Prof. Dr. Qemal Lame: Europa të ketë Pavarësi Energjitike

689
Sigal

Të gjitha rendet ndërkombëtare në historinë moderne u bazuan në një burim të vetëm energjie. Në shekullin e 19-të, qymyri formoi shtyllën kurrizore të Perandorisë Britanike; në vijim në “shekullin amerikan” nafta luajti një rol qendror; dhe për 20 vjet, Vladimir Putin ka përdorur energjinë nga gazi natyror si një instrument të rëndësishëm politik. Energjia përcakton forcën e fuqive të mëdha, të aleancave dhe shpesh edhe rezultatin e konflikteve dhe i jep formë gjeopolitikës globale.

Rusia ka një kapacitet të mundshëm tranziti prej më shumë se 250 miliardë metra kub gaz në vit për tranzit në Evropë dhe garanton 33 për qind të buxhetit të saj shtetëror. Kjo korrespondon me më shumë se gjysmën e konsumit vjetor të gazit të BE- së, që është rreth 450 miliardë metra kub. Disa vende anëtare të BE importojnë shumicën apo të gjithë gazin e tyre natyror nga Rusia, si Letonia (100 për qind), Republika Çeke (100 për qind), Finlanda (97,6 për qind), Hungaria (95 për qind), Estonia (93 për qind). Megjithatë, në 1 prill, vendet balltike morën vendimin e përbashkët për të ndalur të gjitha importet e gazit rus me efekt të menjëhershëm. Me 50 miliardë metra kub importe të gazit natyror në vitin 2020, Gjermania është 66 për qind e varur nga Rusia, duke e bërë atë importuesin më të madh në Bashkimin Europian. Italia merr pothuajse gjysmën e gazit natyror që përdor. Franca, merr gazin e saj kryesisht nga Norvegjia (36 për qind), Rusia është në vendin e dytë me 17 për qind, e ndjekur nga Algjeria me 8 për qind. Ndryshe nga ekonomitë e tjera të mëdha europiane, Franca nuk e përdor gazin për të prodhuar elektricitet, gjë që kufizon karakterin “strategjik” të këtij materiali të papërpunuar. Kriza energjitike, që po përshkallëzohet ndihet në portofolet e konsumatorëve.

Varësia e energjisë nga Rusia është krijuar nga interesa afatshkurtëra duke nënvleftësuar strategjinë e zhvillimeve me ritme të shpejta dhe garantuar sovranitetin europian.

Së pari, tre objektivat kryesore të çdo politike energjetike janë: siguria e furnizimit, qëndrueshmëria mjedisore e burimeve të preferuara të energjisë dhe çmimet e përballueshme për konsumatorët! Prandaj është vlerësuar i rrezikshëm dimensioni  gjeostrategjik i Nord Stream 2, si dhe besimi për Rusinë si një partner tregtar “klasik”. Varësia e energjisë nga Rusia u krijua në radhë të parë nga ne europianët. Pas tre krizave të gazit në dimërat 2005-2008, Europa ka “fjetur” dhe ka treguar papërgjegjshmëri kriminale.Vladimir Putin bëri presion mbi Kievin dhe Perëndimin për të furnizuar Europën Perëndimore me çmimet që ai donte duke e ndezur dhe fikur gazin sipas interesave të tij. Shumë investime në BE qenë në mëshirë të interesave ruse, veçanërisht në Rrjedhën Nord Stern 2, kur kishte akse të tjera strategjike, të tilla si tubacioni i parashikuar Nabuço i Komisionit me Azerbaixhanin, një korridor jugor europian që anashkalonte Rusinë dhe kështu të diversifikonte furnizimin me gaz. Kujtojmë metamorfozën e Karl Marksit se”Infrastruktura” ka triumfuar dukshëm mbi “superstrukturën” dhe interesat financiare kanë fituar padyshim epërsi mbi një minimum të maturisë politike dhe taktike.

Së dyti, gjendja e gazit në Europë nuk është krejt e njëjtë me atë të viteve 2000. Gazi natyror i lëngshëm (LNG), i cili kompresohet dhe furnizohet me spiranca gazi natyror të lëngëta nga kontinente të tjera, tani bën të mundur diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe furnizimit nga burime gjeografikisht të largëta që nuk janë të lidhura me Evropën nëpërmjet tubacioneve. Më 20 mars, Gjermania vendosi të përshpejtojë ndërtimin e dy terminaleve LNG me qëllim që të sigurojë furnizimin me gaz sidomos nga Katari.

