Prof. Lush Susaj : Nga politizimi i shkollës buron injorancë, korrupsion dhe dështim i reformave. Po shtohen patronazhistët dhe duartrokitësit e verbër të partive

218

Rilindasit dhe patriotët e vërtetë të Shqipërisë kanë patur një shprehje domethënëse, ku thuhej e ku është shkruar: “Nuk kemi luftuar për pasuri, por për Shqipëri”. Ndërsa për “rilindasit” e ditëve të sotme, kjo shprehje do të thuhej dhe shkruhej“Sundojmë e luftojmë për pasuri e jo për Shqipëri”

Sigal

 

 

 

 

 

 

Punonjës të administratës publike nuk dinë të komunikojnë apo kanë një nivel arrogance të lartë

Për fatin e keq, nga shkollat e denatyruara prodhohen servila

Politizimi e shkatërron procesin mësimor dhe edukativ, duke bërë që nga shkolla të mos krijohet njeriu reagues, zhvillues, progresiv.

– Çdo mësues dhe pedagog e kupton shumë mirë boshllëkun që është krijuar nga politizimi dhe hipokrizia me arsimin, me kulturën dhe me shkencën.

  • Politizimi dhe neotizmi në radhë të parë ushqejnë korrupsionin dhe injorancën

Intervistoi: Albert Z. ZHOLi

Arsimi pas ‘90-ës e deri më sot, nuk mund të quhet i mirë, sepse ka humbur shumë vlera në mënyrë graduale dhe sot, nuk luan asnjë rol në drejtim të edukatës, e cila është në nivelet më të ulëta dhe në drejtim të dijes, e cila është shumë e cunguar. Personeli pedagogjik është në nivele amatoreske aq sa, në shumë aspekte dhe qesharak, në përgatitjen e gjithanshme të tij. Nuk janë të pakta rastet ku, gjatë kthimit të fëmijëve nga shkolla, dëgjohen bisedat e tyre plot sarkazëm, për një pjesë të “mësuesve”, të cilët marrin rrogën e mësuesit. Problemet e arsimit sot vijnë nga politika. Ndërhyrja e saj sjell uljen e profesionalizimit.

  • Cili duhet të jetë misioni themelor i shkollës? Si është dhe si duhet të jetë edukimi i saj? A e realizon sot shkolla këtë detyrë ndaj brezave të rinj?

 Duke lexuar mbi holokaustin, gjeta edhe një tregim sipas të cilit, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në një nga kampet është gjetur një letër drejtuar mësuesve, e ku fjalë për fjalë është shkruar: “Të dashur mësues e profesorë, jam një i mbijetuar i një kampi përqendrimi. Sytë e mi kanë parë tmerre, që asnjë njeri nuk duhet t’i shohë. Kam parë dhoma gazi të ndërtuara nga inxhinierë të kualifikuar. Kanë parë fëmijë të helmuar nga mjekë të kualifikuar. Kam parë të porsalindur të vrarë nga infermiere të kualifikuara. Kanë parë gra e fëmijë të vrarë e djegur nga njerëz të diplomuar. Prandaj, kam dyshime të forta përsa i përket arsimimit. Kërkesa ime është kjo: Ndihmojini nxënësit dhe studentët tuaj të bëhen humane (njerëzorë). Puna juaj nuk duhet të prodhojë përbindësha të stërvitur apo ekspertë psikopatë. Të lexuarit, të shkruarit dhe njohuritë matematikore do të jenë të vlefshme vetëm nëse i bëjnë bijtë tanë më njerëzorë e human!”.

 

Gjithnjë e më shumë, arsimimi dhe edukimi po duken si një ngrehinë e varfër, ku nuk po krijohen më elita e as qytetarë reagues. Për fat të keq, duket që po rritet përqindja e servilave madein patronazhista, madein sigurimsa, madein korrupsion dhe duartrokitës të verbër të klaneve dhe partive politikë

