare e KQZ:Tani është tepër vonë për të vepruar
Sot jemi para faktit që zgjedhjet janë realizuar, mandatet janë përcaktuar dhe në kuptimin e të drejtave dhe lirive kushtetuese ata gëzojnë këtë mandat në mënyrë të ligjshme. Vetëm nëse në ndonjë nga kandidatët, ekziston rasti që të jetë duke vuajtur dënimin në heqje lirie, ky është rasti që mund të bëhet shkak për heqje të mandatit. Në dijenine time një rast i tillë nuk ekziston. Për asnjë arsye tjetër ligjërisht nuk mund të kemi ndërpreje të mandateve të fituara. Çdo veprim tjetër do të përbënte shkelje të të drejtave kushtetuese. Ky është veprimi ligjor. Në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave nga partitë politike, ka një fushë të lirë për të bërë vlerësime ligjore dhe morale të kandidatëve. Ky veprim nuk përbën shkelje të ligjit. Unë mendoj se Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë funksion në përcaktimin e personave me rekorde kriminale që kandidojnë, apo marrin mandate nga zgjedhjet për pushtetin vendor dhe politik. Në se këtij institucioni i kërkohen të dhëna nga institucione të tjera, ai është në të drejtën e tij për të dhënë përgjigjet e kërkuara, por nuk besoj se është veprim i duhur publikimi i personave në proces hetimor, sepse mbi të gjitha çdo person që hetohet është i pafajshëm dhe gëzon të gjitha të drejtat të garantuara nga Kushtetuta dhe nga aktet ndërkombëtare. Të drejtat e njeriut janë thelbësore për demokracinë e një vendi. Një shtet funksionon në bazë dhe në zbatim të ligjit. Për shqetësimin që ju pyesni, por që ka marrë edhe zhvillim në opinionin publik që në të zgjedhurit e pushtetit vendor mund të ketë persona me rekorde kriminale është një çështje që duhet të kishte së pari vëmendjen e partive politike në momentin e hartimit të listave të kandidatëve , që është moment deciziv për të shmangur fenomenin. Tani është tepër vonë!
Av:Idajet Beqiri: Është spekulim politik e ashtuquajtura “luftë” për të pastruar politikën nga kriminaliteti
Po abuzohet shumë politikisht me termin “person me rekorde kriminale”. Për fatin e keq, e ashtuquajtura “luftë” për të pastruar politikën dhe institucionet e shtetit nga njerëzit “me rekorde kriminale”, bëhet thjeshtë dhe vetëm për të fituar pikë politike, apo për t’u dalluar te ndërkombëtarët për “mëndjen e ndritur” dhe “virgjërinë” e tyre në politikë! Bëhet një tymnaj e zhurmshme pa patur asnjë qëllim tjetër pozitiv, veç përfitimeve me karakter formal politik! Një shtet juridik e demokratik funksionon dhe mbahet në këmbë ne ligje, jo me deklarata të pasinqerta. Në Kushtetutën e Shqipërisë janë të parashikuara të gjitha rastet kur një shtetas i këtij vendi nuk e gëzon të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Në rast se ekziston vërtetë vullneti i mirë për të mos lejuar depërtimin e elementëve kriminel e keqbërës në organet e zgjedhura, në administratën publike apo në politikë, kjo gjë bëhet me krijimin e një baze ligjore demokratike. Në Kodin Zgjedhor si dhe në ligje të tjera organike, duhet të gjejnë pasqyrim të plotë, pa ekuivoke dhe të drejta interpretimi, të gjitha rastet e ndalimeve të shtetasve shqiptarë për të kandiduar si deputet, këshilltar, kryetar bashkie, për vende pune a drejtimi në administratën publike apo institucionet e shtetit. Pengimin e të inkriminuarëve për të konkurruar apo depërtuar në organet e zgjedhura, në politikë, në administratën publike, nuk e bëjnë lojërat e paprincipa të disa politikanëve që nuk i besojnë as vet ato që “psallin” vetëm me gojë. Të pengosh një qytetar të kandidoj për t’u zgjedhur me deklarata politikanësh apo ambasadorësh, kushdo qofshin ata, është sa antidemokratike dhe antiligjore, aq edhe abuzive. Veç ligjit, veç Kodit Zgjedhor, në të cilin duhet të përcaktohen saktë dhe me pjekuri, pa cenuar asnjë të drejtë dhe liri njeriu nga ato të përcaktuara në Konventën e OKB dhe KEDLNJ, askush tjetër nuk ka të drejtë të pengoj askënd nga e drejta e konkurimit në zgjedhje. Përderisa në Kodin Zgjedhor aktual nuk i kemi të sanksionuara qartazi rastet e pengimit të mos kandidimit në zgjedhje, askush nuk e ka të drejtën e pengimit. Kur të kemi të plotë kuadrin ligjor për të penguar personat që do të konsiderohen të papërshtatshëm për të kandiduar, athere gjithkujt që ka pengesa, i hapen edhe dosjet, i publikohen edhe aktet zyrtare që tregojnë të qënurit e tyre “me rekorde të rënda kriminale”. Çdo diskutim apo këndvështrim tjetër është abuziv, jo produktiv, zhurmues, por kurrë përfitues për shoqërinë tonë.
Kanë deklaruar
Donald Lu 20 qershor 2015 
Vendosmëri e dukshme e partive për të kandiduar njerëz të dyshuar për krime përbën një poshtërim për popullin shqiptar. Nëse do të zgjidhen, ata do të pretedojnë se ju mbështesin, ndërkohë që vjedhin paratë tuaja për të financuar mercedezët e zinj luksozë, vilat anës detit, apo rezidencat e tyre skandaloze. Shqipëria meriton më shumë. Tani u takon votuesve t’i refuzojnë këta kriminelë, që përbëjnë tallje për sistemin politik të Shqipërisë.
Adriatik Llalla 21 qershor 2015
“Në lidhje me listën ka emra konkretë të cilët nuk janë bërë publik sipas kërkesave të kërkuara nga institucionet përkatëse. Ligji penal nuk pengon individët të kandidojnë si subjekte në procesin e zgjedhor. Mendoj se tashmë me procesin e nisur nga ligjvënësi në politikat shqiptare për dekriminalizimin e politikës, ky problem ligjor do të marrë edhe zgjidhjen e duhur”.
Kreshnik Spahiu, ish Nënkryetar i KLD: Zoti Ambasador Donald Lu, publikoni emrat e atyre që janë të inkriminuar
Kreshnik Spahiu, i dërgon një letër ambasadorit të SHBA në Tiranë, ku ndër të tjera i kërkon: Miliona sy janë drejtuar drejt jush për të parë dhe dëgjuar nëse: Kriminelët u votuan, apo u refuzuan me vota nga shqiptarët? A do legjitimohet fitorja edhe nëse atyre do u krijojë imunitet funksioni publik i kryetarit të bashkisë? A do i njoh Ëashingtoni ata si partnerë? A do njihen këto zgjedhje të fituara nga “mercedesët e zinj” si proces zgjedhor me standarde apo jo? A do bëhen publikë emrat e kryetarëve që fituan, por që më parë, kanë pas rekorde kriminale apo do lihen anonim emrat e tyre.
Sigal