Dr. Agim Nesho : Shqipëria nuk e meriton Këtë kryeministër

221
Sigal

Çdo popull ka qeverinë që meriton. Kjo shprehje të krijon një ndjenjë trishtimi për të gjithë ata që gjykojnë qeverisjen e vendit të tyre por edhe një moment ngushëllimi për pamundësinë e ndryshimit të gjërave. Të shtypur në karakter dhe me ADN të ndryshuar nga perandoritë që na kanë pushtuar por edhe nga diktaturat e egra që kanë zënë vend në psikologjinë popullore, shpesh fatin tonë ia kemi besuar një njeriu që ka pasur pushtetin, të marrë me të drejtën hyjnore (perandorët, mbretërit) apo të marrë me meritë apo forcë. Pavarësisht se pushteti ishte qëllimi i tyre, pothuajse të gjithë kishin kuptuar se madhështia e tyre ishte e lidhur me tokën, feudin, popullin dhe kombin e tyre

Pavarësisht se pushteti ishte qëllimi i tyre, pothuajse të gjithë kishin kuptuar se madhështia e tyre ishte e lidhur me tokën, feudin, popullin dhe kombin e tyre

Pas qindra vjetësh në robëri dhe shtypje, së fundmi Shqipëria arriti të shijojë demokracinë. Liderët Shqiptarë të tranzicionit demokratik u përpoqën të krijonin shtet por harxhuan shumë energji në luftën e tyre ideologjike për të mbajtur pushtetin. Por asnjëherë dhe në çdo rast ata nuk ceduan në problemet kryesore të ekzistencës së kombit dhe të ardhmes së tij.

Por historia tragjike e kombit në disa raste kthehet edhe në formën komike të saj. Shqiptarët të dehur nga liria nuk mendonin më se mund të humbisnin edhe ato që kishin fituar. Moderniteti ju kishte mësuar që historinë ta shikonin si shfaqje ku forma dhe ngjyrat kishin më vlerë se realiteti; ku parimet e tyre nuk mateshin sesa kishin dhënë për atdheun dhe shoqërinë por nga origjinaliteti i lakuriqësisë së tyre; kur shembulli i George Washington për të bërë shtet venitej nga Potemkini Rus për të ngritur fasadë e për të pikturuar zyra; kur shteti i së drejtës mund të funksiononte më mirë me erën e drogës dhe vajin e kanabisit; kur patriotizmi nuk është vepër e atdhetarëve por e ‘bandave dhe krimit që mund të ngrenë shtetin’.

Dhe të gjithë rrinë të heshtur, të papërfillur, të paguxuar në të ashtuquajturën demokraci Shqiptare, ku realiteti shfaqet nga ERTV si një parajsë dhe zhurma e kazanit, tepsisë, timonit përbën uverturën e shfaqjes.

Jetojmë në kohën e delirantëve dhe kënaqemi me fantazitë dhe shfaqjet e tyre. Nuk diskutohet vetëm autoritarizmi i një lideri që vendos për çdo gjë dhe mbi çdo gjë për tokën, detin, pronat por kemi të bëjmë me ruajtjen e interesave kombëtare dhe të ardhmes së shqiptarizmit në shekullin e 21-të.

Projekti Ballkani i Hapur është nga ato projekte që mund të tjetërsojnë të ardhmen e kombit tonë. Është një çështje ku ndërgjegjja kombëtare duhet të zgjohet dhe të lëvizë. Në thelb ky projekt është një martesë interesash midis një globalisti të etiketuar si mendje e hapur me një neonacionalist serb konservator. Të dy marrin pjesë në një shfaqje të sponsorizuar me një qëllim të përbashkët: Të shpëtojmë hapësirat Serbe.

Liderët Shqiptarë të tranzicionit demokratik asnjëherë dhe në çdo rast, ata nuk ceduan në problemet kryesore të ekzistencës së kombit dhe të ardhmes së tij.

Pse Shqipëria nuk duhet të jetë pjesë e Open Balkan?

Së pari, Shqipëria nuk duhet ta pranojë Open Balkan si projekt për të sjellë dominimin serb në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova nuk pranohet si shtet sovran me të drejta të plota. Interesat afatgjata të Shqipërisë duhet të jenë të njëjta me ato të Kosovës.