Kjo më bëri që të flas dhe të reagoj përsëri për fiktivitetin, sofizmin dhe masakrën reale që është bërë e po bëhët në fushën e arsimit dhe të edukimit qytetarë të shqiptarëve. Gjithnjë e më shumë, arsimimi dhe edukimi po duken si një ngrehinë e varfër, e diku edhe e boshatisur, e ku nuk po krijohen më elita e as qytetarë reagues e dashamirës të ligjit e funksionimit të shtetit ligjor. Për fat të keq, duket që po rritet përqindja e servilave madein patronazhista, madein sigurimsa, madein korrupsion dhe duartrokitës të verbër të klaneve dhe partive politikë të periudhës postkomuniste, edhe më të zi e më degradues sesa ata të periudhës komuniste. Shpesh i kujtoj fjalët dhe shkrimet e Profesor Ahmet Osjes, ku na thoshte se me shkatërrimin e shkollës, rrezikojmë që të prodhojmë dreqër apo shejtanë. Njerëz që duan të pasurohen pa punë dhe mundësisht brenda ditës. Njerëz pa ndjesi kombëtare e qytetare, si dhe modele nepotike e të katapultuara brenda natës në krye të punëve dhe të institucioneve pa rregull e meritë. Për fatin e keq, nga shkollat e denatyruara prodhohen servila e njerëz të shushatur, as mish as peshk, as specialistë e as qytetarë të mirë, mjerisht pseudospecialistë dhe administrator të korruptuar dhe abuzues me projektet dhe investimet, e që pasurohen duke firmosur për preventiva, objekte dhe punë të pabëra, e që nuk ekzistojnë askundi. Politizimi e shkatërron procesin mësimor dhe edukativ, duke bërë që nga shkolla të mos krijohet njeriu reagues, zhvillues, progresiv, përkundrazi krijohet një brez dhe shoqëri që heshtdë përballë dekadencës dhe lindjes së përbinshave me efekt shkatërrues, korruptues e varfërues. Çdo mësues dhe pedagog e kupton shumë mirë boshllëkun që është krijuar nga politizimi dhe hipokrizia me arsimin, me kulturën dhe me shkencën. Në këtë kohë që po jetojmë, duket që mësimi dhe edukimi qytetar janë shndërruar thjesht e vetëm në një mjet propagande dhe rudiment të institucioneve dhe strukturave jo funksionale të mediokritetit dhe fiktivitetit, ku në dosje e letra është shkruar që ekziston çdo gjë europiane e progresiste, përballë realitetit të zymtë e me boshllëqe të jashtëzakonshe në drejtim të proceseve të mësimit dhe edukimit qytetar, aq shumë të nevojshëm për Shqipërinë dhe shtetin shqiptarë të këtyre 110 viteve. Nuk duhet të harrojmë të vërtetën që me politizimin, nepotizmin dhe shkatërrimin e stafeve pedagogjike, ka filluar dhe po vazhdon edhe rënia e lire e cilësisë së arsimit, programeve, teksteve, kurrikulave arsimore dhe profesionistëve e të diplomuarve në fakultetet tona. Politizimi dhe nepotizmi e shkatërrojnë funksionin dhe misionin kombëtarë të shkollës. Në një sistem arsimor të politizuar e të bllokuar nga nepotizmi, shanset për të formuar qytetarë aktivë, reagues, njerëzorë e të dobishëm janë gjithnjë e më të limituara.

Në shumë vende të botës politizimi i arsimit ka sjellë problem…Në të vërtetë çfarë sjell politizimi dhe nepotizmi?

 

Politizimi dhe nepotizmi në radhë të parë  ushqejnë korrupsionin dhe injorancën. Për shkak të politizimit ekstrem të shkollave dhe universiteteve, nxënësit dhe studentët e Shqipërisë nuk kanë më përballë elitën dhe as specialistët më të mirë të vendit. Përkundrazi përballen çdo ditë e më shumë me prurjet e reja që gjasme vijnë nga konkurimet e hapura e sipas aftësisë, por që realisht janë zgjatime të dorës së partisë. Në këtë mënyrë, nga shkollat dhe universitetet tona, gjithnjë e më shumë po mbyllet edhe ajo mundësia e marrjes në punë të profesioneve të mirëfillëta e të vlefshme për të punuar dhe konkuruar në tregjet kombëtare dhe rajonale të punës, ideve dhe projekteve. Nga nepotizmi, korrupsioni dhe politizimi i nëndheshëm i strukturave të arsimit, nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, gjithnjë e më shumë po dekurajohen, vidhen dhe abuzohen. Ku nga njëra anë janë, njerëzit që investojnë vite për përmësimin dhe edukimin qytetarë e profesionalë të fëmijëve të tyre, ndërsa nga ana tjetër nuk ekziston askund produkti i pritur, po krijohen gjithnjë e më pak profesionistë dhe qytetarë të mirë. Është fjala për qytetarë punëtorë, bashkëpunues, reagues e zhvillimorë. Kjo dukuri e ka burimin tek korrupsioni politik dhe inkompetenca profesionale e stafeve, ku akoma pas 32 viteve, vazhdojnë që të mbajnë atë model pune, komunikimi, metodologjie dhe programimi shabllon të periudhës së komunizmit. Pavarësisht nga demagogjia dhe nga fjalët e bukura të drejtuesve politikë të këtyre tre dekadave, realisht vazhdon të dominojë modeli i ashpër i sjelljes dhe komunikimit bolshevik, që sikurse dihet ka për bazë mashtrimin dhe ngopjen me lugën bosh, mënjanimin e elitës së mirëfilltë kulturore e shkencore dhe zhytjen e arsimit në fiktivitet dhe në hapësirat e kotësisë njerëzore, qytetare dhe profesionale. Pavarësisht nga propaganda, gjithëkush e kupton që tradita dhe reminishencat e atij modeli të vjetër që pati krijuar monstrën e njohur me emërin “njeriu i ri komunistë”, vazhdojnë që të ekzistojnë, duke u bërë pengesa më kryesore për reformimin e sistemit arsimor, kulturor dhe ekonomik në Shqipëri. Ajo që dihet e është parë nga të gjithë është fakti që reformat kanë dështuar, ndërsa racionaliteti na mëson që dështimi i reformave është karakteristikë dhe simptomë e një sistemi të mbyllur e të korruptuar nepotikë e hajdutërorë. Parë nga ky këndvështrim, jam i sigurtë që tradita dhe vazhdimësia e modeleve, përsonazheve dhe strukturave të zeza të shkollës së sistemit komunist, nuk mund të edukojnë e as të formojnë kurrë qytetarë e as profesionistë të mirë për Shqipërinë dhe Europën. Për fatin e keq, me këtë situatë politizimi, nepotizmi, inkopetence dhe korrupsioni në sistemin e arsimit dhe kulturës, po krijohen dhe po rriten injorantë dhe përbindësha pa shpirt e pa meritokraci. Gjithnjë e më shumë po zhvillohet shkulturimi dhe krijesa llupsa, gjarpërinjë dhe brejtës të institucioneve dhe të strukturave të shoqërisë. Sikurse thoshte Ismail Kadareja (Paris 1999), sipas të cilit, akoma po jetojmë në kohën e mpirjes dhe shkulturimit të madh, nga ku nxënësit dhe studentët e Shqipërisë marrin njohuri të thata e të cekëta teorike, duke mos patur lidhjen e duhur me praktikën, qytetarinë dhe profesionet. Po jetojmë në kohën kur nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, nuk e njohin dhe nuk e kanë provuar kurrë debatin qytetar e as shoqëror mbi problemet qytetare, ekonomike dhe politike të vendit. Kjo: sepse për shkak të nepotizmit, krahinizmit dhe korrupsionit, auditoret dhe institucionet tona arsimore po bëhen gjithnjë e më të varfëra nga debati, nga profesionistët dhe nga intelektualët e mirëfilltë. Po rritet frikshëm numri i atyre që nuk lexojnë e që nuk arrijnë që të bëjnë as edhe një analizë të mirëfilltë shkencore, historike, psikologjike apo filozofike. Po jetojmë në kohën tipike të mungesës së qarkullimit të mirëfilltë të elitave dhe modeleve të menaxhimit, përkundrejt faktit që kurrë nuk mund të zhvillohemi me modelin e stafeve të mbyllura e të ngurta nepotike, krahinore, inkopetente e joprofesionale. Kjo sjellje e degraduar politike po ndikon në fenomenin e njohur të sajimit me zor të elitave të partisë e të administratës, por që realisht nuk janë e mund të bëhen kurrë të tillë. Të sajuarit e partisë bëhen të pasur e të korruptuar, por kurrë nuk mund të bëhen elita të mirëfillta të shkollës, shkencës dhe zhvillimit të Shqipërisë. Rilindasit dhe patriotët e vërtetë të Shqipërisë kanë patur dhe përdorur një shprehje shumë domethënëse, ku thuhej e ku është shkruar: “Nuk kemi luftuar për pasuri, por për Shqipëri”. Ndërsa për “rilindasit” e ditëve të sotme, kjo shprehje do të thuhej dhe shkruhej“Sundojmë e luftojmë për pasuri e jo për Shqipëri”.  Ndërsa më kujtohet edhe një reagim i sinqertë i Profesore Zamira Çavos (2022), ku në shkrimin me titull “Të ulërijmë për arsimin”, ka shkruar: Sot kemi filluar të ankohemi se punonjës të administratës publike nuk dinë të komunikojnë apo kanë një nivel arrogance të lartë. Shkaku? Janë gjysmakë nga arsimi! Ankohemi se nuk gjejmë dot inxhinierë apo juristë të mirë. E dini sa inxhinierë e juristë diplomohen çdo vit? Ankohemi se mezi gjenden mjekë të mirë. Po e dini sa mjekë diplomohen çdo vit? Dhe mendoni se nga njëra reformë arsimore në tjetrën gjërat vijnë duke u përkeqësuar dhe pasojat sigurisht do jenë në të ardhmen e afërt. Çfarë po ndodh me shkollën?”. Për ta përmbyllur me përgjigjen që, sipas dijes dhe bindjes time, shkaku i degradimit të vazhdueshëm të shkollës dhe gjithë procesit mësimor dhe edukativ të shoqërisë, duhet kërkuar vetëm tek korrupsioni, nepotizmi dhe politizimi tinëzar i shkollës dhe të gjitha institucioneve të arsimit, kulturës dhe shkencës. Heshtja përballë kësaj situate nuk është më shumë e as më pak se sa një turp dhe padrejtësi e madhe ndaj fëmijëve të Shqipërisë, por edhe ndaj kujtimit të dëshmorëve dhe kontribuesve të shumtë të shkollës shqipe në shekuj.