Drejtësia e re do të dënojë ministrat e korruptuar, që kalërojnë dhe këndojnë karaoke…

350
Sigal

Kreu demokrat Lulzim Basha do të ketë nesër takime në Fier, në kuadër të turit që po zhvillon në qytete të ndryshme të vendit, në pra të protestës së 13 prillit.

Një ditë më parë, kreu demokrat zhvilloi takime në Kukës dhe Kurbin, nga ku ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës që do të mbahet pasditen e së shtunës në Tiranë.

Basha e ka cilësuar si një betejë të pakthyeshme atë të nisur nga opozita, ndërsa ka deklaruar se kjo nuk është një luftë për pushtet, por për shembjen e një sistemi.

Kreu demokrat ka paralajmëruar qeveritarët e lidhur me krimin dhe ata të korruptuar, si dhe oligarkët që kanë përfituar kontratat në kundërshtim me ligjin se do të përballen me drejtësinë.

“Vendi do të ketë nesër një drejtësi të vërtetë, jo me dy standarde, por me një standard.

Jo një drejtësi që burgos të pafajshmit apo  ata që s’paguajnë dot faturat e dritës, që nuk ushqejnë dot fëmijët me bukë, ndërkohë që ministrat e korruptuar e të lidhur me krimin livadhisin, kalërojnë, këndojnë karaoke, dhe nuk gjejnë dot vend të mjaftueshëm për të fshehur tonelatat e thesit të eurove që kanë vjedhur nga populli më i varfër.

Janë kapur duke vjedhur. Ata do të jenë në burg, ata do të jenë para drejtësisë, dhe jo qytetarët e pafajshëm.

Pika e parë e ndryshimit që po vjen është drejtësia që nuk do t’i mbrojë, por do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin.

Do t’i çojë në burg ata që janë kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve, lekët e shqiptarëve, pasuritë e shqiptarëve”, tha Basha.