Ditmir Bushati:Nuk u realizuan 12 prioritetet, për mungesë të vullnetit për reforma konkrete

449
Sigal

Ditmir Bushati, Kryetari i Komisionit të Integrimit Europian

Referendumi që kërkon të organizojë maxhoranca për votimin e 3 ligjeve, edhe pse u miratua në Kuvend, me votat e maxhorancës, ka ngjallë kundërshti politike, jo vetëm në Shqipëri, por më kryesorja, edhe nga vetë komisionerët dhe emisarët e BE-së, për vetë qëllimin politik të referendumit, se sa për rezultatin që mund të arrijë, edhe nëse realizohet. Ditmir Bushati, Kryetari i Komisionit të Integrimit Europian, Ditmir Bushati, në intervistën ekskluzive për “Telegraf”, argumenton se humbja e statusit, edhe për herë të tretë, nuk erdhi për shkak të mosvotimit të 3 ligjeve, por sepse maxhoranca ka mungesë të vullnetit për të realizuar reforma konkrete. Dhe risia e re politike, që do të sjellë PS-ja, pas 23 Qershorit, thotë Bushati, do të jetë “Qeverisja jonë do të përvijojë një raport të ri me opozitën e pas 23 Qershorit, duke stimuluar kulturën e kompromisit politik dhe prodhuar reforma të prekshme e të qëndrueshme”.

– Zoti Bushati, përse është e vështirë të arrihet kompromisi politik,  edhe për çështjet më madhore, sikurse është integrimi i Shqipërisë në BE?

– Procesi i integrimit europian ka në themel të tij nevojën për reforma të qëndrueshme, për përmirësimin e cilësisë së qeverisjes,  përmirësimin e demokracisë, përmirësimin e cilësisë të së drejtës,  dhe për zhvillim ekonomik e social. Pra, ka në themel të tij transformimin e jetës demokratike, ekonomike,  shoqërore e sociale. Në këtë kontekst, ka  nevojë për disa nga reformat që duhen ndërmarrë, në mënyrë që të jenë të prekshme. Mund të cenojnë të ashtuquajturën, “kulturë të privilegjeve”, e cila i përket qeverisë dhe këtu qeveria e “Berishës” nuk përbën përjashtim, e cila nuk është e prirur që t’i japë fund kësaj kulture të privilegjeve dhe të privilegjuarve. Në këtë pikëpamje, kompromisi nuk ka të bëjë me ligjin, apo ligjet në vetvete, por me nevojën për të ndërtuar një shtrat, i cili i hap rrugën reformave të rëndësishme dhe jo thjesht ligjit që shkruhet në letër.

Mos doni të thoni që në Shqipëri akoma nuk është arritur kultura dhe emancipimi demokratik, të palëve politike, që të ngrihen mbi interesat partiake të  konjukturave të çastit e të ndërtojnë kompromiset që të stigmatizojnë hopin cilësor politik?

– Në Shqipëri, përgjithësisht  është demonstruar një vullnet nga ana e qeverisë për të kapur çdo institucion të shtetit dhe problemi kryesor që unë konstatoj është mungesa e vullnetit për të ndërtuar urat e bashkëpunimit e kompromisit  të brendshëm politik maxhorancë me opozitë, por edhe me trupat  e tjerë shoqërorë. Në përgjithësi, kjo qeveri e ka njehsuar veten me shtetin, duke mos lënë asnjë hapësirë për kompromis me opozitën. Treguesi më elokuent është ajo që ndodhi me Qarkun e Fierit, ku debati nuk mund të banalizohet se kush mund ta mbajë vulën dhe zyrën e Kryetarit të Këshillit të Qarkut, i dyti për  nga madhësia, pas Tiranës, por debati është nëse ne i kemi mbyllur apo jo zgjedhjet e 8 majit të 2011-s, ndërkohë që, i afrohemi zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013. Debati është, gjithashtu, në rast se respektojmë parimin kryesor të shtetit të së drejtës, që do të thotë, zbatimin e vendimeve gjyqësore edhe në ato raste kur këto vendime nuk janë në përputhje me dëshirën, apo me vullnetin tonë. Dhe së treti, ka të bëjë me faktin që njihet botërisht, që zgjedhjet e 2011-s u njollosën, sidomos në Tiranë dhe kjo u reflektua  në çdo raport ndërkombëtar dhe se PS-ja respektoi vendimin  e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor, edhe pse i konsideron të padrejta dhe të paligjshme, ndërkohë që, maxhoranca aktuale refuzon për të zbatuar vendimet e gjykatave, të njëpasnjëshme, të cilat shpallën gjyqësorin,  përsa i përket rastit të  mandatit të Kryetarit të Qarkut të Fierit.