Së treti, pushtimi rus i Ukrainës është një sfidë e madhe për të gjithë ata në Europë që ende besojnë në Marrëveshjen e Gjelbër dhe se kontinenti do të jetë krejtësisht pa CO2 deri në vitin 2035 ose 2050. Shtetet e BE-së nuk janë ende gati të operojnë 100 përqind me energjitë e ripërtëritëshme. Deri atëhere, ekonomitë e mëdha evropiane si Gjermania do të duhet të importojnë karburante fosile jo-europiane (naftë, gaz, etj.), duke rënduar kështu ekuilibrin e tyre tregtar dhe duke dëmtuar ekuilibrin e tyre të CO2. Vendet prodhuese jo-europiane që janë të vetëdijshëm për varësinë nga ky gaz që mund të diktojë çmimet për energjinë e së ardhmes!

Së katërti, emergjenca e ndryshimit të klimës bën të domosdoshme shpejtimin e tranzicionit në burimet e energjisë me karbon të ulët në vendet evropiane me ekonomi të madhe.

Së pesti, energjia nuk duhet të jetë më përgjegjësi i vetëm e shteteve anëtare. Bashkimi Europian duhet të flasë me një zë dhe të zhvillojë një marrëdhënie të vërtetë solidariteti midis shteteve anëtare. Të ndryshohet ekuilibri i rehatshëm midis shteteve anëtare dhe “narcisizmi i dallimeve të vogla” (Sigmund Frojd) nga lart, të ndalen betejat e pakuptimta midis energjisë bërthamore dhe energjive të ripërtëritshme, që deri tani kanë piketuar horizontin (e vogël). Nëse duam një Evropë të fortë, të qëndrueshme ndaj energjisë dhe klimës, pavarësisht nga teknologjitë, ne do të kemi nevojë si për energjinë bërthamore, ashtu edhe për të gjitha burimet e energjisë së ripërtëritëshme për të zhvilluar një koncept të përbashkët të energjisë elastike, autonome dhe sovrane. Përndryshe, ne do të jemi përherë në mëshirë të kuotave të GNL-së të nxjerra nga miqtë tanë amerikanë, siç ndodhi në samitin e fundit të NATO-s, ku Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje me të cilën Amerika angazhohet të furnizojë rreth 15 miliardë metra kub gaz natyror shtesë të lëngëzuar në Evropë në vitin 2022 dhe të rritë volumin në vitet në vijim derisa të arrihet objektivi i 50 miliardë metra kub shtesë në vit.

Një politikë e vërtetë evropiane e energjisë duhet të rivendoset mbi rrënojat e iluzioneve të shkatërruara. Në vitin 1951, u miratua Traktati që themeloi Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC) dhe, në vitin 1957,Traktati që themeloi Komunitetin Europian të Energjisë Atomike (EAEC). Pavarësia e energjisë dhe sovraniteti i Evropës vendosën rrugën për politikën e përbashkët. Shtetet anëtare duhet të veprojnë në një mënyrë të bashkuar dhe të qëndrueshme, sipas nenit 194 të Traktatit të Lisbonës.

Strategjia evropiane për energjinë shtron domosdoshmërinë e ndërtimit të një sistemi të pavarur të burimeve dhe furnizimit, strukturën ligjore, kompetencat e bashkësisë e të shteteve anëtare. Krijimi i një Komuniteti Europian të Energjisë, mund të rrisë vlerën strategjike të tregut të brendshëm dhe kështu të forcojë autonominë në marrëdhëniet me jashtë. Nevojitet koordinimi i vërtetë i krizave, një “zyrë e përbashkët qendrore për blerjen e gazit”, të forcohen më tej aleancat e reja intra-europiane në fushën e prodhimit të baterive apo hidrogjenit të gjelbër. Zgjatja e kohës së reaktorëve bërthamorë, ndërtimi i reaktorë të rinj të ujit të presuar të gjeneratës së ardhshme (EPR 2). Shtetet anëtare të kapërcejmë mosmarrëveshjet e pafrutshme, që kanë vazhduar deri tani, në veçanti midis Francës dhe Gjermanisë. Diplomacia e përbashkët shumëpalëshe e energjisë, ndihmon në forcimin e bashkëpunimit me vendet e Afrikës dhe Maghrebit në një afat të shkurtër dhe duke bashkuar forcat në lidhje me rezervat e hidrokarbureve, që janë në dispozicion atje, ose për të intensifikuar dialogun e BE-së me vendet përreth Detit Kaspik, ndërsa integron Turqinë në sistemin evropian. Shqipëria të marri përfitimet e ligjshme financiare dhe përdorimin e gazit si vend tranzit.

Europa me fuqinë e saj ekonomike dhe gjeopolitike si një ekonomi sociale tregu me 450 milionë konsumatorë, si dhe me vazhdimin e integrimit, do të jetë në gjendje të bëhet një superfuqi gjeopolitike dhe ekonomike. Për këtë qëllim, problem themelor mbetet forcimi i mëtejshëm organizativ i Bashkimit Europian. Europa nuk duhet të mbetet si një kontinent i fragmentuar dhe i ndarë, si përballë Rusisë dhe Kinës, por edhe përballë SHBA-së, në mëshirë të interesave tregtare dhe politike të aktorëve jo-europianë.