Dosjet, 2 nismat ligjore sot te Ligjet Shoqëria Civile: Bëjmë referendum

451
Sigal

TIRANE – Komisioni i Ligjeve ka nisur shqyrtimin e dy drafteve të projektligjit “Për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit”, i pari i propozuar nga qeveria dhe tjetri nga shoqëria civile, me mbështetjen e dy deputetëve të opozitës, Mesila Doda (PD) dhe Shpëtim Idrizi (PDIU).

Drafti i qeverisë, i depozituar në parlament më 5 janar 2015, parashikon që procesi të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik, një strukturë me pesë anëtarë, që do të jetë në varësi të Kuvendit.

Shqipëria në këtë proces parashikon të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm. Pr/ligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias.

Ndersa nisma e shoqërisë civile, e dorëzuar në Kuvend më 1 dhjetor 2014, përcakton gjithashtu rregullat e lustracionit në politikëbërje duke kontrolluar pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24 tetor 1944-31 mars 1991, lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit, si dhe drejtues apo punonjës operativ i ligjshëm ose i fshehtë, apo bashkëpunëtor sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, deri më 2 korrik 1991 kur u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar.

Ora 10:40 Shoqëria Civile: Deputetët konflikt interesi me nismën tonë për hapjen e dosjeve
Shoqëria Civile është shprehur kundër nismës së qeverisë për ligjin e hapjes së dosjeve të regjimit komunist. Deklarata është bërë nga një përfaqësi e Shoqërisë Civile në hyrje të Kuvendit, në kohën kur në Komisionin e Ligjeve po diskutohen dy nismat ligjore të paraqitura për hapjen e dosjeve të ish-regjimit komunist.

Sipas tyre, arsyeja se pse ata nuk janë pjesë e mbledhjes, vjen për shkak se disa prej deputetëve të Parlamentit kanë konflikt interesin me nismën e Shoqërisë civile, ndërsa paralajmëruan edhe një referendum.

“Ajo që po shikohet dhe vërehet është një tentativë për të na mbyllur gojën. Kalendari ku është futur ligji është për ta zbehur debatin publik. Ne i kemi të gjitha opsionet, nëse sot nuk lihet datë tjetër që të marrim pjesë në diskutim, do të dalim me një referendum. Ne do të vazhdojmë betejën tonë. Në Komisionin e Ligjeve ka persona që kanë konflikte interesi me ligjin e lustracionit që kemi paraqitur ne. Perceptimi im është se ka nga të dyja palët aty.” tha Elsa Ballauri

“Mund të ngremë një peticion dhe mendojmë se duhet të jetë një ccështje shumë e rëndësishme dhe të largohet nga politika. Kjo pasi politika është bërë pjesë, pa qenë përgjegjëse e kësaj procedure dhe kësaj rruge. Ne kemi shtruar një sërë gjërash, dhe mendojmë se nuk ka asgjë të keqe. Edhe ligji nëse bëhet bazuar mbi një luftë mes shqiptarësh do të dështojë, por nëse bashkëpunojmë, me dëshirën për ta bërë vendin të denjë.” u shpreh përfaqësia e Shoqërisë Civile.