– A është gati Shqipëria që të hyjë në Bashkimin Europian?

– Shqipëria e ka të gjithë potencialin për të përparuar dhe për të qenë një model frymëzimi në  rajon, në rast se energjitë e popullit ishin të reflektuara në një vullnet të qartë politik  për të avancuar dhe  në disa reforma të rëndësishme që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës në Shqipëri. E kam fjalën, për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë, për të luftuar me seriozitet korrupsionin, për të organizuar  zgjedhje të lira e të ndershme, për t’i bërë një barrikadë krimit të organizuar, i cili po bëhet gjithnjë e më shumë njësh me pushtetin dhe shikohet një  kërcënim për jetën publike, për të dhënë fund retorikës në çështjen e pronave, sepse nuk mund të ketë investime  serioze dhe nuk mund të ketë një stabilitet shoqëror, në qoftë se ne nuk mund t’i japim një zgjidhje të drejtë çështjes së pronave, për të filluar e ndërtuar një administratë publike, të paktën në disa fusha vitale të shtetit, dhe jo një administratë sezonale, siç kemi deri tani dhe për ta vendosur drejtësinë në një mbikëqyrje publike. E kam fjalën për  gjyqtarët, prokurorët, për t’u dhënë atyre pavarësinë e duhur, por për ta kombinuar këtë pavarësi  me një kontroll  të imët publik dhe për të patur një sistem drejtësi sa më të përgjegjshme. Këto janë disa shtylla, të cilat kërkojnë një vullnet politik bipartizan dhe janë shtylla që do t’i krijonin terrenin e favorshëm iniciativës së lirë dhe shpirtit sipërmarrës të çdo shqiptari, për të afruar  sa më parë ditën e bashkimit të Shqipërisë me Europën dhe, në të njëjtën kohë,  për të shërbyer si një model frymëzimi në Rajon. Që do të thotë se shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, në këtë rast, ta shikonin vendin amë si një burim frymëzimi.

-Çështja e marrjes të statusit kandidat, është thjesht votimi i 3 ligjeve të mbetura?

– Për ne, çështja e statusit kandidat dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim paraqet një rëndësi të trefishtë, si:

a)       çështje e vlerësimit politik, pasi lidhet me kredon politike dhe imazhin e vendit, duke ravijëzuar një perspektive më konkrete për aderimin në BE;

b)       çështje e vlerave dhe përkatësisë sonë europiane, pasi lidhet me modelin e jetës publike që duam të ndërtojmë, e në të njëjtën kohë si sinjal inkurajues për shqiptarët që jetojnë në trojet etnike, se reformat shpërblehen;

c)       çështje e agjendës zhvillimore të vendit, e cila do ta zhvendoste “menynë” e BE-së me Shqipërinë në fushat që kanë ndikim të dukshëm në transformimin dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit, mbështetur në ciklin buxhetor të BE-së 2014-2020.

A nuk duhej të ishte kryefjala e fushatës elektorale të 23 Qershorit integrimi?

 

Konfliktualiteti elektoral ka të bëjë se cila palë do të marrë pushtetin

Besoj se tashmë është vonë që  Shqipëria të ketë një axhendë të përbashkët, përsa i përket procesit të  integrimit në BE dhe transformimin e fjalëve dhe ligjeve në vepra konkrete dhe standarde për jetën e qytetarëve, sepse deri tani kjo është një gjë e rëndësisë së dytë. Unë ju them se përgjegjësia kryesore është e atyre që qeverisin vendin. Ata duhet të japin shembullin konkret të bashkëpunimit me opozitën, të ndërtimit të urave të komunikimit, pa të cilat, ky proces e ka të vështirë të zhvillohet në shtratin e tij normal.

Referendumi i kërkuar nga maxhoranca dhe që u votua në Kuvend, është një mjet politik që mund të arrijë të votohen 3 ligjet e kërkuara, apo është një mjet që  kërkon të kapërcejë konsensusin ndërpartiak?

