Dosja “shpirti”/ Rrëfimi i oficerit për të pathënat e dosjes “339” dhe “552”, lidhjet krim-pushtet, mafia dhe emrat e përlyer

268
Sigal

 

  “Unë për ta jam një peshk, pasi po të kërkosh aty në atë dosje ka aq shumë peshkaqenë…”

Krim, pushtet, mafia. Qeverisje qendrore dhe lokale, sipërmarrës, trafikantë. Të gjithë bashkë në një portofol. Policia nën shërbim të ortakërisë së shtetarëve me botën e paligjshme. Artur Krasniqi, rrëfimi i oficerit për të pathënat e dosjeve të mëdha. Dhjetë muaj në arrest shtëpie, pa marrë asnjë deklarim nga prokurorët specialë. Procedimi penal nr. 238, dosja “552” e quajtur ndryshe nëna e dosjes së famshme 339, aty ku nisën telashet me rrezik të madh për agjentin. Kokaina, heroina, ndërtimet e paligjshme, bota e trafiqeve që kontrollon çdo pushtet. SPAK-u i dorëzuar për të hetuar njerëzit e duhur, ata që kanë bërë veprat e rënda, anëtarë të krimit të organizuar. Të penduarit e antimafies italiane dhe amnistia nga Krimet e Rënda dhe SPAK për emrat afër dhe në shërbim të qeverisë. Presioni dhe kanosja nga ish-drejtori i përgjithshëm, Ardi Veliu për të qëndruar larg dosjes “339”. Blerja e informacioneve në polici nga trafikantët. Kanosja për jetën dhe familjarët. Intervista e oficerit të policisë Artur Krasniqi, akuzuar në dosjen “SHPIRTI”.

Artur Krasniqi, një oficer policie për shumë vite i akuzuar, marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Por ka shumë gjëra, të cilat nuk kanë marrë përgjigjet e duhura, si njëanshmëria, mungesë provash dhe faktesh, të cilat nuk janë bërë prezente në seancat gjyqësore. Krasniqi rrëfen procesin e deritanishëm, ku do të tregohet si dhe përse është mbërritur deri në këtë gjendje të hetimit. Problemet e prodhura nga porositës me pushtet.

 “Ishin rreth 70-80 persona të skeduar, kishim edhe pjesën e kultivimit, pjesën e malsisë së Kavajës, unë isha rishtas në këtë sector. Kishim edhe frikën e dekonspirimit nga strukturat e policisë, një problem prezent edhe ky. ”

Puna juaj në Policinë e Shtetit dhe si erdhët në këtë çështje, episode, ngjarje, dosje?

Unë kam filluar herët në Policinë e Shtetit, por dua të ndaloj te ngjarja lidhur edhe me akuzën. Unë kam filluar në Komisariatin e Policisë Kavajë, në fund të prillit të vitit 2016, me detyrën e specialistit në sektorin e luftës ndaj narkotikëve dhe trafiqeve, në seksionin e krimit të organizuar në komisariat. Ishte hera e parë për mua që merresha me hetimin, pasi në karrierën time të mëparshme kisha punuar si ekspert kriminalist, si ekspert i policisë shkencore në disa drejtori. Konstatuam disa mangësi si në burime njerëzore dhe në logjistikë. Kisha një hapësirë shumë të gjerë, që duhej kontrolluar, por isha i vetëm. Kishim 34 kilometër vijë bregdetarë që duhej mbajtur nën kontroll, duke shtuar edhe trafiqet, nëse kujtoni, jemi në periudhën e të quajturave mushkonja.

Kishin nisur të fluturonin me ngarkesa narkotike…?

Kishim sinjalizime, sidomos në zonën e Vilëbashtovës, që ishte shumë me risk. Ishim shumë të shpërndarë. Një ngarkesë tepër e lartë. Kishim kontigjent të madh në zonë, që është një kontigjent aktiv, që njihej me kohë që në vitet ‘90 me trafiqet. Ishin rreth 70-80 persona të skeduar, kishim edhe pjesën e kultivimit, pjesën e malsisë së Kavajës. Unë isha rishtas në këtë sektor, kishim edhe frikën e dekonspirimit nga strukturat e policisë, një problem prezent edhe ky. Siç e kujtoni 2016-a, ishte tmerri i atyre që donin të punonin në polici ndershmërisht.

Dhe vimë në pjesën si jeni marrë i pandehur nga SPAK, për shpërdorim detyre?

