Zyra e Punësimit del jashtë loje: Elbasanasit e papunë dhe të pashpresë për bukën e gojës

517
Zyra e Punësimit në Elbasan i ngjet më tepër një kishe të zbrazët, e cila pret besimtarët të vijnë në ditët e meshës, pasi atje pothuajse nuk shkel asnjë i papunë. Ajo pothuajse është e pazonja për të siguruar dhe reklamuar tregun e punës, vendet e vjetra dhe të reja të punës, për t’ju përgjigjur në kohë reale kërkesave nga të papunët. Edhe përpjekjet e kësaj Zyre Punësimi për të bashkëpunuar me bizneset dhe Dhomën e Tregtisë, rezultojnë të dështuara. Në këtë situatë, si çdo sezon veror, edhe ky që ka nisur e ka gjetur tregun e punës në Elbasan në krizë totale, duke mos përjashtuar sektorin më fitimprurës atë të turizmit kulturor dhe malor që ka zona. Zyra e Punësimit, pavarësisht se deklaron se “kemi me bollëk vende të reja pune”, duket se ka dalë jashtë loje. Situata postzgjedhore dhe nisja e muajve të sezonit, kanë bërë që të papunët e Elbasanit, ti turren mbledhjes së kanoçeve për të siguruar bukën e gojës, ose ndonjë pune ditore. Bizneset e vogla si dhe kafenetë preferojnë të marrin provizorisht në punë muajt e verës studentë djem e vajza të reja të cilët pas shkollës, janë punësuar në lokalet e Elbasanit me një page fikse të ulët 120 mijë lekë të vjetra. 
Kryesisht ata shërbejnë si kamerierë, sportelistë, ndihmës kuzhinierë si dhe në shërbime të tjera. Pronarët e rrjetit hotelier, bar-restoranteve preferojnë pikërisht këtë kategori për shkak të cilësive dhe freskisë së moshës dhe pretendimeve të ulëta për pagën. Sipas të dhënave të shoqatës së biznesmenëve të sektorit të turizmit në Elbasan “Zyra e Punësimit, rezulton të jetë apatike, jashtë loje, pra jo bashkëpunuese ndërsa ne kemi punësuar afërsisht 150 të rinj e të reja në rrjetin e lokaleve, bareve, restoranteve dhe hoteleve”. Por numri i tyre pritet të rritet pas 15 korrikut deri në fund të shtatorit kur nis edhe shkolla. Pjesa më e madhe e tyre janë djem dhe vajza që ndjekin shkollat e mesme apo universitetet. Pasi kanë përfunduar shkollat, ata u janë turrur lokaleve për të gjetur ndonjë punë provizore. 
Pronarët preferojnë kryesisht të rinj dhe të reja për shkak të formimit të tyre qytetar, por edhe për shkak të shkathtësisë dhe freskisë së moshës, dhe mungesës së pretendimeve për pagesën. Ata paguhen për punën që kryejnë me kohë të pjesshme dhe me kohë të plotë në vartësi të kushteve të punësimit. Puna zgjat nga 5 orë deri 7 orë dhe sektorët e punësimit të tyre janë baret dhe restorantet ku ata shërbejnë si kamerierë apo ndihmës banakierë si dhe rolet e ndihmesave të kuzhinierëve. Bashkia nga ana e saj ka punësuar dhjetëra punëtorë gjithashtu sezonalë pranë ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit që do të shërbejnë në sektorin e pastrimit gjatë gjithë sezonit veror 2015. 
Sigal