Drejtoreshat miliardere të administratës publike

166
Sigal

Detaje të reja mbi dosjen misterioze të 500 mijë eurove që bllokuan tubat e aspirimit, por që u bënë kurban nga pastruesja e banesës së bejlereshave të kohës moderne. Brenda javës ky është rasti i tretë me zyrtarët, ku drejtoresha Sterjo mori 400 mijë euro për grantet e bujqësisë dhe Fero e AKSHI-t u kap me  thasët me drogë. Amnistia fiskale “asi nën mëngë” që do të shërbejë edhe si lavatriçe për pastrimin e parave të zyrtarëve. Pas denoncimit të opozitës, reagon Rama: Këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën “arrest me burg” për Rozeta dhe Havier Dobin, nënë e bir të cilët vodhën në shtëpinë e Alda Klosi, ish drejtoreshë e koncensioneve në ministrinë e Financave para disa vitesh, dhe deri në korrik të 2022, shefe e kabinetit të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj. Nënë e bir dyshohet se morën më shumë se 500 mijë euro në total së bashku me sende me vlerë në shtëpinë e Alda Klosit. Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi u vunë në pranga pas denoncimit të drejtoreshës së Arben Ahmetaj. Para tre ditësh policia i sekuestroi 120 mijë euro, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e sanitares u gjetën edhe 400 mijë euro të fshehura te tubi i aspirimit.

Dëshmia e zyrtares

 Zonja Klosi ka deklaruar se “paratë i kishte të xhaxhait dhe nuses së xhaxhait të saj, i cili i’a ka lënë për të kompletuar shtëpinë e tyre dhe për nevoja të tyre pasi xhaxhain e ka të sëmurë me kancer dhe për çdo nevojë që do të kishte, pasi djali i tyre është me probleme dhe këto lekë janë të mbledhura ndër vite nga ana e tyre pasi jetojnë në Amerikë dhe në këtë kohë ai po kurohet në Amerikë”. Megjithatë pikëpyetjet mbeten dhe mbi këtë version. Prokuroria ka shpjeguar nga ana e saj se do të hetojë origjinën e këtyre parave. Në dëshminë e saj për mediat, Klosi tha dhe se paratë i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait, ndërsa për to nuk ka asnjë faturë.

 Rrëfimi

 Rozeta Dobi punonte si pastruese në shtëpinë e zonjës Klosi, ku shkonte një herë në javë. Ajo ka pranuar përpara policisë se më 15 dhjetor, e shoqëruar me automjet nga i biri ka vajtur në banesën e zonjës Klosi, duke hapur derën me çelësin që e dispononte dhe pas kontrollit në banesë ka zbuluar një kasafortë, të cilën e ka marrë me vete. Ajo është shprehur se këtë e ka bërë nga urrejtja për zonjën e shtëpisë. Rrëfimi i saj duket po ashtu me dritëhije, përsa kohë është e paqartë se si ajo arriti të hapte kasafortën, gjatë rrugës së kthimit në shtëpi me të birin, ndërkohë që gjithshka duket e përllogaritur që më parë, duke qenë se në banesën e zonjës Klosi ka lënë rrëmujë dhe derën të hapur, për të krijuar idenë e një grabitjeje.

Vjedhja e 4 vilave,  mister emrat e pronarëve

Shtëpia e ish-shefes së kabinetit të Ahmetajt s’ishte e vetmja! Ata dyshohen se kanë kryer vjedhje edhe në 4 banesa të familjeve VIP në kryeqytet. Ende mbeten mister emrat e pronarëve. Mësohet se Dobi ishte e punësuar edhe në të tjerë zyrtarë të lartë të së njëjtës ministri, ku punonte më parë Klosi.

Dritëhijet e parave korruptive

Kjo vjedhje ka shërbyer si një shkëndijë për një tjetër çështje. Atë të burimit të parave të vjedhura. Për momentin nuk rezulton që të ketë patur denoncime nga persona të tjerë, për zhdukjen e këtyre parave, gjë e cila po ashtu ngre dyshime të tjera mbi mënyrën se si i kanë siguruar këto, përsa kohë nuk kanë patur guximin të denoncojnë humbjen e tyre.

Amnistisë fiskale i del boja, ‘asi nën mëngë’ për të legalizuar paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve.

Amnistia fiskale është një projektligj, i cili synon që të bëjë të ligjshme paratë e emigrantëve. Deri këtu nuk ka asnjë për t’u shqetësuar. Shqetësues është fakti se nga amnistia fiskale pritet të përfitojnë edhe njerëzit e afërt të politikanëve, çka ngrihen sërish dyshime se mund të ndodh një pastrim i pastër parash. Pikërisht këto shqetësime ka ngritur edhe Bashkimi Europian.

Por çfarë ndodhi brenda pak ditësh në Shqipëri?

Viola Sterjo, drejtoresha që premtonte grante në këmbim të pjesës së saj, na tregoi se korrupsioni brenda dyerëve të institucioneve ekziston në masa të frikshme. Ajo dyshohet se ka marr rreth 200 apo 400 mijë euro nga qytetarët që aplikonin për projekt ide për zhvillim. Këto janë shifra sporadike, të cilat nëse drejtoresha ka nisur t’i mbledh prej vitesh, mund të jenë bërë më shumë se 2 milionë euro. Këto para nuk kanë si të hidhen në qarkullim pa një amnisti fiskale.

Erisa Fero, punonjësja e AKSHI-t e frymëzuar nga “Transportuesi”, bënte rrugën Tiranë – Pogradec me makinën e mbushur me kanabis. Gjatë kohës që u kap nga policia, ajo kishte në automjet 58 kilogramë, por sipas autoriteteve levizjet e saj ishin të shumta. Edhe në këtë rast nuk dihet sa para ka bërë “transportuesja” e AKSHIT, duke shitur drogë. Për të legalizuar paratë, sigurisht që duhet një amnisti.

Dukshëm, korrupsioni është i madh, aq i madh sa është shtrirë në çdo zyrë shtetërore. Këto para, dyshohet se nuk janë vetëm të Violës, Erisës apo Aldës, ato mund të kenë marrë vetëm pjesën e tyre. Por sa mund të kenë marrë drejtuesit më të lartë? Sa është vjedhur dhe do të vazhdojë të vidhet buxheti i shqiptarëve, i taksapaguesve të rregulltë? Deri tani nuk kemi parë asnjë emigrantë që do të legalizojë 2 milionë euro, por kemi parë 3 “drejtoresha” që kanë më shumë se 2 milionë euo me rrogën e tyre në shtet. Ja pra pse duhet amnistia, për të legalizuar paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve.

Kryeministri Rama:  Ligji mos ndalojë para askujt

Kryeministri Rama ka reaguar lidhur me paratë e vjedhura në shtëpinë e ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetaj nga pastruesja e saj.

Rama: Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!

E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!

Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë.