Dr. Halim Kosova: Shqiptarët duhet t’i kërkojnë llogari Ramës për votën kundër në Uashington

693
Deputeti i kuvendit të Shqipërisë, Halim Kosova ka komentuar votën e Shqipërisë kundër rezolutës së SHBA-ve. “E them me gojën plot, se me këtë votë Tirana zyrtare nuk la thjesht në baltë Amerikën”, thekson Halimi. 
Të nderuar kolegë dhe ju shqiptarë kudo që jeni! 
Këto ditë, pashë rastësisht Ministrin tonë të diasporës në një aktivitet me shqiptarët e Amerikës, kur ai u vu në siklet nga pyetjet e komunitetit tonë atje, të cilët i kërkuan llogari, përse Shqipëria nuk iu bashkua ftesës së aleatit tonë strategjik SHBA-së, por votoi kundra Uashingtonit, i cili njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit. E nënvizova këtë pasazh, jo vetëm se jam i bindur, që llogaria do vazhdojë t’iu kërkohet zyrtarëve tanë nga shqiptarët për këtë votë, por e nënvizova më shumë këtë fakt, për të dalë te bindja ime, se këtë votë nuk duhet ta kishim dhënë thjesht për Amerikën, për borxhet në thonjëza që mund t’i kemi ne asaj, por për një gjë akoma më të madhe: – duhet ta kishim dhënë këtë votë pro Uashingtonit në radhë të parë për shqiptarët, për shqiptarët e Shqipërisë, atyre të Kosovës në mënyrë të veçantë, të Maqedonisë, Preshevës dhe kudo ku ata ndodhen. Të gjithë jemi të bindur, se po të kishte pasur një referendum mbarë shqiptar për këtë votë, shqiptarët e Kosovës do të votonin 100 për qind pro Amerikës, ata të Maqedonisë gjithashtu, diaspora në Amerikë e kudo ku ajo ndodhet po e po, por dhe shqiptarët e Shqipërisë sigurisht nuk do të ngeleshin më pas. Ndaj e them me gojën plot, se me këtë votë Tirana zyrtare nuk la thjesht në baltë Amerikën, por mbi të gjitha la në baltë shqiptarët kudo që ata ndodhen. Këtë gjë gjithashtu, duhet të kishte pasur parasysh dhe Kryeministri ynë, kur gjatë garës presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërhyri si rrallë-kush në këtë garë duke e quajtur zgjedhjen e kandidatit Donald Trump si fatkeqësi, jo vetëm për Amerikën, por dhe më gjerë. Ndaj në këtë rast, më shumë se mungesë respekti ndaj Amerikës, është mungesë respekti për shqiptarët kudo. Unë, gjithashtu jam i bindur, se Amerika e Trumpit, është në gjendje të dallojë në këtë rast, votën e Tiranës zyrtare, nga vota e shqiptarëve. Duke qenë se raportet Tiranë – Uashington, për më shumë përfaqësojnë raportet e gjithë shqiptarëve kudo ku ata ndodhen, kjo votë duhej të ishte një votë e mirë-konsultuar më shumë se çdo herë tjetër. Ajo duhej të konsultohej, pse jo edhe me opozitën, si dhe me gjithë faktorët politikë në vend, duhej konsultuar me Presidentin, ndoshta dhe me faktorë të tjerë. Ndaj shqiptarët do të vazhdojnë t’i kërkojnë llogari Edi Ramës për ketë votë kundra Uashingtonit. E thashë dhe më lart, se shpresoj shumë, që Amerika e Trumpit të arrijë të dallojë këtë votë zyrtare nga dëshira e vërtetë e miliona shqiptarëve. Nga ana tjetër, pas këtij votimi, unë nuk jam më i sigurt, nëse ne si Shqipëri jemi akoma në të njëjtën pozitë si disa vite më parë me ShBA-të, kur prioritet tona kombëtare, Uashingtoni zyrtar do t’i trajtonte me prioritet maksimal, siç i ka trajtuar ato gjithmonë, duke i kthyer në realitet, që nga Pavarësia e Kosovës apo anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Tashmë të gjithë jemi koshientë, që pa këtë vullnet të SHBA – së, për shkak të këtyre marrëdhënieve të privilegjuara me ne, këto dy ëndrra të mëdha, si pavarësia e Kosovës, ashtu edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, nuk do ishin bërë kurrë realitet, madje marr guximin të them se, nëse këto dy ngjarje do ishin shtruar për zgjidhje pikërisht në këtë kohë, pas kësaj vote, ndoshta nuk do të kishim këto rezultate. Unë nuk do doja të besoja kurrë në ndonjë ide të hedhur ato ditë në media, sikur vota jonë ishte kushtëzuar nga ndonjë shtet apo grup shtetesh të tjerë, për arsye si politike ashtu dhe ekonomike. Kjo do të krijonte për vendin një precedent të rrezikshëm, siç edhe mund të ndodhë në marrëdhëniet me shtetet fqinje, që kërkojnë të imponohen duke na kërcënuar deri me bllokimin e rrugës sonë evropiane… Në përfundim të fjalës sime, pa u ndalur gjatë në marrëdhëniet dy-palëshe Shqipëri-Izrael, të cilat në vitet e demokracisë kanë qenë shumë të mira, dëshiroj të sjell ndërmend edhe një herë besën e shqiptarëve gjatë persekutimit nazist, për të mbrojtur hebrenjtë e strehuar në vendin tonë, si dhe pabesinë e kësaj vote ndaj ShBA-së, të cilën shqiptaret nuk e patën në dorë … Këtu nuk është fjala për marrëdhëniet Shqipëri-Izrael, por për diçka shumë më të thellë, për marrëdhëniet mes “Shqiptarëve me SHBA-të”. Them shqiptarë, sepse mbarë shqiptarët, kudo që janë, në trojet e tyre apo në diasporë, i janë mirënjohës SHBA-vë për mbështetjen pa kushte për mos copëtimin e Shqipërisë, për vendosjen e demokracisë, për anëtarësimin në NATO e për çlirimin dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Këto janë një pjesë e arsyeve të mia, që fjalën time sot në Parlament, nuk e kam thjesht si opozitar, por mbi të gjitha si shqiptar. Hedhja e votës së Shqipërisë në favor, ose abstenim, apo mos pjesëmarrja e saj në votim, siç bënë shumë shtete, nuk do t’i kishte bërë asnjë dëm Shqipërisë e shqiptarëve. Vota kundër Uashingtonit, mund të shihet si një votë nga një partner, të cilit në këto kushte nuk mund t’i besohet në rast nevoje. Personalisht, nuk e fsheh aspak faktin, që në dhjetor të vitit të kaluar, do të doja të isha qytetar i Kosovës, kur presidenti i saj Hashim Thaçi tha me gojën plot: “Edhe sikur të ishte vetëm vota e Amerikës kundër kësaj rezolute, e dyta do të ishte e Kosovës, pa marrë parasysh si kanë votuar të tjerët për këtë çështje”
Ju faleminderit!
Sigal