–  Është fatkeqësisht, një lojë me murin, është një mënyrë për të nxjerrë jashtë loje institucionet e demokracisë përfaqësuese në vend. Natyrisht, nuk duhet të ngatërrohemi, referendumi në vetvete, është një formë e shëndetshme e ushtrimit të demokracisë. Kushtetuta jonë dhe praktika ndërkombëtare e kanë përcaktuar qartë përse dhe kur mund të përdoret referendumi. Siç e tha edhe zoti Fyle, këtu kemi të bëjmë me fakte të cilat duhet të arrihen me kompromisin politik, jo thjesht për të patur disa amendime të ligjeve ekzistuese, por për të patur reforma të qëndrueshme. Pra, nuk bëhet fjalë për të patur thjesht një Rregullore të Kuvendit, por  bëhet fjalë për ta kthyer Kuvendin e Shqipërisë, nga një institucion monokratik në një shtëpi të përbashkët të shumicës së deputetëve me pakicën. E njëjta gjë për amendimin për Gjykatën e Lartë, nuk bëhet fjalë për disa amendime, por si ta bëjmë sistemin e drejtësisë më të drejtë, më funksional, më meritokratikë, më pak të korruptuar dhe si  të kemi një  perceptim sa më të besueshëm të opinionit publik për sistemin e drejtësisë. Po kështu edhe për administratën publike, ne nuk vuajmë nga ligjet për administratën publike, por shqetësimi ynë më i madh është shpërfillja  e ligjit për  administratën publike dhe klientelizimi i administratës publike. Prandaj, është e domosdoshme që miratimi i këtyre 3 ligjeve duhet të kalohet në procesin e një bashkëpunimi e mirëkuptimi reciprok, të paparagjykueshëm.

– Pavarësisht nga rezultati zgjedhor i 23 Qershorit, klima politike do të përmirësohet,  arritja e kompromisit do të bëhet më i mundshëm, për çështjet e integrimit?

– Të jemi të qartë me lexuesit. Kur flasim për integrimin europian, flasim në radhë të parë për normalizimin e shoqërisë shqiptare. Më e drejtë është të pyesim: A do të fitojë Shqipëria  do të betejën për të qenë një shtet dhe një shoqëri normale, apo jo? Ku qeveria bën detyrën e saj, d.m.th, qeveris vendin, ndërkohë që aparati shtetëror është diçka më e gjerë  dhe nuk mund të ngatërrohet me qeverisjen, sepse është një nocion shumë më i gjerë dhe institucionet e ndryshme të shtetit mbajnë në kontroll qeverisjen. Në këtë pikëpamje, besoj se axhenda dhe platforma e integrimit europian, e para,  nuk duhet anashkaluar për asnjë çast dhe përpjekjet për kompromis duhet vazhduar deri ditën e fundit të këtij parlamenti dhe nuk duhet pritur thjesht beteja e fundit. Dhe në rast se nuk do të ketë vullnet për kompromis politik, atëherë duhet të shikohet mundësia  që, menjëherë pas zgjedhjeve, të avancohet në parlamentin e ri edhe me qeverinë e re, për t’i dhënë   Shqipërisë  mundësinë   të kurorëzohet  me  marrjen e statusit kandidat mundësisht brenda këtij viti.

Me sa kuptojmë, votimi i 3 ligjeve, si përbërës të 12 kritereve, mbetet peng i luftës për marrjen e pushtetit në 23 Qershor?

Jo, unë nuk e vlerësoj kështu. Nuk është një çështje e luftës për pushtet, por është mungesë e vullnetit për të realizuar reforma konkrete. Shqipëria ka nevojë për përmirësimin e legjislacionit në çdo fushë, por, të gjithë  e dimë që  problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e legjislacionit, por vullneti  për të prodhuar reforma konkrete. Shqipëria mund të ishte më demokratike, më e drejtë në rast se, jo thjesht këto 3 ligje, por edhe reforma të tjera të vijnë nëpërmjet një procesi politik mirëkuptues.

–  Shpresoni se klima politike,  për arritjen e kompromisit për çështjen e integrimit, do të përmirësohet pas 23 Qershorit, pavarësisht se cila palë politike do të jetë fituesi?

– Marrja e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, vitin pasardhës, është një objektiv plotësisht i arritshëm. Qeverisja jonë do të përvijojë një raport të ri me opozitën e pas 23 Qershorit, duke stimuluar kulturën e kompromisit politik dhe prodhuar reforma të prekshme e të qëndrueshme. Qeveria në ikje nuk ka demonstruar vullnet politik, bashkërendim apo pronësi në këtë proces. Aq më pak ka demonstruar aftësi për kompromis politik e reforma që përmirësojnë standardin e jetesës, duke u përqendruar plotësisht në lojën e baltës dhe bishtnimin e përgjegjësive.

– Faleminderit!