Po. E nsisim me këtë. Unë me datë 2 korrik rreth orës 5 e 30 të mëngjesit të vitit 2021, më kanë ardhur disa punonjës policie. Rreth 10 persona, kanë hyrë brenda në oborrin e banesës, në orën 5 e 30 të mëngjesit. Nuk kisha asnjë dijeni, familjarët u gjendën të tmerruar. Unë kam qenë vetë oficer policie, por nuk ia uroj asnjë kolegu t’i ndodhë kjo, të paktën padrejtësisht.

 “Pa pikë turpi, një nga drejtuesit më të paaftë të policisë së shtetit, Ardi Veliu, më thotë se ti nuk ke lidhje fare me procedimin 339, ti nuk ke lidhje fare. Sepse i kisha shkruar. Kujt i bëtë nder që më transferuat?”

Kjo është thelbësore si tregues i kryerjes ose moskryerjes së veprimeve!

Në muajin gusht rreth datës shtatë apo tetë, na informojnë, konkretisht eprori im, Dritan Muça, ish-shefi i seksionit të krimit të organizuar, më thotë se është kapur në Itali një skaf me dy shtetas, Ferhat Ajdini dhe Fiqiri Seferi. Atë informacion, ia kishin dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e kishte një informacion të ardhur nga pala italiane, siç kishte Guardia di Finanza, që bashkëpunonim ne në Durrës. Këtë informacion e kishim dërguar ne, unë e kam përpiluar me eprorin tim dhe ia kam dërguar Drejtorisë së Përgjithshme. Se kush janë këta persona, çfarë përfaqësojnë në zonën ku jetojnë dhe aktivitetin e tyre kriminal që nga vitit 90-të. E kemi përpiluar dhe ia kemi dërguar Drejtorisë së Përgjithshme dhe me sa di unë, i është përcjellë edhe palës italiane dhe është përdorur si material për procedimin e tyre. Përveç kësaj më datë 11, ne kemi bërë veprime në terren, kemi kryer veprime kordinuese me stacionin e policisë në Spille, ku është krehur e gjithë zona, bregu i detit. Janë bërë verifikime, janë përpiluar akte policore, lidhur me veprimtarinë e këtyre shtetasve, janë mbajtur në vëzhgim, është kontrolluar territori. Janë verifikuar edhe lidhjet e tyre famijare, janë mbajtur në vëzhgim dhe mjediset që ata frekuentonin, siç kanë qenë në atë kohë. Ferhat Ajdini kishte një sallë që kishim informacion se mund ta përdorte, është mbajtur në vëzhgim në distancë, është kontrolluar me shërbime rendi, janë bërë shumë veprime policore.

Po prokuroria ku e bazon pretendimin e saj?

Nuk e di. Në deklarimet e tij, ai flet edhe për një oficer tjetër, një shef tjetër, që nuk ka lidhje me seksionin tim. Sipas dëshmisë i paska dhënë gjoja 6 mijë euro që mua më duket absurd, një Mondi, dhe mua më duket absurd ky fakt. Sepse mua më është dhënë një urdhër për ta shoqëruar dhe intervistuar, nuk më është dhënë urdhër për ta arrestuar as për ta ndaluar. Kam përpiluar intervistën. Ai ka dhënë një alibi, që për mua krijonte shumë dyshime, një alibi e njëjtë me atë që ka përdorur në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Durrës.

Dhe 238 kanë themelet e 339?

Kjo është edhe diçka tjetër këtu. Procedimin 339, e kam nisur rreth dy tre javë më pas. Rreth një muaj sapo kisha nisur një procedim të Kavajës, 552, që ishte si të thuash nëna e 339-tës. Sepse nga ajo doli dhe lindi 339-ta. Pastaj më 24 nëntor 2017, transferohem sërish ekspert kriminalist. Duke parë situatën, duke parë pamundësinë për të punuar, jam ndjerë realisht i tradhëtuar.

Ua keni thënë këtë eprorëve?

Unë kam punuar me forca operacionale edhe në terren, por isha me shpenzimet e mia. Asnjë lek nuk kam marrë nga shteti, asnjë lek. Kam punuar dy tre muaj me forcat operacionale, që vinin nga Tirana, jo pak, por shumë persona, me shpenzimet e mia. Asnjë lek nuk kam marrë nga shteti. E dini përse? Sepse nuk bëja dot veprime në kartotekë, as në zyrë tjetër, sepse më dilnin dhe më shiteshin informacionet.