Së dyti, Open Balkan nuk mund të zëvendësojë asnjë iniciativë integruese të BE-së për Ballkanin Perëndimor ku pikërisht BE do të jetë garantuesi, sponsorizuesi i kësaj iniciative, e cila është pjesë e projektit të saj afatgjatë të integrimit të rajonit të BE. Në mungesë të saj, kush do ta pengojë Serbinë të shtrijë interesat e saj të përbashkëta me Rusinë dhe Kinën në Ballkan?

Së treti, Open Balkan është një presion i hapur ndaj tre vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovë, Bosnjë-Hercegovinës, dhe Mali i Zi – për të detyruar këto vende të pranojnë zgjedhje gjeopolitike në favor të Serbisë. Ekonomikisht Serbia kthen ish-Jugosllavinë me një aktor të ri siç është Shqipëria.

Thelbi i politikës së jashtme së zotit Rama është vetëm interesi i tij dhe shfaqjet e delirancës së një lideri global, ashtu siç e përkëdhel Vuçiç.

Së katërti, nuk mund të ketë inisiativë për Ballkanin e hapur në një realitet kur plagët e të shkuarës nuk janë shëruar akoma. Minimalisht Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë dhe në rajon.

Së pesti, çështja e njohjes së Kosovës me kohë mund të venitet dhe Serbia realizon skenarin e saj për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës. Asnjë skenar që mund të bashkojë shqiptarët me projektet Vuçiç-Rama nuk justifikohet me kompromise ndaj tokës shqiptare të Kosovës. Sado globalistë të jenë projektet e bashkëpunimit, rendi ndërkombëtar ka funksionuar dhe funksionon me devizën që çdo iniciativë sado përfituese nuk mund të prevalojë ndaj interesit kombëtar. Danimarka refuzoi të shiste Greenlandën SHBA-së, me kërkesë të presidentit Trump, pavarësisht se interesat strategjike të SHBA-së për Arktikun mund të ishin shumë të mëdha dhe Danimarka mund të përfitonte shumë në planin financiar dhe ekonomik; Rusia nuk toleron oreksin e Kinës për të shfrytëzuar hapësirat e Siberisë, pavarësisht se ekonomikisht të dy vendet mund të përfitojnë.

Vetëm Rilindja në Tiranë nuk përkrah çështjen e saj kombëtare për të bashkërenduar politikën e saj me Kosovën. Më së paku zoti Rama duhet të insistonte për njohjen e sovranitetit të Kosovës nga Serbia në Novi Sad përpara se të pranohej një iniciativë ‘që mundësonte katër liritë europiane’.

Së gjashti, ky projekt vë në rrezik sistemin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe rritjen e penetrimit të individëve dhe grupimeve anti-NATO nëpërmjet ekspansionit serb në Ballkanin Perëndimor. Iniciativa Open Balkans po shitet si një iniciativë që përkrahet nga perëndimi. Në fakt perëndimi për retorikë nuk mund të dalë kundër iniciativave që vetë ata kanë propozuar për integrim rajonal dhe në respekt të sovranitetit të vendeve ballkanike. Por kjo inisiativë që nuk ka rregullat e BE-së dhe është e shtyrë nga influencat e fuqive jo europiane, si Euro-Azia dhe Kina, duket më tepër si një vrimë e zezë që do të sjellë gjithmonë e më tepër destabilitet në Ballkanin Perëndimor. Për më tepër që regjimet autoritare e të korruptuara të Ballkanit Perëndimor janë të afta të përqafojnë alternativa të tjera (sindromi Duterte i Filipines që një vend pro-amerikan e kthen drejt Kinës). Atëherë do të jetë vonë për popujt e Ballkanit që aspirojnë integrimin Euro-Atlantik.

Thelbi i politikës së jashtme së zotit Rama është vetëm interesi i tij dhe shfaqjet e delirancës së një lideri global, ashtu siç e përkëdhel Vuçiç. Aq i janë zënë sytë nga politikat e ‘hapura’ dhe aleancat me Serbinë sa edhe inisiativat e Presidentit Erodan për një bashkërendim me SHBA-në për të rritur njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk e vë në lëvizje por e kalon në heshtje. Në vend që të lobojë si perëndimi për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke në vendet europiane dhe në NATO ai është i angazhuar për ecjen përpara të asaj që lobistët serbë e quajnë EU-goslavia.

Shqipëria nuk mund të ketë një lider të tillë.