Keni pasur episode ku ju është shitur informacioni?

Kemi pasur. Kam vënë në dijeni eprorin tim. Kemi marrë masa për t’i shmangur. Kishim veprime operacionale e policore, që duhej t’i regjistronim në Tiranë dhe jo në Kavajë, sepse këtu shiteshin, dekonspiroheshin.

Dhe prokurorët e harrojnë këtë veprim sipas jush?

Jo. E fshehin se unë për ta jam një peshk, pasi po të kërkosh aty në atë dosje ka aq shumë peshkaqenë…!

Dhe me kallëzimin tuaj çfarë është bërë?

Me kallëzimin tim prokuroria e Shkallës së Parë Kavajë nuk ka bërë asgjë.

Ju përmendët se një nga dosjet problematike me reagim të fortë mund të ketë qenë dhe dosja 339, apo dosja tjetër e nisur prej jush, që ishte nëna e saj, 552?

Tani janë dhe disa gjëra, që nuk mund të thuhen. Por unë si oficer i policisë gjyqësore, kisha marrë disa të dhëna operative me shumë interes dhe bëra një material. Fillimisht parandalues, në muajin gusht të vitit 2016, material parandalues për të mbajtur në përgjim këta persona. Por ky material, nuk u pranua nga Prokuroria për t’u marrë në përgjim aso kohe, ndonëse ishte 283/2 prodhim e shitje në bashkëpunim.

Sa ka zgjatur hetimi?

Hetimi ka zgjatur rreth gjashtë muaj. Realisht sipas materialeve unë jam marrë në hetim me 23 qershor 2016, sipas kopjes së akteve të marra në gjykatë. Më datë 30 qershor të vitit 2021 është marrë masë arresti shtëpiak pa më marrë asnjë deklarim, as vënë në dijeni. Çfarë ndodh?! Unë jam oficeri i policisë gjyqësore që kam referuar të dhëna ndaj dy shtetasve, atyre dy personave për trafikim të lëndëve narkotike. Dhe kjo prokurori, merr të mirëqena deklarimet e personave pa më marrë mua një deklarim. Cili është standardi këtu?

“Hetimi është i njëanshëm dhe tendencioz. Sepse ata nuk kanë marrë aktet që unë kam përpiluar, por kanë marrë informacione të rreme të përpiluara nga dhëndri i prokurorit me çetën e tij në Kavajë.”

Përse nuk kërkoni rihetim?

Kam kërkuar me promemorje dhe nuk më kthyen përgjigje. Tani pres gjatë seancave të paraqes kërkesat paraprake nëpërmjet avokatit, të ngremë pretendimet tona për mosveprimet e prokurorëve dhe veprimeve të njëanshme.

Është bërë një hetim i thelluar?

Jo. Hetimi është i njëanshëm dhe tendencioz. Sepse ata nuk kanë marrë aktet që unë kam përpiluar, por kanë marrë informacione të rreme të përpiluara nga dhëndri i prokurorit me çetën e tij në Kavajë. Kanë përdorur akte proceduriale të ndaluara në bazë të nenit 151/4 të Kodit të Procedurës Penale. Me një fjalë janë akte, që një prokurori ka vendosur mosfillimin dhe ti më pas, merr dhe i përdor në gjykatë, për të më rënduar mua situatën proceduriale.

Ju në punën tuaj keni pasur shumë çështje, si të trafikut të drogës, të shërbimit të kontrollit të brendshëm, investimet e paligjshme në bregdet. Kjo punë ka prodhuar elementë trysnie dhe presioni?

Në mesin e muajit mars, të vitit 2020, më emëruan në detyrë specialist i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Durrës, ku mbuloja Komisariatin e Kavajës dhe stacionin e Spillesë. Kishim të dhëna. Na kishin ardhur të dhëna operative edhe nga shërbime të tjera ligjzbatuese se oficerë policie të komisariatit të Kavajës dhe në drejtori të tjera, ishin implikuar në veprimtari korruptive në drejtim të mitmarrjes. Sepse kishin lejuar ndërtime të paligjshme në zonën bregdetare të Golemit apo të Spillesë, kundrejt marrjes së përfitimeve materiale, për vete dhe për të tjerë.

Çfarë veprimesh bëtë?

Kemi përgatitur material. Isha i caktuar nga drejtuesi im në atë kohë, për të përgatitur material dhe për ta referuar në Krimet e Rënda. E përgatis materialin dhe siç ndodh, vë në dijeni eprorët tanë, Drejtorinë e Policisë Ardi Veliu deri tek ministri i Brendshëm.

Krasniqi, reagimi juaj vjen pas katër viteve përballje, me trafikun, sipërmarrje të paligjshme, polici të inkriminuar, hetime të nisura, përse kaq vonë vendosët të reagonit?

Në momentin që janë ekzekutuar masat e sigurimit të dosjes së njohur 339, që atëherë kam pritur reagimin e personave të përfshirë në të. Ka ndodhur në tetor të vitit 2018. Që në atë kohë kam pritur të ndodhte kjo që ka ndodhur tani. Në kupolën e Policisë së Shtetit, për fatin tonë të keq si komb, ka ende falanga të Sigurimit të Shtetit.

E prisnit menjëherë nisjen e procedimit të dosjes 339..?

Në atë moment, në krye të Komisariatit të Kavajës erdhi një ish-sigurims dhe filluan kulisat, kurthet, intrigat. Bënin skema dhe një muaj pas ekzekutimit të masave të sigurimit të dosjes 339-të, më vjen në zyrë dhe më thotë se më vjen keq, por të kanë transferuar me detyrë në Shkodër në Vaun e Dejës. Më tha shefi i komisariatit. Motivacion nuk ka, thjesht për kërkesa pune.

Përse atëherë?

Problemi është se ky di shumë dhe nuk na duhet nëpër këmbë. Ish-prokurorin e çështjes në atë kohë e vë në dijeni për problemin. I drejtohem me memo drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kërkoj takim, dërgoj memo edhe ministrit të Brendshëm të asaj kohë. Dhe pa pikë turpi, një nga drejtuesit më të paaftë të policisë së shtetit, Ardi Veliu, më thotë se ti nuk ke lidhje fare me procedimin 339, ti nuk ke lidhje fare. Sepse i kisha shkruar. Kujt i bëtë nder që më transferuat? Zotëri i thashë, më tregoni kujt po i bëni nder me largimin tim? Sepse dikujt po i bëni nder dhe nëse më ndodh diçka do të mbani përgjegjësi penale ti dhe ata që më kanë transferuar mua. Ndërkohë kisha takuar dhe drejtorin e burimeve njerëzore Nikollë Hysën. I them si më transferove, unë isha ekspert kriminalist, si më dërgove te hetimi? ‘Përse ekspert kriminalist ishe ti?’- më përgjigjet. Nuk dinin fare çfarë ishit, drejtori Veliu tha nuk ke lidhje me 339-ën? Jo tha nuk ke lidhje fare me 339-tën. Para meje pyeti drejtorin e krimit të organizuar, po ai nuk ka qenë në atë detyrë kur janë bërë hetimet e 339-ës. Ishte dhënë urdhër të më largonin dhe ai ishte i pafuqishëm në atë pjesë.

Krasniqi kjo është një pjesë e rrëfimit tuaj të pambaruar, do vijoni me kallzimin e plotë?

Do vijoj ta bëjë deri në fund këtë derisa e drejta ime të vihet në vend. Këta gjejnë një autor, pastaj ia gjejnë provat, ia mbledhin. Mua e familjes time na rrezikohej jeta! I kam vënë në dijeni të gjithë nga eprorët, deri te Kryeministri e ambasada e SHBA.

Ku dhe si e kanë shprehur tendencën, me veprime apo mosveprime?

I vetmi përfitim që mora nga policia, ishte diabeti, (sëmundja). Nuk më lënë as të vizitohem

Ka masa ekstreme për pamundësinë e mjekimit tuaj?

Eshtë një tendencë e ashpër ndaj meje pasi nuk është vlerësuar në asnjë moment puna ime në Policinë e Shtetit. Prokurorët janë mburrur nga puna e nisur prej meje. Janë sot këtu me hetimet e mia. Dhe nuk duan t’ia dinë fare se gjendja ime shëndetësore është copë-copë.

Përse keni rrezikshmëri të lartë shoqërore?

Unë jam shumë i rrezikshëm. Nuk e di me kë më krahasojnë. Mund të jem rast unik në botë, që të kem tre sëmundje kronike të rënda, dhe më lënë në arrest shpie. Personat që kam referuar për trafik narkotikësh janë dërguar për kompetencë në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, ndërsa mua denoncuesin e tyre, më mbajnë te SPAK për shpërdorim detyre. Është urdhër. Nëse jo, të më provojnë të kundërtën.